Albin Kurti ndodhet në mes dy zjarreve

Opinione

Albin Kurti ndodhet në mes dy zjarreve

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 22 qershor 2021 Në ora: 08:01
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ndodhet në një situatë të vështirë politike, thënë troq ndodhet mes dy zjarreve: SHBA dhe Asociacioni. Prakitikisht këto të dyja aktualisht ndodhën në një situatë thuajse të njëtrajtshme, me ambasadorin amerikan në Kosovë që bën thirrje që Asociacioni të miratohet ashtu siç ishte miratuar në vitin 2015. Edhe pse thuhet se Asociacioni me shumicë serbe s'do të ketë kompetenca ekskluzive, vet fakti se bëhen në baza etnike është ekskluzive.

Kjo gjë s'do koment tani, qeveria e Kosovës, respektivisht Albin Kurti ndodhet në një moment shumë të rëndësishëm të tij politik, përballë refuzimit ketegorik që i ka bërë Asociacionit dhe presionit të madh amerikan në të tashmen, për të pranuar atë siç është me ngushëllimin se “Asociacioni nuk filloi me qeverinë aktuale”, të pamjaftueshme për të bindur opinionin dhe kritikët se nuk iu qëndrojë pas kauzës se “s'do të ketë asociacion në baza etnike”.

I ndodhur përballë këtij realiteti, Albin Kurti ndodhet në një situatë aspak të favorshme, shto këtu edhe opozitën në Kosovë. Opozita nëse mendon se Asociacioni është i dëmshëm, duhet ta ndihmojë kryeministrin në tentativat që mos të bëhet, nëse mendon se nuk i prish punë Kosovës, atëherë duhet ta thotë hapur. Opozita duhet të flas hapur për Asociacionin, të dalë nga egot meskine në kafenetë, bufetë dhe llafeve tinëzare.

Nuk është në pyetje fati politik i Albin Kurtit dhe as i qeverisë, këtu po luhet me fatin e Kosovës, me gjenezën e saj të krijimit, me embrionin e saj qelizor, diçka të cilën duhet ta kuptojnë të gjithë. Asociacioni një etnik është i dëmshëm për vendin, në formë të tillë ekziston edhe në Bosnje, një shtet që s'po ecën dot, ka ngelur në vend, edhe më keq do të jetë në Kosovë nëse ndodh Asociacioni me komuna serbe, të cilët pastaj do të jenë republika pothuajse në të gjithë vendin, me të drejta ekskluzive, duke cenuar në esencë të saj krijimin e shtetit.

Albini s'ka pse të bëjë “luftë” me SHBA-të me ndihmë edhe të intelektualëve shqiptarë në SHBA, por edhe të unitetit të brendshëm në Kosovë, t’i shpjegohen shumë qartë dhe mirë SHBA-ve synimet e Serbisë dhe të Rusisë që përmes Asociacionit synohet të krijohet Serbia e Madhe, një ëndërr e kamotshme serbe. Ky është projekti i tyre, me Kosovën që përdoret si mjet për të arritur qëllimet e tyre fashiste. Si qytetar i këtij vendi, nuk më intereson a forcohet apo jo Albini dhe qeveria nëse nuk pranojnë kompromise dhe bien nga pushteti, më intereson që pavarësia e shpallur me 17 shkurt 2008 mos të cenohet, të ruhet tërësia e saj territorial, ndryshe po u fillua të cenohet pavarësia, s'dihet pastaj ku ndalet.

Edhe vet Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë marrëveshjen për Asociacion, e cila cenon në substancë sovranitetin e vendit. Me opozitën në krah të SHBA-ve dhe me presionin e madh të kësaj të fundit, Albin Kurti ndodhet në një situatë shumë të vështirë, e cila mund ta rrëzojë nga pushteti, me zgjedhjet e ardhshme (hipotetike), e të cilat përsëri do t'i fitojë. Humbësi më i madh mbetet qytetari i vendit, që vuan nga vendimet e gabuara të udhëheqësve të tyre, të atyre që nuk ishin të ndërgjegjshëm se çfarë po nënshkruanin. Pasojat janë këto që sot po i vuajmë dhe do t’i vuajmë edhe në të ardhmen.

E nxehtë do të jetë kjo verë, akoma më e nxehtë do të jetë vjeshta politike, që mund të sjell situatë nga më të papriturat. Qeveria duhet të jetë fleksibile, të gjejë mënyra të ndryshme për të kundërshtuar edhe të ruajë raportet me SHBA-të edhe Asociacioni mos të formohet në baza etnike, ndryshe ajo rrezikon edhe të krijohet Asociacioni, edhe të trazohet situate politike. Duhet durim, përgjegjësi dhe mendje të ndritur për të dalë nga kjo situatë e vështirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat