Përse duhet të votojmë për nacionalizmin shqiptar?

Opinione

Përse duhet të votojmë për nacionalizmin shqiptar?

Nga: Xhemil Meço Më: 17 prill 2021 Në ora: 15:21
Flamuri shqiptar

Partia Balli Kombëtar (PBK) u krijua në Tiranë në fillim të viteve ’90 në vijën e nacionalizmit tradicional shqiptar. Kryetar i parë i PBK u zgjodh profesor Abas Ermenji, i cili kishte qenë një nga drejtuesit e lartë të Ballit Kombëtar gjatë luftës dhe më pas në emigracion. Programi i PBK mbështetet tek Dekalogu i Ballit Kombëtar dhe ka në bazën e tij bashkimin e shqiptarëve në një shtet kombëtar. Këto ishin edhe fjalët e para të profesor Abas Ermenjit kur u kthye në Shqipëri në vitin 1995, i cili tha: “Kam ardhur të bashkoj kombin shqiptar!”.

Në vitet ’90 Partia Balli Kombëtar nën drejtimin e profesor Abas Ermenjit zhvilloi një aktivitet të gjerë për sensibilizimin dhe edukimin e shqiptarëve me ndjenjën e nacionalizmit, i cili ishte luftuar për 50 vjet me radhë nga komunistët të cilët ishin përpjekur ta zëvendësonin atë me internacionalizmin proletar. Si rrjedhojë, shqiptarët në atë periudhë ishin të çoroditur dhe të papërgatitur për ndryshimet që po ndodhnin në Ballkan dhe sidomos për përpjekjet e Kosovës për liri dhe pavarësi. Nga politikanët e asaj kohe, të dalë nga shkolla komuniste që i kishte deformuar me mentalitetin internacionalist, nuk mund të pritej asgjë, sepse ata nuk i kuptonin ndjenjat kombëtare të kosovarëve dhe mendonin se Kosova mund të vazhdonte të qëndronte me Serbinë.

Në këto kushte Partia Balli Kombëtar dhe profesor Abas Ermenji organizuan gjatë viteve 1995-1996 një seri konferencash në të gjithë qytetet e Shqipërisë për t’iu shpjeguar shqiptarëve historinë e tyre, çështjen e Kosovës, të Çamërisë dhe trojeve të tjera shqiptare si dhe nevojën e organizimit të nacionalizmit shqiptar për zgjidhjen e çështjes kombëtare. Këto konferenca u pritën me interes të madh nga të gjithë dhe kontribuan shumë në rizgjimin e ndërgjegjes kombëtare shqiptare.

Fatkeqsisht, në vitet që pasuan, për shkak të luftës që i bëhej nga komunistët shqiptarë, Partia Balli Kombëtar nuk pati përfaqësimin e duhur në Kuvendin e Shqipërisë dhe nuk pati mundësinë të angazhojë më shumë shtetin shqiptar në luftën për çështjen kombëtare. Megjithatë, ajo me të gjithë mundësitë e saj e ka ndihmuar çështjen kombëtare, sidomos përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për liri, të cilat fatmirësisht sollën Pavarësinë e Kosovës.

Një tjetër çështje me rëndësi për Partinë Balli Kombëtar ka qenë ajo e Çamërisë, popullsia e së cilës iu nënshtrua një gjenocidi dhe spastrimi etnik nga trupat greke në vitin 1944. Me dhjetra mijë shqiptarë të Çamërisë u detyruan të lënë shtëpitë e tyre dhe të gjejnë strehë në Shqipëri ku janë edhe sot. Shteti grek nuk i lejon të kthehen në shtëpitë e tyre dhe u ka konfiskuar edhe pronat. Pikërisht për këtë arsye ne vitin 2004 tre deputetë të Ballit Kombëtar i propozuan Kuvendit të Shqipërisë miratimin e “Rezolutës Çame” e cila i kërkonte qeverisë shqiptare që të punojë për zgjidhjen e këtyre problemeve me Greqinë.

Nga ana tjetër Partia Balli Kombëtar ka luftuar pa reshtur tendencat për rikthimin e një diktature neo-komuniste në Shqipëri. Disa politikanë të partisë socialiste (PS) që vijnë nga ish-elita komuniste e Shqipërisë ende nuk e kanë kuptuar apo pranuar se komunizmi ka vdekur njëherë e përgjithmonë. Këta politikanë i kanë keqkuptuar rezultatet elektorale të PS si vullnet të shqiptarëve për t’u rikthyer në një sistem komunist dhe kanë nisur një propagandë ku lavdërojnë diktaturën komuniste me shpresën se rinia shqiptare do të gënjehet edhe njëherë duke iu krijuar mundësinë ta rivendosin edhe njëherë sundimin e tyre neo-komunist në Shqipëri, por kësaj radhe duke i dhënë një llustër demokratike dhe perëndimore me zgjedhje të falsifikuara.

Por i kanë bërë hesapet pa hanxhinë! Kombi shqiptar nuk ka për të lejuar më që aventurierë të tillë të tallen me fatet e tij dhe t’i shkaktojnë tragjedi si ato që jetoi në shekullin e kaluar.

Partia Balli Kombëtar ka punuar vazhdimisht për t’ua qartësuar shqiptarëve rrezikun komunist për kombin shqiptar dhe për lirinë dhe demokracinë në Shqipëri.

Por paradoksalisht dhe sot, 30 vjet pas rënies së diktaturës komuniste dhe kur çështja kombëtare është shtruar për zgjidhje, Partia Balli Kombëtar ende nuk ka përfaqësimin e duhur në Kuvendin e Shqipërisë.

Po përse duhet votuar sot për Partinë Balli Kombëtar?

Sepse Partia Balli Kombëtar është partia që përfaqson më së miri nacionalizmin tradicional shqiptar i cili buron që nga Lidhja e Prizrenit për të mbrritur tek Balli Kombëtar me Mithat Frashërin gjatë luftës, më pas me Abas Ermenjin e deri në ditët e sotme.

Sepse çështja kombëtare shqiptare ende nuk është zgjidhur dhe Partia Balli Kombëtar propozon një zgjidhje të vërtetë: Shqipërinë Etnike!

Sepse Partia Balli Kombëtar është e vetmja parti që ka patur gjithmonë si pikën kryesore të programit të saj Shqipërinë Etnike domethënë bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një shtet.

Sepse Shqipëria, Kosova dhe mbarë kombi shqiptar kanë nevojë sot për nacionalizmin shqiptar.

Sepse nacionalizmi shqiptar nuk është sot i përfaqsuar denjësisht në Kuvendin e Shqipërisë.

Sepse Partia Balli Kombëtar lufton për një Shqipëri të lirë dhe demokratike.

Sepse Partia Balli Kombëtar ka denoncuar gjithmonë diktaturën komuniste dhe tendencat diktatoriale neo-komuniste.
Në vitet e ardhshme do të shtrohen për zgjidhje disa çështje me rëndësi kombëtare. Një nga ato do të jetë referendumi për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Sigurisht nuk do të jenë partitë e mëdha elektorale të Shqipërisë, të preokupuara për pushtet, që do ta propozojnë një referendum të tillë apo të punojnë për të. Por do të jenë partitë nacionaliste si Balli Kombëtar të cilat çështjen kombëtare e kanë pikën kryesore të programit të tyre që mund ta bêjnë këtë!

Një çështje tjetër do të jetë ajo e marrëdhënieve me Greqinë, të cilat duhet të kushtëzoheshin me çështjen çame. Asnjë marrëveshje, qoftë ajo për përcaktimin e vijës kufitare detare apo të tjera nuk duhen nënshkruar me Greqinë pa zgjidhjen e çështjes çame!

Shqiptarët ndodhen sot të ndarë në disa shtete. Mbrojtja e të drejtave të tyre kombëtare është një prioritet, kudo që ndodhen, në Maqedoni, Mal të zi apo në Luginën e Preshevës. Në mënyrë të veçantë, shqiptarët e Maqedonisë, pas shumë e shumë përpjekjesh e sakrificash kanë fituar disa të drejta kombëtare me Marrëveshjen e Ohrit. Por shohim se ka përpjekje të vazhdueshme për t’ua hequr ato të drejta. Duhet të jemi tepër vigjilentë dhe t’i ndihmojmë shqiptarët e Maqedonisë dhe në troje të tjera t’i gëzojnë dhe t’i ruajnë ato të drejta kombëtare.

Për të gjitha këto arësye të gjithë nacionalistët që vijnë nga familje të lidhura me Ballin Kombëtar apo jo, nga familje të persekutuara apo jo, të gjithë shqiptarët nacionalistë që besojnë se pa zgjidhjen e çështjes kombëtare nuk mund të shkojmë përpara dhe se Shqipëria Etnike dhe bashkimi i të gjithë shqiptarëve në një shtet të vetëm është zgjidhja e vetme e vërtetë e çështjes kombëtare, në zgjedhjet e 25 prillit 2021 duhet të votojmë për Partinë Balli Kombëtar.

Partia Balli Kombëtar në këto zgjedhje ka paraqitur kandidatë në të gjitha qarqet e Shqipërisë. Shumë prej kandidatëve të PBK janë të rinj dhe kanë entuziazmin dhe idealizmin që ka rinia për t’u përballur me sfidat e mëdha të çështjes kombëtare dhe të ardhmes së kombit shqiptar.

Vota për kandidatët e Partisë Balli Kombëtar është votë për nacionalizmin shqiptar, është votë për kombin shqiptar, për Shqipërinë Etnike dhe për të ardhmen e kombit shqiptar!

Le të votojmë pra më 25 prill për kandidatët e Partisë Balli Kombëtar!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat