A po rritet LDK-ja me Lumir Abdixhikun?

Opinione

A po rritet LDK-ja me Lumir Abdixhikun?

Nga: Faton Mehmeti Më: 21 prill 2021 Në ora: 07:48
Lumir Abdixhiku

Pas debaklit që e pësoi në zgjedhjet e 14 shkurtit, LDK ndodhet në një udhëkryq jetësor, reformimi i saj si nevojë kryesore apo vazhdimi i plogështisë.

Nga ajo që shohim, kryetari i ri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka filluar të ndjejë nevojën e ndryshimeve e të cilat do të jenë test në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në nëntor të këtij viti.

Për këtë arsye, Lumiri së fundi ka takuar kryetarët e degëve të partisë, për të diskutuar lidhur me përgatitjen e zgjedhjeve lokale.

Në këto takime thuhet se është diskutuar për reforma në parti dhe për përgatitjen e degëve të LDK-së për t’u futur në zgjedhje lokale.

LDK ka nevojë për reforma të shpejta, të thella, e të cilat pasqyrojnë tek qytetari i dëshpëruar mesazhin e marrë me 14 shkurt, mesazh që lidhjet direkt me ndryshimet e mëdha jo vetëm në nivel qendror, por edhe atë lokal.

LDK së pari duhet të kuptojë se është opozitë dhe duhet të përpiqet që të bëjë një opozitë të fortë, opozitë jo zhurmuese por argumentuese.

Nevojën për organizimin dhe forcimin e brendshëm dhe artikulimin e nevojshëm opozitar në vend e përmendi edhe kryetari i ri i LDK-së. Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se në përputhje me Platformën për reforma dhe riorganizim, të paraqitur nga ai e të miratuar nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, kanë krijuar ekipet të cilat do ta bëjnë vlerësimin e gjendjes aktuale në degë.

Në degë LDK nuk qëndron mirë, ajo është kapur nga njerëz të klanit të Isës, që akoma nuk po heqin dorë dhe s’po e kuptojnë se koha e tyre në politikë ka përfunduar.

Me reforma të thella, ndonëse të dhimbshme për dikë por të nevojshme për tërësinë, LDK e ka të patjetërsueshme reformimin e madh të saj.

Në kuadër të këtyre reformave, LDK të largojë të gjithë: ata që e kanë përdorur besimin e qytetarëve për interesa të tyre personale, të atyre që shkëputen lidhjet me qytetarin, ata që manifestuan arrogancë me sjelljet e tyre përballë qytetarëve etj.

Sakaq kjo do të mundësonte që partia të hapet për njerëz të rinj, të rinj jo vetëm me moshë por me ide, njerëz që politikën e shohin si mundësi për t’i shërbyer komunitetit ku ata jetojnë.

Njerëz që politikën e shohin si përgjegjësi dhe jo privilegj për tu pasuruar vet, e të cilët politikën po ashtu e shohin si rrotacion ku secili ka mundësinë dhe kohën e tij për të bërë të mira për vendin, por duke respektuar gjithmonë rrotacionin si mundësi që edhe të tjerëve t’u jepet hapësirë.

Ndonëse rruga s’do të jetë e gjatë, nevoja e ndryshimet është më e madhe se kurrë, për një parti e cila duhet sa më parë të harrojë rezultatin e 14 shkurtit, për ta kuptuar atë vetëm si mësim. Ashtu sikurse e tha edhe Lumiri, “Rruga përpara është e gjatë; por hapat tonë janë të sigurt. Në këtë balancë të për bashkimit të brendshëm, reformimit adekuat e zgjerimit tonë të pandalshëm, qëndron edhe vullneti ynë për rikthimin tonë të madh”.

Nisur nga ky këndvështrim, dhe nga qëndrimet e kryetarit të ri, përballë vetëm duket se e ka kuptuar se ka shumë sfida të cilat kërkojnë shumë angazhim, durim dhe mbi të gjitha investim.

Zgjedhjet lokale janë shumë shpejt, me LDK-në që do e ketë testin e parë të vërtetë, për të kuptuar se a ka nisur të rikthejë besimin e qytetarëve, apo z. Abdixhiku akoma nuk e ka gjetur manualin e duhur për të rikthyer besimin e qytetarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat