Tungjatjeta Kosovë

Opinione

Tungjatjeta Kosovë

Nga: Dedë Preqi Më: 14 maj 2021 Në ora: 11:59
Dedë Preqi

Tungjatjeta Kosovë ! Ku dreqin ishe dje, dhe sikur po harrojmë shpejt nganjëherë dhe po bëjmë hopa pa kapërcyer tamam hendekun, edhe pse jemi të lirë dhe mund të shkojmë përpara me potencialin tonë, që nuk e kemi arritur kurrë ndonjëherë, mundemi  tani ti prekim dhe përjetojmë kufijtë e këtij potenciali njerëzor, vetëm duke e respektuar njëri-tjetrin.

Beteja më e fortë që duhet të bëjmë sot është beteja për t’u mbrojtur kundër covidit 19-të, dhe pas kësaj beteje, e cila është edhe më e rrezikshme se covidi, është ajo mafia ekonomike dhe pasuria e kundërligjshme, që ia dhanë të drejtën vetës ata që ishin për 20 vite në pushtet, për të vjedhur pasurinë dhe djersën e popullit.

PDK, LDK dhe AAK, e kullotën dhe e ç’kullotën pasurinë e këtij shteti,  tani në opozitë i kanë futur veshët në lesh dhe vetëm e luajnë rrolin e vëzhguesit dhe hetuesisë për të zënë pisk dikund qeverinë e Albinit, dhe sikur nuk ka ndodhur asgjë, duke vjedhur deri në dhomën e dëshmive edhe arkën e shtetit të vet, dhe sikur nuk jemi vetëdijesuar, kur akoma kësaj Kosove, po i kullojnë plagët e luftës.  

Tungjatjeta Kosovë, ashtu më erdhi në mendje, që të ia jap titullin këtij shkrimi, që jetëzgjatja e saj të jetë e pëlqyer dhe jo e urryer, duke ia shtuar edhe disa fjalë të shkrimtarit hebre i quajtur Wisel, i cili thotë: kur të vdesim, nëse takohemi me krijuesin tonë, ai nuk do na kërkojë pse nuk jemi bërë Mesia, apo pse nuk e zbulove se si ndreqët kjo apo ajo gjë, por të vetmen gjë do na pyeste, « përse nuk e bëre ti » ?

Kaluan më shumë se 20 vite mbas luftës dhe Kosova, me qeveritë dhe pushtetet e veta sikur po flinë në gjumë, dhe vetëm mafia e korrupsionit po punon natën edhe ditën, edhe nëse dikush po tenton nga qeveria e re e kryeministrit Kurti, që t’ua zbulojë rrënjët, e ka të vështirë, sepse janë shumë 20 vite, që është thurur dhe ç ‘thurur ky rrjet i kësaj bande ekonomike dhe politike, në krye me klanin « pronto » dhe bashibozukët e tij.

Kosovë, ku i ke Akademikët e Shkencave dhe Arteve, ata po e luajnë jo rrolin e akademikëve, por rrolin e shurdhmemecëve, që nuk po u shohin sytë dhe dëgjohet zëri i tyre, duke i parë dhe përjetuar gjitha këto copëza të jetës së arnueme në Kosovë, dhe duke u ballafaquar Kosova me gjitha këto propaganda të Serbisë, kjo elitë e dijës e artit dhe shkencës, nuk e gjuan bile një kritikë në letër të bardhë, kundër këtyre hordhive të egra dhe kriminale.

Sa është e rëndë për familjet e atyre që akoma nuk i kanë gjetur më të dashurit e tyre, që i rrëmbyen dhe i zhduken hordhitë fashiste serbe në kohën e luftës dhe iniciativa e qeverisë Kurti dhe kryetares së vendit z.Vjosa Osmani, për të paditur Serbinë për gjenocid, pothuaj se fare pak gjene përkrahje nga opozita e vendit, apo fare përkrahje as nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, dhe një iniciativë e tillë, sikur bëhet disi e pa mundur, apo e jo koherente, duke ditur se Serbia, masakroi dhe vrau më se 20 mijë civil shqiptarë të pa fajshëm.

Prandaj, jemi në ballafaqim me një të kaluar të hidhur, që nuk mund të harrohet lehtë, por duhet të dimë se si do ia bëjmë ta ndërtojmë të ardhmen që e kemi përpara, dhe sikur thotë edhe një artist i njohur ; « nëse e keni penelin, i keni edhe ngjyrat, pikturoni parajsën dhe pastaj hyni në të , po deshe  pikturoje edhe ferrin, por më pastaj mos ua hedh fajin të tjerëve ».

Kosova, sot sikur i ka të gjitha mundësitë për të treguar kapacitetet e veta dhe askush nuk mundet të na i shërojë të gjitha plagët që i kemi në tërësi, dhe as Amerika, nuk ka kohë të merret vetëm me problemet tona, apo të na pajtojë së paku brenda shoqërisë tonë politike, kur ne mundemi ta bëjmë vetë dhe të çlirohemi nga « uni » që po e shkatërrojmë vetveten.

Kosova nuk është e njërës parti apo tjetrës, por është e të gjithëve që jetojmë dhe arnohemi në këtë vend. Kosova është pasqyra e jonë dhe e njëri-tjetrit, dhe nëse duam që të njihemi nga dikush tjetër, do ta zbulojmë vetën përmes reagimeve dhe kritikave të të tjerëve, dhe nëse edhe të tjerët nuk janë të kënaqur me ne, atëherë të ndalemi dhe ta shikomë me vëmendje vetën se kush jemi…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat