Pishtarët e fikur të Kalasë së Rozafës

Opinione

Pishtarët e fikur të Kalasë së Rozafës

Nga: Jak Simoni Më: 14 maj 2021 Në ora: 15:41
Jak Simoni

Pak ditë  më parë ndoqëm ne disa media se ishte vjedhur kabulli elektrik  i ndriçimit  të mureve të Kalasë së Rozafës. Me këtë rast kuptuam dhe ne që nuk jemi nga Shkodra se muret e saj ishin ndriçuar, por vetëm për pak kohë, sepse hajdutët e kishin ndërpre këtë ndriçim. Nuk është hera e parë, as e fundit, që ndodhin këto. Para më se dhjetë  vitesh identik e njëjta gjë  ndodhi me ndriçimin e mureve të Kalasë së Lezhës, të cilët u panë të ndriçuar vetëm për pak ditë. Si atëherë, ashtu dhe tani flitet vetëm për hajdutet që vjedhin kabullin,  por nuk flitet se ç’janë këto zbukurime ndriçuese, për të cilat është pak të thuash se janë të tepërta; janë shpërdorime të kota e absurde, por kjo nuk është për tu habitur, sepse, sipas shumë filozofëve aktualë, kemi  kaluar nga koha e konsumizmit absurd  në kohën e shpërdorimit absurd. Shpenzime pafund  për të parë muret e kalave edhe natën.  

Nuk na shkon në mendje se objektet historike më shumë se të zbukurohen e të ndriçohen kanë nevojë të ruhen nga ndërtimet abuzive mbi rrënojat e tyre, të mirëmbahen e të studiohen, pra që mendja jonë të ndriçohet nëpërmjet tyre; d.m.th këto objekte të konsiderohen si dritare që tregojnë një panoramë të heshtur në errësirën e të shkuarës.  

Siç thonë historianet e shquar, muret e  lashtë të këtyre objekteve  dhe shtresat nga epokat e lashta të historisë; d.m.th. informacioni i heshtur i tyre tregon më shumë se mijëra fjalë të një libri të historisë. Ata që duan ndriçimin e Kalasë së Rozafës dinë për të aq pak sa dinë për Liqenin e Shkodrës, që nga një këndvështrim dhe e pasqyron atë: “një nuse, që i thanë se të erdhi burri nga emigrimi, e harroi trumën hapur dhe u përmbyt gjithë vendi me ujë duke formuar liqenin”. 

 Ka a një mani për zbukurime me drita verbuese, pa marrë parasysh koston e lartë që kanë dhe jo vetëm financiare. Ca kohë më parë në parkun e Beratit “ të zbukuruar” nga të mëdhenjtë për festa ngeli i vdekur nga kontakti me rrymën një fëmijë që po luante.

Për të mos llogaritur dhe ndikimin mbi ambientin:  shkatërrojmë peizazhet, burimet, devijojmë lumenjtë për  të prodhuar energji për shpërdoruar e për të vjedhur. Njerëzit dhe insektet duan drita verbuese.  

Uroj të mos harxhohen paratë tjera, sepse prapë do e vjedhin kabullin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat