Albin, megjithatë vendose që të vish shpesh në Bruksel

Opinione

Albin, megjithatë vendose që të vish shpesh në Bruksel

Ekrem Krasniqi Nga Ekrem Krasniqi Më 15 qershor 2021 Në ora: 17:30
Ekrem Krasniqi

Kujdes nga karota e vizave që po e flasin nga fundi i Prillit ministri i jashtëm gjerman Heiko Maas dhe Josep Borrell.

Binde elektoratin tënd dhe qytetarët e Kosovës se rreziku i kompromisit dhe associaonit në thelb të tij është më i rrezikshëm për Kosovën për nga pesha sesa të mirat e liberalizimit të vizave për ta.

Kushtëzoja BE-së ardhjet në Bruksel për negociata me Vuçiçin me heqjen e vizave së pari.

Mos u modero Albin, merre aty në zyre afër teje edhe « Albinin e dikurshëm opozitar ». Ai ka përplot ide... 

Kushtëzoja BE-së dhe Vuçiçit ardhjen në Bruksel edhe me dërgimin e kriminelëve serbë në gjykatën speciale. Kërko nga krye-prokurori Jack Smith që të merret me vrasësit serbë, që po i mbron Vuçiçi… 

Takimi i 15 qershorit me Vuçiçin: 

Edhe pse Kryeministri Albin Kurti mund të lavdërohet për idetë dhe propozimet e tija të bëra sot në Bruksel në takim me Vuçiçin, megjithatë ai ia ofroi një penalti opozitës meqë është futur në negociata pa asnjë kusht paraprak për të cilin ai dhe Vetëvendosja ishin aq të zëshëm sa ishin në opozitë plot 10 vite që kur filloi ky maratonë i ndërmjetësuar nga BE dhe i mbështetur nga SHBA. 

Teknikisht, si dhe nga aspekti kohor po duket se negociatat i janë ngjitur Kurtit lartë në krye të listës së përparësive dhe tashmë nuk po dihet se cila është konkretisht renditja e tyre. 

Tash për tash, teknikisht gjithnjë, ardhja-shkuarja e Kurtit për dialog/negociata në Bruksel po i ngjanë qasjes të të gjithë të tjerëve, por më pak nga përmbajtja. 

Tentimet për të ndryshuar rendin e ditës në tryezën e ofruar nga Borrell dhe Lajçak, duken interesante, por nëse Kurti po kërkon arsye që Vuçiç të jetë shkaktari i dështimit të dialogut, kjo edhe mund t’i kthehet si kundërgoditje, sepse Vuçiç dhe Borrell e Lajçak janë të një mendimi për rendin e ditës, dhe pastaj të dy zyrtarët e BE-së mund ta fajësojnë Kurtin... 

Nëse Kurti është duke kërkuar që ta ndryshojë tërë konceptin e negociatave, atëherë ai ka çka të përdorë mjaft çështje të tjera të rëndësisë së madhe edhe për qytetarët e Kosovës, por për këtë atij i duhet edhe përkrahja e qytetarëve të Kosovës dhe sidomos vendosmëria e fortë e tyre. 

Si të pasurohet strategjia e Kurtit për dialogun/negociatat e vështira? 

Personalisht mendoj se Kurti do të duhej që ta pasurojë strategjinë e tij për të forcuar pozitën e tij në këto negociata por edhe brenda në Kosovës, duke insistuar që krye-prokurori i gjykatës speciale, Jack Smith të merret me gjeneralët, oficerët, ushtarët e policët vrasës e t’i dërgoj edhe ata në Hagë, përfshirë edhe Vuçiçin si dëshmitar-ministër i Sllobodan Millosheviqit. 

Kurti duhet që të insistojë që BE dhe SHBA t’ia ndryshojnë mendjen Jack Smithit tash pa vonesë, për t’ia prishur komoditetin Vuçiçit i cili po i mbron kriminelët shokë të tij të atëhershëm dhe të tashëm që kanë bërë krime lufte në Kosovë. 

Propozimi për SEFTA, është ide interesante, por tentimi i Kurtit që këtë temë ta fus në negociata me Serbinë, më duket i çuditshëm, meqë ai ka të bëjë me tregti dhe qarkullim të lirë njerëzish. Ai së pari është dashur që këtë ta bisedojë me Edi Ramën, Zoran Zaevin…e jo ta bëjë publike për herë të parë aty në Samitin e Tiranës e pastaj ende pa marrë përgjegje të qartë të vie në Bruksel e t’ia propozojë edhe Vuçiçit si pjesë të rendit të ditës për negociata krejt të një karakteri tjetër. 

Presioni jo korrekt nga BE dhe SHBA:

Kurti ndodhet dhe do të ndodhet në presion edhe më të rreptë nga BE dhe SHBA për ta themeluar autonominë (Asociacionin e Komunave Serbe) dhe ai pritet që të joshet me liberalizimin e vizave nga aktorët kryesor të BE-së.  

Kjo joshje edhe po ndodhë tashmë, edhe pse ato nuk ka gjasë që të hiqen para zgjedhjeve në Francë (Maj 2022). 

Ministri i jashtëm gjerman, Heiko Mass, tashmë e ka nisur këtë karotë që ta bëjë publike, edhe pse ministri i brendshëm gjerman Horst Seehofer ende ka mospajtime me vlerësimin pozitiv të Komisionin Evropian. 

Borrell dhe Lajçak tashmë janë pjesë e kësaj karote tinzare të nisur nga Maas dhe presioni indirekt që Berlini dhe Brukseli ia kanë hedhur para publikut në Kosovë dhe sidomos Kurtit që nga Prilli. 

Me këtë lloj strategjie komunikimi ministria e jashtme gjermane dhe Brukseli, po tentojnë ta thyejnë Kurtin përbrenda, sepse besojnë se shumica dërmuese e qytetarëve e do heqjen e vizave me çdo kusht dhe besojnë se ata nuk brengosen për rrezikun që pritet t’i sjellë Kosovës autonomia e asociacionit të nënshkruar nga Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa. 

Destruktiviteti i opozitës: 

Shto edhe presionin destruktiv që Kurtit i vjen nga opozita, në rrethana të këtilla Kurtit gradualisht do t’i vështirësohet pozita përgjatë negociatave në Bruksel.  

Opozita, tash për tash nuk ka kërkesë unike se çfarë kërkon nga Kurti përgjatë negociatave. Një pjesë e saj i kërkojnë kompromis, e një pjesë tjetër ia përkujtojnë qëndrimet e tij kur nuk ishte në qeveri. Pjesa tjetër e opozitës nganjëherë ia përkujtojnë dhe ia kërkojnë që të dyat, varësisht se cilën ditë flasin pjestarët e saj.. 

Prandaj, mos eja shpesh në Bruksel Albin, por tento ta ruash besnikërinë e elektoratit tënd dhe të Vjosa Osmanit dhe u thuaj qytetarëve të Kosovës përditë se sa e rrezikshme është « Zajednica » dhe sa i parëndësishëm është liberalizimi i vizave përballë këtij rreziku i cili do të shkatërrojë Kosovën gradualisht, dhe sidomos atëherë kur Serbia do të hynte në BE dhe do ta ketë fuqinë e vetos për t’ia bllokuar rrugën Kosovës për në BE. 

Dhe mbi të gjitha, mos u dorëzo as para karotave as para presioneve, sepse po e bërë Kosovën si Bosnja, do të mbahesh në mend si i tillë, e ata që ia hapën derën kësaj me 2013 dhe 2015 do të harroheshin. Mbylle derën e hapur nga Thaçi dhe Mustafa. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat