Dialogu me armikun-shtetin kriminal serb

Opinione

Dialogu me armikun-shtetin kriminal serb

Nga: Ma. Agim Aliçkaj Më: 14 qershor 2021 Në ora: 20:21
Ma. Agim Aliçkaj

E zgjodha këtë thënie të publicistit dhe politikanit të njohur austriak me prejardhje hebreje, autorit të  dokumentit për krimet serbe të quajtur “Golgota shqiptare”, jo për ta vërtetuar “budallallekun kombëtarë”, por për t’ia treguar vlerat njerëzore të kombit shqiptar botës demokratike. Vlera të cilat i mungojnë kombit serb. Hegjemonizmi, shovenizmi, johumaniteti dhe armiqësia agresive serbe është e hapët dhe plotësisht e dokumentuar. Planet e tyre për çfarosjen e popullit shqiptar dhe grabitjen e tokave shqiptare datojnë që nga Naçertanja e Grashaninit ( 1884 ) dhe memorandumi i Vasa Çubriloviqit “Zhdukja e shqiptarve”( 1937).  Faktet tmerruese dëshmojnë për vrasjet sistematike të popullsisë civile dhe shpërnguljen me dhunë të qindramijërave shqiptarëve në Turqi dhe vende të tjera të botës. Gjithë kjo përpjekje kulmoi me gjenocidin serb ndaj shqiptarve në vitin 1999.

Pas të gjitha këtyre mizorive serbe, shtrohet pyetja, si mund të bisedohet në mënyrë të barabartë me një armik kaq të ulët dhe kaq të rrezikshëm ?! Me një shtet katil të udhëhequr nga politikanë që nuk dallojnë fare nga krimineli i luftës Millosheviq, të cilët nuk janë penduar por janë të dëshpëruar pse nuk ia arritën qëllimit ta zhdukin popullin shqiptar. Qeveria shoveniste serbe e thotë haptas dhe pa kurrëfarë dileme.


SERBIA NUK E NJEH KURRË PAVARËSINË E KOSOVËS.

Kjo është e vetmja deklaratë e tyre e sinqertë. Të gjitha të tjerat, për kinse gatishmërinë e tyre për dialog, janë gënjeshtra dhe propagandë me qëllim të manipulimit të bashkësisë ndërkombëtare. Prandaj qëllimet e ulëta serbe duhen ekspozuar.

Realisht dhe drejtësisht, përderisa pala serbe sillet si armike, duhet edhe të trajtohet si armike. Me te nuk do të duhej biseduar fare, derisa ta pranojë fajin, të kërkojë falje për gjenocid, t’i dorëzojë kriminelët e luftës t’i kthejë të pagjeturit e fshehur dhe t’i paguaj dëmet e luftës. Por, dialogun e kërkon dhe e pret bota demokratike të cilit Qeverisja e Republikës së Kosovës nuk mund t’i iki.

Megjithatë, ai duhet të jetë real dhe i bazuar në fakte, jo për t’ja bërë qejfin dhe shërbyer interesave të bashkësisë ndërkombëtare, jo për ta gjymtuar shtetin e Kosovës dhe zgjeruar shtetin serb, jo për interesa personale karrieriste, jo me përulje dhe nënshtrim siç e bëri qeverisja e gjerëtanishme në krye me Thaçin dhe Mustafën. Disa parime dhe interesa qenësore, njerëzore dhe shtetërore nuk bënë dhe nuk mund të shkelen. Përndryshe, dialogu e humbë kuptimin dhe nuk na duhet fare.

SERBIA MUND DHE DUHET TË MUNDET VETEM ME ZOR.

Me forcën e argumenteve, drejtësisë dhe të së vërtetës. Të gjitha këto janë në anën tonë. Veçse  duhet përgaditje, përkushtim, dituri, mençuri, sinqeritet, trimëri dhe diplomaci për ta fituar këtë betejë shumë të vështirë. Bota demokratike të ballafaqohet me parime dhe vlera të cilat vetë i kultivon dhe i predikon pandalë, të cilat nuk mund t’i nënçmon, mohon dhe nuk mund t’i shkelë haptas. Suksesi mund të arrihet me veprim  paralel në dy drejtime, FORCIMI I SHTETIT DHE DIALOGU.

Ndërtimi dhe forcimi i shtetit të bëhet pavarësisht nga rrjedha e bisedimeve duke u bazuar në mundësinë reale që dialogu me Serbinë do të zgjasë pakufi. Duhet luftimi i pakompromis i korrupsionit, nepotizmit dhe familjarizmit ekstrem. Angazhimi i kuadrove të shkolluara profesionale në bazë të aftësive. Përmirësimi dhe forcimi i të gjitha institucioneve shtetërore dhe ngritja e shërbimeve shëndetësore dhe sociale. Zhvillimi ekonomik i orientuar nga Shqipëria dhe vendet e tjera mike, si dhe ato të cilat nuk tregojnë armiqësi të hapur ndaj shtetit të Kosovës. Forcimi i ligjit dhe sigurisë.

Lehtësimi dhe thjeshtësimi i rregullave dhe ligjeve për investime të jashtme. Këto e forcojnë pozicionin e Kosovës në dialog.

Nuk ka dialog dhe bisedime të suksesshme pa angazhimin  e drejtpërdrejt dhe rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Populli shqiptar e don dhe i beson Amerikës si vendi më i drejt dhe më demokratik në botë. Interesat strategjike të kombit amerikan, shumicës së shteteve evropiane dhe kombit shqiptar përputhen plotësisht. Amerika është i vetmi vend që mund ta bllokojë Rusinë. Për të siguruar përkrahjen e vazhdueshme për çështjen tone të drejtë, me Amerikën duhet  komunikuar dhe bashkëpunuar në mënyrë të përherëshme nëpërmjet  marëdhënieve zyrtare shtetërore, por paralelisht edhe me veprime lobiste në Kongresin amerikan. Shteti amerikan nuk bënë të kundërshtohet, por zyrtarët eventual pro-serb siç ishte ambasadori Grenell, mund të ballafaqohen dhe neutralizohen nëpërmjet kongresit amerikan me fakte dhe argumenta.

Marrëveshja e tij për kinse “normalizim të marrëdhënieve ekonomike” midis agresorit dhe viktimës, ishte iluzion për interesa të kampanjës zgjedhore amerikane.

Nuk ka forcë në botë, që mund t’ja imponojë zgjidhjen e konfliktit me Serbinë popullit të Kosovës në dëm të tij, pa dëshirën e tij. Një ndër gabimet më të mëdha historike në konfrontim me Serbinë është se populli shqiptar ka rezistuar gjithmonë në mbrojtje, si përgjigje ndaj terrorit të organizuar serb, pa plan dhe pa strategji. Tashti janë pjekur të gjitha kushtet që të kalohet në sulm të përhershëm, duke filluar nga dialogu. Me strategji të përgaditur mirë duke bërë kompromise në gjëra më të vogla e më pak të rëndësishme dhe duke ngulur këmbë në çështje të mëdha, ekzistenciale. 

-Integriteti territorial dhe sovraniteti i shtetit të Kosovës nuk mund të negociohet nga askush dhe me askend.

Dhe: PIKË. PERIOD. TAÇKA.  (për ta kuptuar të gjitha palët)

-Kërkesat serbe për asociacione të komunave të pastërta etnike brenda shtetit të Kosovës janë pa kurrëfarë baze dhe kundër vlerave multi-etnike amerikane dhe evropiane. Ato e nënkuptojnë kthimin e Serbisë në Kosovë dhe shkatërrimin e shtetit. Nuk bënë as të diskutohen.

PIKË. PERIOD. TAÇKA.

-Serbia e ka humbur luftën dhe duhet të dënohet si agresore, të denazifikohet dhe shërohet nga  sëmundja e urrejtjes dhe iluzioneve për dominim.

-Bisha e tërbuar serbe duhet të ulet në bisht. Të konfrontohet me krimet dhe masakrat ç’njerëzore, në mënyra të ndryshme dhe të përhershme, përfshirë edhe dialogun, deri sa të bëhet e mundur padia ndërkombëtare për gjenocid. Duhet kërkuar hulumtimin e rolit të presidentit Vuçiq dhe të disa politikanëve të tjerë serb në krimet serbe. Atyre iu duhet bërë presion për tu deklaruar në përkrahje ose denoncim të krimeve të Milosheviqit, Karaxhiqit dhe Mladiqit.

- Shpresoj se Evropa është lodhur me përkdheljen e Serbisë me të cilën e ka kaluar çdo kufi.  Nëse dëshiron deri në vuajtje ta tërhjekë ate nga taborri ruso-kinez, gjë që është shumë e vështirë, mund t’i ofrojë  asaj diçka tjetër, jo tokat shqiptare.

-Me Serbinë mund të bisedohet vetëm për çështje ndërshtetërore, kurrsesi për punët e brendshme të shtetit të Kosovës.

-Brengat dhe të drejtat e pakicës serbe të Kosovës duhet të adresohen në mënyrë të përhershme duke biseduar me përfaqësuesit e tyre nga Kosova në prezencë ndërkombëtare (jo të Rusisë), kurrsesi nga Serbia. Nëse mediatorët insistojnë që këto të jenë pjesë e dialogut me Serbinë, mund të bëhet vetëm dhe vetëm me përfshirjen në mënyrë të barabartë të shqiptarëve që jetojnë në tokat etnike të okupuara nga Serbia. Këtu vjen në shprehje reciprociteti dhe nuk ka tjetër.

- Reciprociteti ekonomik e ka rëndësinë më të madhe në rast të dështimit të bisedimeve dhe mund të bëhet kurdo, nuk i kalon koha. Kritikat e opozitës për mospërmbushjen e premtimit për reciprocitet si dhe pagesën e rrymës minoritetit serb nga qeveria Kurti, duhet injoruar. Pagesa e rrymës mund të përdoret në bisedime për t’ju treguar mediatorëve se serbët kanë të drejta më të mëdha se ju takojnë, më shumë se çdo minoritet tjetër në botë.

- Nuk ka nevojë as kurrëfarë arsye për të siguruar ekstraterritorialitet për objektet fetare ortodokse dhe monumentet kulturore. Ato janë pjesë e pasurisë kombëtare dhe shtetërore të Kosovës. Janë ruajtur dhe mbrojtur nga populli shqiptar gjatë gjithë historisë. Për këto ka fakte. Duhet kërkuar të formohet komision i përbashkët me historianë dhe shkenctarë ndërkombëtar që njëherë e përgjithmonë t’i mbyllet goja Serbisë për kinse Kosovën si “djep të civilizimit serb dhe pjesë të Serbisë”. Rëndësi ka që përfundimisht të dokumentohet dhe pranohet zyrtarisht e vërteta historike se, siç e thotë më së miri patrioti Bardhyl Mahmuti,

KOSOVA ËSHTË DJEPI I BARBARISË DHE I GJENOCIDIT SERB NDAJ SHQIPTARËVE.

Këto nuk janë gjëra të lehta. Janë detyrë, së pari e qeverisjes aktuale të Kosovës, por edhe e të gjithë të tjerëve, opozitës, gazetarve, shkrimtarve, historianve, lobistëve dhe organizatave të ndryshme në të gjitha Trojet etnike dhe diasporë. Qeveria Kurti i ka filluar mirë përgaditjet për dialog, me uljen e Serbisë aty ku duhet, në karrigen e agresorit, në Kombe të bashkuara dhe në takime rajonale.  Konsultimet me opozitën dhe figurat e rëndësishme me përvojë janë të nevojshme. Kontributi varet prej tyre, por është mirë ta dijnë se e kanë detyrë kombëtare për të ndihmuar. Opozita duhet të jetë pjesë e dialogut, por të dërgojë kuadro të reja dhe të afta, kurrsesi ata që me bisedime gati e shkatërruan shtetin.

Populli i Republikës së Dardanisë i votoi me shumicë znj. Vjosa Osmani- Presidente dhe, Z. Albin Kurti-Kryeminister, për shumë arsye. Dy ishin pika kryesore, luftimi i korrupsionit dhe i armikut serb. Nga ata pritet fitimi i dialogut me Serbinë, si dhe shpëtimi dhe ndërtimi i shtetit të Kosovës. Nëse dështojnë në cilëndo prej tyre ata do ta humbin përkrahjen e popullit. Kritikat parimore të opozitës dhe kundërshtarëve politik është mirë të konsiderohen, të analizohen dhe të iu jepet përgjigje adekuate. Sharjet, fyerjet, ofendimet dhe kritikat joparimore është më së miri dhe më lehti të injorohen plotësisht.

Grumbullimi i opozitës së Republikës së Kosovës në “oborrin” e kryeministrit të sapozgjedhur (me dallavere) të Shqipërisë, Edi Rama, është i çuditëshëm dhe tregon shenja të këqija. Veprimet e tij të gjerëtanishme ishin haptazi anti-kombëtare, nënshtrim i tij i plotë dhe i turpshëm ndaj  shovinistit Vuçiq dhe interesave serbe. Nëse vazhdon kështu ai do të përfundoi në “Murin e Turpit” të historisë shqiptare. Bashkë me te edhe një pjesë e opozitës së Kosovës.

Inkurajon këndshëm mosprezenca e liderit të ri, të mënçur dhe largëpamës të LDK-së, z. Lumir Abdixhiku. Nga ana tjetër, ishte dëshpëruese pjesëmarrja e luftarit të vërtetë të lirisë, gjeneralit të Ushtrisë së Lavdishme Çlirimtare të Kosovës, liderit të AAK-së, z. Ramush Haradinaj. Arësyeja e vërtetë nuk dihet, por ai nuk e ka vendin të shoqërohet me tipa si Rama, Mustafa dhe Veliu.

Kërcënimet e shovenistëve serb me luftë, janë të zbrazëta, naive dhe qesharake. Me hyrjen e forcave të NATO-s luftat në Evropën Juglindore kanë përfunduar përgjithmonë. Është më reale të pritet vazhdimi i aktivitetit armiqësor serb me  metoda të ndryshme, duke shfrytëzuar objektet fetare dhe kërkesat e minoritetit serb, përfshirë edhe trazirat eventuale nga bandat e infiltruara brenda tij në disa pjesë të Kosovës. Por, kombi shqiptar duhet të jetë i përgaditur, gjithmonë gati për tu mbrojtur me forcë nëse guxon ta sulmojë Serbia. UÇK-ja e heroit Adem Jashari dhe etja për liri nuk shuhen kurrë në zemrat, shpirtin dhe mendjen e shqiptarëve.     

E vërteta është se nëse populli i Dardanisë dhe Trojeve të tjera shqiptare, organizohet dhe reagojnë si komb, është më i fortë se Serbia. E ka përkrahjen e pafund dhe parezervë të mërgatës patriotike, shumë të fuqishme. Punë e madhe fort nëse Republiken e Kosovës nuk e njeh Serbia.

Vetëm në kohën më të re, për dy dekada që nga viti 1981, Kosova ka qëndruar, ekzistuar dhe mbijetuar terrorin institucional serb. Për dy dekada të tjera, që nga çlirimi dhe fitorja e luftës kundër regjimit serb në vitin 1999, ka vazhduar jetën pa njohje nga Serbia, edhe pse me qeverisje të pahajrit, përveç kohës së Presidentit historik dr. Ibrahim Rugova. Me qeverisje të hajrit Kosova mund të ecë në rrugën e vet të lavdishme, pa njohje nga Serbia, për sa të ekzistojë bota.

Reagimi si komb e nënkupton edhe angazhimin e të gjithëve në drejtim të bashkimit kombëtarë i cili ishte dhe është dëshirë dhe ideal i patriotëve më të mëdhenj të kombit. Është nevojë dhe e drejtë legjitime e çdo kombi, sidomos e popullit shqiptar të ndarë padrejtësisht në 6 shtete. Këte e di fare mirë Evropa dhe Amerika. Shqiptarët nuk kanë nevojë të kërkojnë ndryshim të kufijve me forcë, gjë që nuk e përkrahë bota demokratike. Bashkimi kombëtar mund të arrihet gradualisht, në mënyrë paqësore, duke hequr barrierat shtetërore, me lëvizje të lirë dhe bashkëpunim në të gjitha nivelet.

Ky nuk mund të krahasohet kurrë me projektin e errët serb për “Serbi të madhe” duke vrarë e masakruar qindra-mijëra njerëz me qëllim të grabitjes së tokave të tyre.

Kombi shqiptar është komb i lashtë me traditë dhe vlera të larta njerëzore, i papërkulur dhe i pathyeshëm.

*Anëtarë i Kryesisë së Ligës Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Vatrës

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat