Ah bre mërgimtar...! Malli ju kthye në pikëllim...

Opinione

Ah bre mërgimtar...! Malli ju kthye në pikëllim...

Nga: Hasan Qyqalla Më: 25 korrik 2021 Në ora: 16:29
Hasan Qyqalla

Mërgimtarët mezi pritën këtë vit të kthehen për pushime në ATDHE. Shpirti i tyre zhuritej nga malli. Mezi prisnin që pas dy viteve të vijnë në vendlindje. Të çmallen me më të dashurit e zemrës, të prekin çdo pëllëmbë të avllisë, të përqafojnë edhe rrapin e vjetër që i përballoi sfidat e ngeli pengu i shenjtë që nga dita e ndarjes. Autobusi po çante horizontin drejt Dardanisë antike. Shumë nga udhëtarët koten nga lodhja, nga pagjumësia...

Dhe sa mbyllnin sytë, ëndërronin prindërit, gjyshërit, motrat apo vëllezërit që i prisnin tek porta e avllisë së moçme, me lot malli e gëzimi. Por Agun e sotëm nuk e zbardhën as rrezet e Diellit mbi re. U nxinë retë shtigjeve drejt vendlindjes. Ah sa rëndë peshon çasti pikëllues! Na çau zemrën! Na thau damarët e gjakut!

Mundin e djersën e lamë metropoleve perëndimore, për një kafshatë goje, për një ndihmë materiale për më të dashurit në vendlindje, për një jetë më të mirë për vete e familjen. Mërgimtarët u bënë "kurban" për familjen, shoqërinë, për Kosovën tonë të dashur. Tani edhe pjesët e trupit i gjejmë autostradave të gjata, fushave të paanë, valëve të detit, kantiereve të ndërtimit, shtigjeve të (mos)kthimit!

Ah bre mërgimtarë, nuk arritët ta prekni edhe njëherë dheun e vendlindjes, të lotoni cep më cep rrugicave të rritës, të çmalleni me mallin e MËMËDHEUT, që e bartni përherë më vete, si NËNA lehonë. Ah bre mërgimtarë, edhe retë e Kosovës janë nxirë sot! Lotojnë gjithandej hapësirat tona, të gjuhës, ashtit e gjakut. Pikëllim, pikëllim, pikëllim...

I lehtë ju qoftë DHEU I KOSOVËS! AMEN...

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat