Albin Kurti përballë Herman Geringut të Milosheviçit!

Opinione

Albin Kurti përballë Herman Geringut të Milosheviçit!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 14 qershor 2021 Në ora: 20:09
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Nesër Albin Kurti shkon në Bruksel. Pas Ibrahim Rugovës dhe Fatmir Sejdiut, zoti Kurti është i treti lider politik i Kosovës, i cili shkon në bisedime me Serbinë pa hipotekë. Ai nuk është përgjegjës për asgjë që ka lidhje me Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës apo me ndonjë zhvillim tjetër që lidhet me raportet shqiptaro-serbe. Gjithçka ka bërë lidhet me aksionin dhe veprimin e tij politik. Madje është Serbia ajo që e ka burgos Albin Kurtin! Dhe ky duhet t'i kërkojë llogari asaj edhe për këtë!

Ndërkaq kundërshtari i tij, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, vjen në takimin e ditës së nesërme (15 qershor 2021) në Bruksel me një hipotekë dhe me një mal akuzash për krime lufte e krime kundër njerëzimit gjatë dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit të kaluar. Megjithëse në moshë të re, Vuçiq ishte njeriu i parë pas Sheshelit në Partinë Radikale të Serbisë, parti e cila mobilizoi qindra e mijëra serbë në luftën kundër myslimanëve në Bosnjë dhe kundër shqiptarëve në Kosovë. Kush beson se politikani i ri Aleksandër Vuçiq nuk ishte aktiv e madje shumë aktiv në organizimin e luftës kundër shqiptarëve, myslimanëve e kroatëve, ai gabon rëndë. Imagjinoni ish-numrin dy të Partisë Socialiste të Shqipërisë, të dorëhequrin e datës 13 qershor, Gramoz Ruçin. Është gënjeshtër e madhe të mendosh se Ruçi nuk ishte në vijën e parë të implementimit të politikave të dhunshme të Rilindjes në këto tetë vite të qeverisjes së saj. E njëjta gjë ka ndodhur gjithashtu me Aleksandër Vuçiqin e Shejshelit dhe Milosheviçit.

Por jo vetëm kaq. Për merita të shquara në luftën kundër myslimanëve të Bosnjës, Aleksandër Vuçiq u gradua në detyrën e ministrit të informacionit gjatë sulmeve barbare të ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë, në vitet 1998-1999. Joschka Fischer e ka konsideruar Milosheviçin si "Hitleri I Ballkanit"! E duke iu referuar krahasimit të ish-ministrit gjerman të Punëve të Jashtme, atëherë i bie që Aleksandër Vuçiq ishte në periudhën e gjenocidit serb në Kosovë në rolin e Hermann Geringut gjerman të kohës së Hitlerit.

Por Reichmarshalli Hermann Gering u dorëzua më tetë maj 1945 te Aleatët (amerikanët). Ai besoi se do të trajtohej si humbës dhe jo si kriminel lufte. Por shpejt e kuptoi se kishte gabuar. Në Gjyqin e Nurenbergut u akuzua për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte dhe më 15 tetor 1946, kur do të zbatohej vendimi për varjen e tij, ai u vetëhelmua me një kapsulë cianuri, e cila i ishte dhënë fshehurazi nga një toger amerikan.

Ndërsa Herman Vuçiç edhe pse përgjegjës direkt për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, prej vitit 2014 udhëheq bisedimet për zgjidhjen e konfliktit me Kosovën. Nuk është hetuar, gjykuar dhe dënuar për krimet e tij në Bosnjë dhe në Kosovë. Ai ishte në vitet 2014-2916 kryeministër dhe prej asaj kohe vazhdon të jetë president i Serbisë. Si ministër informacioni i Milosheviçit hartoi programin e mashtrimit dhe gënjeshtrave të opinionit të brendshëm e të jashtëm për të vërtetën e luftës dhe krimeve serbe në Kosovë. Tani ulet përballë një kryeministri kosovar pa kurrfarë hipoteke morale e politike dhe pa të keq vazhdon gënjeshtrën e radhës se "Ju (kosovarët) doni t'i fitoni të gjitha e ne (serbët) asgjë"!

Hermann Gering ishte marshall në politikë e të njëjtën gjë mbart Aleksandër Vuçiq. Gering u dënua me varje, sepse ngriti kampe përqendrimi dhe mbrojti masakrat e Hitlerit. Aleksandër Vuçiq vijon edhe sot t'i mbrojë masakrat e Milosheviçit. Ndërkaq konsiderohet si "njeriu i paqes" në rajon. Ky status e bën atë agresiv, ndërsa përgjegjësia për krime kundër njerëzimit në Kosovë nuk e lejon që të kërkojë ndjesë për ato krime! Ky është një kontrast i madh midis rastit gjerman dhe rastit të krimeve serbe kudo në Ballkan, përfshirë Kosovën.

Këtë pozicion të tij pa hipotekë duhet ta shfrytëzojë në maksimum Albin Kurti! E njëkohësisht ai duhet që të bëjë të njohur edhe në publikun perëndimor hipotekën e kundërshtarit të tij në bisedime, presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Presidenti serb ishte komod me Hashim Thaçin, sepse së paku e kishte përgatitur opinionin për ta vënë atë nën kompleksin e fajtorit para tij. Por atë që Vuçiq e bëri me Hashim Thaçin duhet ta bëjë kryeministri sotëm i Kosovës kundrejt presidentit të Serbisë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat