Gjenocidi i harruar serb ndaj shqiptarëve

Opinione

Gjenocidi i harruar serb ndaj shqiptarëve

Nga: Daut Kelmendi Më: 28 maj 2021 Në ora: 11:13
Ilustrim

Para disa ditëve patëm rastin të lexojmë një vështrim nga prof.dr. Zija Lleshi. Profesori në shkrimin e tij shkruante për katër gjenocide të Serbisë ndaj popullit shqiptar, duke e harruar të pestin faktikisht të parin.

Gjenocidi i serb ndaj shqiptarëve ka filluar shumë më herët se sa ju e përshkruani në artikullin tuaj. Gjenocidi i parë dhe shumë i madh ka ndodhur pas traktatit të shën Stefanit në vitin 1878.

Në vendimin e traktatit të shën Stefanit dhe pastaj të kongresit të Berlinit, me insistimin e Rusisë, Serbisë ju dhuruan tokat shqiptare të Toplicës, Jabllanicës e Surdulicës të banuara tërësisht me popullatë autoktone shqiptare. Në këto treva duke përfshirë Nishin, Prokuplen, Leskocin, Vranjen e Kurshumlinë kishte afro 700 vendbanime të populluara me shqiptar autokton. Sipas prof.dr. Sabit Uka në këto territore jetonin afro 300 mijë banorë shqiptar. Pas kongresit të Berlinit këto vise të banuara me shqiptar u okupuan nga ushtria serbe e ndihmuar nga ajo ruse.

Gjatë dëbimit të popullatës shqiptare nga keto troje, u kryen masakra të llahtarshme dhe ky ishte gjenocidi i parë ndaj shqiptarve ku u maskruan me mijëra shqiptar pa kursyer burra, gra, pleq dhe fëmijë.

Këto masakra të papara i kishte përshkruar në detaje më së miri gazetari rus me prejardhje hebreje Leon-Lav Trocki. Ai nga vendi i ngjarjes shkruante se ishte i shokuar nga ajo çfarë kishte pare! Ai gjithashtu shkruante se në pjesën e rrugës prej Nishit deri ne Prepellac (Mërdare e sotme) me gjatësi afro 100 kilometra të dy anët e rrugës por edhe në thellësi te terrenit ishin të mbushura me burra, gra pleq dhe fëmijë të masakruar. Ai cek në shkrimet e tij se i vetmi faj i këtyre njerëzve të pafat ishte sepse ishin shqiptar. Në vazhdim Trocki përshkruan vrasjen e njerëzve te cilët me shumicë ishin masakruar me bajoneta e shumë më pak të ekzekutuar me armë zjarri.

Me okupimin e këtyre trojeve shqiptare, Serbia u zgjerua shumë. Nga 37700 km² ajo u zgjerua në 52700 km². Nga kjo shihet se Serbia u zgjerua për 15000 km² territor të banuar me shqiptar. Pra siç shihet territori i okupuar që ishte i banuar me shqiptar, është sa njëherë e gjysmë e territorit të sotshëm të Kosovës.

Ky faktikisht ishte gjenocidi i parë që Serbia kreu ndaj shqiptarëve. Sipas përshkrimeve të atëhershme llogaritej që Serbia kishte vrarë 50000 burra, gra, pleq dhe fëmijë.

Ata që arritën të dalin disi në Kosovë, shumë prej tyre vdiqën nga skamja dhe uria, sepse pushteti Osman nuk tregonte ndonjë interesim për vuajtjet e këtyre njerëzve.

Në këto momenti kishte ardhur në shprehje solidariteti i shqiptarëve autokton të Kosovës, të cilët të ashtuquajturve muhaxherë iu ndihmuan dhe i strehuan në shtëpitë e tyre.

Dihet sidomos kontributi i jashtëzakonshëm i Haxhi Zekë Biberajt nga Peja i cili nuk kurseu asgjë duke ndihmuar këtë popullatë. Kishte bërë jehonë të jashtëzakonshme apeli i tij që çdo shqiptar i Kosovës të iu del në ndihmë këtyre të mbijetuarve të masakrës duke thënë “ Edhe këta janë shqiptarë si ne”.

Prof.dr. Sabit Uka në librat e tij shkruan se një pjesë e madhe e tyre u shpërngulen në Turqi kryesisht në pjesën e Anadollit, kurse një pjesë e vogël u vendosen në Shqipëri.

I nderuari profesor Lleshi, ky ishte gjenocidi i parë i Serbisë ndaj shqiptarëve, dhe kjo nuk guxon kurrsesi të anashkalohet apo harrohet.

Është për tu habitur se sa të shkurtër e kemi kujtesën historike! Këto vise shqiptare shumë pak për mos me thënë fare përmenden nga pushtetarët tonë. Disa prej tyre bile ishin të gatshëm të e bëjnë hisedare Serbinë në këtë gjysmë pjesë të Dardanisë (Kosovë).

Sërbia për marrëveshje me Kosovën, sot deklaron se dikush nuk mund të i merr krejt duke aluduar në Kosovën e dikush asgjë duke aluduar në vetveten.

Serbisë duhet thënë haptas se ti ke okupuar viset e banuara me shqiptar në Toplicë, Jabllanicë dhe Surdulicë duke ujitur me gjak shqiptari atë tokë dardane e duke u zgjeruar për 15000 km² me tokë shqiptare.

Kryeministri i parë I Sërbis Ilija Garashanin e kishte shkruar memorandumin e pare serb kundër shqiptarëve i quajtur “Naçertania”, ku qysh atëherë kërkohej që e gjithë popullata në pjesën e Toplicës dhe Kosovës të zhduket nga faqja e dheut në mënyrë që Serbia të zgjerohet edhe më shumë. Edhe pse dihej që 30 herë kishte më shumë serb përtej lumit Drin në Bosnje, zgjerimi I Serbisë në atë pjesë ishte I pamundur për shkak se ajo pjesë gjendej nën Perandorinë Austro-hungareze.

Këto memorandume për zhdukjen e shqiptarëve kurrë nuk janë ndalur, duke vazhduar me Akademinë e Shkencave të Serbisë (SANU), me Vladan Gjorgjeviqin i cili deklaronte në kongresin e antropologëve të Evropës se shqiptarët kanë bishta e deri te Ivo Andriq e Vasa Qubriloviqi e deri te marrëveshja e fundit xhentëlmene me Turqinë e cila parashihte shpërnguljen e të gjithë shqiptarëve ne ish Mbretërinë jugosllave për në Turqi duke i paguar Turqisë 6 lira për kokë banori. Kjo shpërngulje ishte e paraparë të përfundonte deri ne vitin 1946 duke mos lënë asnjë shqiptar ne ish mbretërinë jugosllave.

Pas luftës së fundit në Kosovë, ne nuk ishim në gjendje të përcaktonim as numrin e të vrarëve, të plagosurve e as të dhunuarve, por duhet të pritnim që dikush të vinte nga Beogradi të na tregoi se sa të vrare e të masakruar e të dhunuara nga Serbia ishin në Kosovë. Së pari thanë se janë të vrarë 15000 shqiptarë ku pas një kohe ky numër u zvogëlua në 13000 duke u zvogëluar edhe më tutje 8000. Sipas kësaj logjike me zvogëlimin e numrave të të vrarëve, përfundimi do të ishte që Serbia nuk ka vrarë askënd në Kosovë! Ky është një absurd në vete, e pushtetarët tanë i merrnin këto të dhëna të servuara nga UDB-ja si të vërteta sepse “kishin punë më të rëndësishme për Kosovën”.

Si përfundim duhet të themi se Serbia në luftë e fundit vrau 25000 shqiptar në mesin e të cilëve ishin edhe 1450 fëmijë, plagosi e sakatoi afro 45000 njerëz e dhunoi 25000 gra. Shumë njerëz në masakrën e fundit u dogjën nëpër furrat e Trepçës, termoelektranave në Obiliq ku era e kufomave ndihej deri në Prishtinë si dhe në Maçkatic të Serbisë. Serbia sipas UNHCR, dëboi nga Kosova afro një milion shqiptarë duke bërë pastrim etnik që është në kundërshtim me çdo konventë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Sipas një parallogarie, që nga viti 1878 e deri në luftën e fundit më 1999, Serbia duhet të përgjigjet për vrasjen e 500 mijë shqiptarëve. Këto të dhëna dhe shumë të tjera janë të mjaftueshme që Sërbia të paditet për gjenocid ndaj shqiptarëve.

Po e përfundoj me thënjen politikanit serb Nenad Qanak I cili kishte deklaruar se aq shumë ka vrarë shqiptar Sërbia, që nëse e fusim lopaten më thellë në tokë dhe gërmojmë, gjithkund do të hasim në koka dhe trupa shqiptarësh!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat