Mjaft me Rama-qeveri, është koha e Basha-qeverisë!

Opinione

Mjaft me Rama-qeveri, është koha e Basha-qeverisë!

Xhevat Mustafa Nga Xhevat Mustafa Më 23 prill 2021 Në ora: 08:58
Edi Rama

“...nga programi ekonomik dhe ekipi i politikanëve dhe kandidatëve për qeveritarë, PD dhe koalicioni i opozitës apo kjo alternativë, jep më shumë siguri dhe bindje për një qeverisje në rreth 25-50-% më të aftë, më konstruktive, ndjeshëm më pak të korruptuar, më të dobishme, më njerëzore dhe sociale, më shqiptare e më kombëtare; me orientim më evro-perëndimor...!”

Sa herë që Edi Rama flet live në takime partiake, elektorale si dhe nëpër ekrane dhe mikrofonë, duket qartë se nuk i vjen turp as nga vetja, nga partia që e ka kryetar dhe kryeministër dhe as nga ata qytetarë, që e shikojnë dhe dëgjojnë, duke u vetëlavdëruar për ato pak gjëra që ka bërë sipas mendjes së tij dhe për shumëçka, ka premtuar dhe e ka harruar për afro 8 vjet.

Edhe më parë, por sidomos, gjatë këtyre muajve të fundit, në kuadër edhe të fushatës elektorale, ai është kapur fort si i prag mbyturi pa asnjë shpresë shpëtimi tek disa fije kashte. Këto janë tërmeti i 26 nëntorit 2019, Covid 19 dhe fushata e vaksinimit; sheshet e disa qyteteve rikonstruktuar me fatura tejet të larta për 1 metër katror e në tërësi në krahasim me vitin 2013 dhe me koston në shumicën e vendeve të Evropës Perëndimorë; komplekset turistike nga oligarkë shqiptarë dhe arabë, aeroportet e ndërtuar apo në projekte për të ardhmen, që mund të cilësohen sipas një shprehjeje të popullit “shumë e për lumë” dhe “lum jush të rrojë që t’i shikojë”...

Së fundmi, marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe të Emirateve të Bashkuara Arabe, për transformimin e portit të Durrësit në zonë turistike për pasagjerët dhe jahtet dhe ndërtimi i një porti të ri në Porto Romano për transportin e mallrave...Ai dhe turma e partiakëve, qeveritarëve të lartë, të mesëm dhe e militantëve të thjeshtë, që i mban iso kanë edhe pandihmën se gjatë 8 vjetëve të mbretërimit të Edi Ramës, me shokë e shoqe sorosianë, partiakë, pushtetarë dhe oligarkë, “rilindasit” kanë bërë reformën në drejtësi (alla sorosiane), se nëpërmjet saj kanë ndikuar “për të bërë shtet ligjor”, që, nga zbatimet dhe veprimet , në të vërtetë, më shumë anon nga ai i standartit lindor, rus, bjellorus, kinez...                                                                                                                                                    

Sot pas rreth 16 muajsh nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 shumica e shqiptarëve viktima të tij, plot akoma nëpër çadra dhe banesa të përkohshme e të papërshtatshme, e dinë mirë se sa kanë bërë në të vërtetë, me vepra të përjetueshme, Edi Rama dhe gjasme ministri i ndërtimit, Arben Ahmetaj, për t’ua lehtësuar dëmet dhe për t’ua përmirësuar strehimin dhe jetesën.                                            

Duke kaluar në frontin e vaksinimit për mbrojtje nga Covid 19, gjithashtu, veprat e përditshme e të provueshme, flasin më shumë kundër se sa në mbështetje të propagandës tradicionale, demagogjike, manipuluese, elektorale...të Rama-qeverisë. Njëkohësisht, nga vetë qytetarë viktima, familjet e tyre dhe nga mediat, është folur edhe për një hov të ri lulëzimi të korrupsionit allaTire-, nëpër pavionet dhe spitalet infektivë, të vjetër apo të sajuar shpejt e shpejt, në Tiranë dhe në disa qytete të mëdha. Kulmi arrihej me komeditë në aeroportin “Nënë Tereza”, ku shpesh, ndryshe nga sa ndodhte në SHBA, Gjermani, Francë, Britani të Madhe...,në pritje të sasive të pakta të vaksinave nga një “vend mik, që nuk dëshiron të identifikohet”, shkonte vetë kryeministri Rama...Fillimi me nga një thes apo fërgon me vaksina turko-kineze, me dokumentacion jo të plotë dhe transparent për origjinën, përbërjen, efekshmërinë mbrojtëse, rreziqet bashkëshoqëruese eventuale apo më të shpeshta...,shpreh se kjo ishte më shumë një fushatë paralektorale dhe politike se sa një aksion serioz dhe transparent mjekësor dhe profilaktik.                                                                                                                                                 

Një drejtim tjetër, në të cilin Rama-qeveria dhe mediat “e pavarura” vetëm nga populli dhe opozita, kanë bërë propagandë marramendëse dhe aspak të përjetueshme, është ajo “e rritjes ekonomike”. Vendi dukshëm në krizë të thellë, me rritje të papunësisë, varfërisë, emigracionit, vetëm me bum kafenesh, qebaptoresh, byrektoresh, farmacish, klinikash dentare dhe laboratorike, me agjenci këmbimi valuator, me trotuare mbushur me shitës ambulantë dhe lypsar, Rama, me shokë dhe shoqe, mbështetur nga mediat e tyre, nuk kanë pasur dhe nuk kanë as turp dhe as ndrojtje të mburren për “rritje ekonomike”, edhe gjatë periudhës së pas tërmetit dhe sidomos, gjatë periudhës së kufizimeve dhe falimentimeve të shumta të pandemisë...

Jo rastësisht apo duke qenë me dashje viktima të pandehmës se rritja e kateve të kullave dhe e tonelatëve të kanabizit është shprehje e “rritjes ekonomike dhe të mirëqenies së qytetarëve, ata shprehin “sklerozë” të rëndë, duke “harruar” shumë premtime të bujshme e mediatike, vepra të pakryera, dështime, abuzime, skandale...Në këto kushte, në mënyrë fare të përmbledhur, po i ndihmoj me një varg faktesh, që t’ua lehtësoj sado pak “rikthimin e pjesshëm të kujtesës”.                                                                                  

Rama-partia-qeveria dhe “mediat e pavarura” nëpër xhepat e tyre, kanë “harruar” se nga 29 nëntori 1944 deri sot më 23 prill 2021, pra pas 76 vjetësh apo 63 vjetësh qeverisjeje vetëm nga gjasme e majta, jemi të fundit në Evropë për treguesit e zhvillimit dhe të mirëqenies, të pagave, pensioneve, mbështetjes sociale...Po kështu kanë "harruar se në krahasim me 2013 çmimet e shumicës së artikujve ushqimorë; ilaçeve, veshjeve, kozmetikës, të analizave mjekësore, të klinikave mjekësore dhe dentare, të një 1 dite shtrimi edhe në spitalet shtetërore; të 1 km autostradë dhe rrugë me dy korsi, allashqiptarçe për nga cilësia dhe jetëgjatësia,...,janë rritur në 50- 100%, duke qenë sot rreth 30- 50% më të lartë edhe se në Gjermani, Francë....

Ndërsa pagat dhe pensionet e ulëta e të mesme gjatë 8 vjetëve të mbretërimit të Ramës janë rritur vetëm në rreth 25%...Kanë "harruar" gjithashtu se sa janë rritur korrupsioni, kriminaliteti kanabizimi, emigracioni, borxhi publik, biletat e avionëve, paketat e telefonisë celulare, të internetit... ”Enveristo-edramistët kanë kujtesë të fortë për të vrarët dhe korrupsionin gjatë 13 vjetëve të qeverisjes nga PD e Berisha, por shumë “të dobët” për shifrat shumëfish më të larta të të vrarëve dhe të korrupsionit gjatë 63 vjetëve në tërësi apo 18 vjetëve pas vitit 1990, nga qeveritë e tyre, të Enverit, Ramizit, Fatosit, Edit...”Të majtët” fanatikë dhe me “kujtesë të dobët” për bëmat dhe gjëmat e partisë së tyre të zemrës, kanë "harruar” se Rama/qeveria nuk na mundësoi pas 8 vjetësh hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE...! Në të kundërt me aspiratat dhe interesat mbarëkombëtare shqiptare EdiRama u mjaftua dhe u “lumturua” vetëm me “MiniShengenin ballkanik”, i cili me platformën publike dhe atë të pashpallur, mbart dhe sjell mbizotërimin ekonomiko-politik të Serbisë në Ballkan, daljen e saj në Adriatik, në Portin e Durrësit dhe rrit pikëpyetjen e madhe për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin e shtetit të Kosovës.

Sa për shtetin që pandehin dhe propagandojnë se ka bërë Edi Rama dhe qeveria e tij, është shumë shprehës fakti apo “harresa” e tyre se shumica e qytetarëve urojnë njeri- tjetrin: "mos paç hall të shkosh në zyrat, hipotekat, spitalet, gjykatat, policinë, burgjet...e këtij shteti, sepse këputesh nga gjunjët dhe zbrazesh nga xhepi!" Së fundi, Rama, me shokë e shoqe dhe me ata militantë të verbër, që i rrethojnë apo u shkojnë pas, kanë "harruar" se Shqipëria është në këtë gjendje prej 76 vjetësh, edhe pa drita e ujë gjatë 24 orëve në shumicën e qyteteve, përfshirë edhe Tiranën, nga mendjet, bindjet, votat e "të majtëve, fanatikë të verbër", nga varfëria dhe injoranca masive, nga “fshatarëzimi” dhe kriminalizimi masiv i politikës dhe qeverisjes”. Prandaj, është e kuptueshme përse është masivizuar kori i atyre personaliteteve intelektuale në vend, nga diaspora, nga Kosova Maqedonia e Veriut..., që u bëjnë  me sinqeritet të plotë dhe shqetësim të madh për të ardhmen, vazhdimisht thirrje  bashkëkombësve të tyre: “shqiptarë, mos u rimashtroni lehtë!

Pas mandatit të tretë, Edi Rama, i trimëruar, forcuar dhe konsoliduar nga bandat dhe oligarkët e tij, do t'u kërkojë mandat të katërt, të pestë...,duke harruar, sipas një zakoni 80 vjeçar, shumicën e premtimeve që ju ka bërë, nëpërmjet "kukullave" apo vetë, me gojën e tij, në çdo ekran, mikrofon e gazetë!” Në këto kushte, kur qeverisja Rama e ka mbyllur ciklin qysh me mandatin e parë dhe është bërë e padurueshme e rrotacioni politik dhe qeverisës i domosdoshëm dhe urgjent, më 25 prill kemi një shans “të artë”, që pas 63 vjetësh qeverisjesh diktaturiale nga një parti gjasme socialiste dhe gjasme e majtë, të zgjedhim alternativën dhe qeverisjen nga koalicioni i PD-së me disa parti të qendrës së djathtë e të qendrës së majtë, gjithnjë të standardit allashqiptarçe, ashtu si edhe për “majtizmin” e PS-së.

Jo vetëm sipas bindjes sime, por tejet më masive, nga programi ekonomik dhe ekipi i politikanëve dhe kandidatëve për qeveritarë, PD dhe koalicioni i opozitës  apo kjo alternativë, jep më shumë siguri dhe bindje për një qeverisje në rreth 25-50-% më të aftë, më konstruktive, ndjeshëm më pak të korruptuar, më të dobishme, më njerëzore dhe sociale, më shqiptare e më kombëtare; me orientim më evro-perendimor...! Për kokën dhe fajin tonë, edhe si shumicë e popullit, jemi të detyruar të kënaqemi edhe me kaq!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat