Ringjallja e frikshme e nacionalizmit ekstrem të Serbisë!

Opinione

Ringjallja e frikshme e nacionalizmit ekstrem të Serbisë!

Prof. As. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Nga Prof. As. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Më 22 korrik 2021 Në ora: 19:29
Albin Kurti, Aleksandar Vuçiq; foto ilustrim nga "Bota sot"

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandër Vulin, para pak ditësh bëri një deklaratë si kjo: “Në mënyrë që ‘Bota serbe’ të bëhet, Serbia duhet të jetë e suksesshme ekonomikisht, Serbia duhet të udhëhiqet mirë, duhet të ketë një ushtri që është në gjendje ta ruajë vet Serbinë dhe serbët kudo që jetojnë”.

Në vitin 1987 Millosheviçi gjatë një vizite në Kosovë pati bërë të njëjtin paralajmërim në mbrojtje të serbëve, si edhe sot Aleksandër Vulin. Ai thoshte atëherë se “Askush nuk do të guxojë të dhunojë qoftë edhe një serb, kudo që ndodhet ai”! Edhe kjo deklaratë e diktatorit serb bëhej asokohe me pretendimin e rremë se “shqiptarët kryejnë gjenocid kundër serbëve në Kosovë”, ndërkohë që ndodhte e kundërta!

Ndërsa në mars të vitit 2014, kur presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, pushtoi Krimenë dhe nisi provokacionet ushtarake në lindje të Ukrainës, deklaroi se “Rusia ka të drejtë të ndërhyjë kudo ku jetojnë rusë”, duke kërcënuar jo vetëm Ukrainën, por edhe Moldavinë, Lituaninë, Letoninë, Estoninë dhe vende të tjera të pavarura. Me Gjeorgjinë kishte mbaruar punë sipas kësaj filozofie në vitin 2008.

E gjithë kjo psikozë e përhapjes së luftërave dhe konflikteve e ka zanafillën e saj te atentati i 28 qershorit 1914 kundër Princit Austro Hungarez, Ferdinand dhe gruas së tij, Sofisë. Në atë atentat të marrë përsipër nga terroristi serb, Gabrilo, ishte pjesëmarrës edhe i riu Vasa Çubrilloviç, më vonë ministër dhe akademik në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Serbisë, si dhe autor i manifestit racist “Shpërngulja e Shqiptarëve” i promovuar më 7 mars 1937 në Beograd. Ndërkaq Aleksandër Vulin në deklarimin e tij thekson se pjesë dhe autor i këtij plani të “përkujdesjes” ushtarake ndaj serbëve që jetojnë jashtë Serbisë është vetë presidenti, Aleksandër Vuçiq.

I përshkrova momentet kryesore të deklarimeve ultranacionaliste për të dëshmuar se ato detyrimisht çojnë në destabilizimin e shteteve dhe rajoneve, si dhe cenojnë paqen e sigurinë. Ministri serb i Punëve të Brendshme është përfaqësues i Partisë Socialiste të Serbisë, themeluar dhe udhëhequr nga Sllobodan Millosheviç. Ndaj deklarata e tij duhet marrë shumë seriozisht, sepse është pjesë e platformës së ish kasapit të Ballkanit. Kjo është arsyeja pse Kosova, vendet e rajonit dhe bashkësia ndërkombëtare do të duhet të kërkojnë me insistim që Serbia të njohë e të reflektojë për të kaluarën e saj kriminale.

Janë të njohura deklarimet e ish-diktatorit të Serbisë, Millosheviç, në vitin 1989 në mitingun e madh në Fushë Kosovë me rastin e 600 vjetorit të Betejës së Fushë Kosovës dhe manipulimet e tij me mitet serbe në funksion të luftës dhe konflikteve në ish-Jugosllavi. Është i njohur fakti se Millosheviçi e ndërtoi skemën nacionaliste të këtyre konflikteve me qëllim që të realizojë sundimin e Jugosllavisë nga Serbia ose së paku ndërtimin e një Serbie të Madhe.

Lufta në Kroaci, në Bosnjë-Hercegovinë dhe ajo në Kosovë ishin instrumente të filozofisë së ndërhyrjes së ushtrisë serbe në çdo rajon e republikë jugosllave, ku banonin serbët. Vetëm Maqedonia nuk u bë pre e sulmeve ushtarake të Serbisë për shkak të pranisë së NATO-s në këtë vend. Ndërsa Mali i Zi e shpalli pavarësinë e tij 6 vite mbasi Sllobodan Milosheviç kishte përfunduar në Hagë dhe në kushtet kur Serbia vuante ende pasojat e bombardimeve të Aleancës Atlantike.

Në kohët e sotme udhëheqësit serbë kanë filluar të besojnë se për Serbinë kanë mbërritur ditë të arta. Presidenti dhe bashkëpunëtorët e tij në Beograd flasin çdo ditë për “forcën ushtarake”, për “epërsinë e Serbisë në rajon” për atë që përmendi para dy ditësh vetë Aleksandër Vuçiq se “Serbia nuk është e madhe, por nuk është as e vogël”! Pra, në çdo rast udhëheqësit serbë po tregojnë forcën e po nxjerrin dhëmbët për të trembur dhe kërcënuar popujt dhe shtetet e tjera të dala nga ish-Jugosllavia, para së gjithash Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën, por edhe Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Për momentin platforma e “mbrojtjes me ushtri” të minoriteteve dhe komuniteteve serbe jashtë kufijve të Serbisë duket utopi. Por utopitë shndërrohen në fiksione dhe pas kësaj në mite. Ato shërbejnë për të unifikuar qytetarët e një kombi të manipuluar me nacionalizëm e racizëm dhe më pas, nëse lejojnë rrethanat, për të vepruar me një platformë të përcaktuar në konfliktin e radhës. Duket qartë se politikanët e sotëm të Beogradit duan ta mbajnë ndezur atmosferën e militarizimit të shoqërisë serbe si dhe homogjenizimin nacionalist të kësaj shoqërie.

Serbia nuk e ka të lehtë ndërhyrjen ushtarake për të realizuar atë që ajo e quan “mbrojtje të etnisë serbe” në shtetet rreth saj. Kjo sepse Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë anëtare të NATO-s. Ndërsa NATO dhe trupat e saj të KFOR-it janë ende në Kosovë. Por deklarime të tilla mbajnë të karikuar një energji konfliktuale në rajon dhe shuan çdo shpresë për angazhimin e saj për zgjidhjen përfundimtare të konflikteve të pazgjidhura. Konfliktet e fundit të shekullit të kaluar filluan në vitin 1987 dhe vijuan derisa u shpërbe Jugosllavia, për të kaluar në veprime të dhunshme dhe kryerjen e krimeve masive kundër njerëzimit ose të gjenocidit serb kundër popujve të tjerë.

Historikisht Serbia njihet si autore e të gjitha konflikteve që kanë ndodhur në Ballkan nga viti 1876 e deri në vitin 1999. Ajo ka mbijetuar dhe është shndërruar në lidere të rajonit për shkak të luftërave, spastrimeve etnike, masakrave dhe tmerreve që ka shkaktuar te popujt jo-serbë. Kjo psikologji dhe ky mentalitet shfaqet sot në deklarimet e ministrit të Punëve të Brendshme, Vulin, presidentit të Serbisë, Vuçiq si dhe të kreut të Kuvendit, Daçiç. Dhe është e natyrshme të ndodh kësisoj, potë kemi parasysh faktin se të tre këta ishin aktivë dhe pjesëmarrës në masakrat, luftërat dhe konfliktet e dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit të XX në ish-Jugosllavi. Ndaj dhe deklarime të tilla duhen shënuar si kërcënim për paqen e stabilitetin e rajonit e do të duhet të shërbejnë si indicie për të hapur hetimin për krimet që ata kanë kryer kundër kroatëve, myslimanëve boshnjakë dhe sidomos kundër shqiptarëve në Kosovë!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat