Jastëkët e nënavet, të larë me lot

Opinione

Jastëkët e nënavet, të larë me lot

Nga: Gjokë Dabaj Më: 27 korrik 2021 Në ora: 23:55
Gjokë Dabaj

U dha njoftimi që do të deportohen nga Mbretëria e Bashkuar, që disa i thonë Angli e të tjerë Britani e Madhe, për në Republikën e Shqipërisë, 1400 të burgosur shqiptarë. Njëmijë e katërqind!  Sigurisht që dhimbja e parë, thikë që ther në tru, do të shkojë, siç ka shkuar që kur janë burgosur, te familjet e atyre të burgosurve. 

Nënat, në qoftë se i kanë gjallë, motrat, etërit, vëllezërit. Dhimbja e dytë, e rëndë, do të jetë për ata vetë: Ç’ju desh, o djem, që u hytë atyre punëve?! Por mendja e njeriut nuk ndalet aty. Ç’po bëhet me shtetin e madh, me nam në histori, që quhet Mbretëri e Bashkuar?! Sepse dihet që atje nuk burgosen vetëm shqiptarët. Shqiptarë të burgosur qenkan 1400! Mund të jenë proporcionalisht më shumë se të kombevet të tjerë, por nuk është e mundur që burgjet e asaj Mbretërie të jenë hapur dhe të funksionojnë vetëm për shqiptarët. Sa britanikë ka nëpër ata burgje?! Sa irlandezë?! Sa indianë?! Sa egjiptianë?! Sa polakë?! Sa bullgarë?! Sa rusë?! Sa sërbë?! Sa sirianë?! Sa egjiptianë?! Sa spanjollë?! Sa italianë?! Sa gjermanë?! Sa rumunë?! Sa algjerianë?! Sa tunizianë?! Sa libianë?! Sa nigerianë?! Sa afrikano-jugorë?! Sa kinezë?! Sa kolumbianë?! Sa argjentinas?! Sa bolivianë?! Sa kubanë?! Sa shtetas të SHBA-së?! Sa kanadezë?! Sa indonezianë?! Sa irakenë?! Sa ukrainas?! Sa bjellorusë?! 

Kur ka 1400 shqiptarë, të caktuar për deportim, nuk është e mundur të mos ketë edhe të paktën nga kaq prej shtetevet të tjerë. Po edhe sikur sa gjysma e këtyre të ketë prej secilit popull që i përmenda, përsëri burgu i Britanisë së Madhe do ta meritonte plotësisht cilësimin "burg i kombevet". A është vetë Mbretëria e Bashkuar burg i kombevet, në këtë kuptim që e thashë, apo s’është, do të ish tepër e nevojshme që, kur të na thuhet se po deportohen 1400 të burgosur shqiptarë, të na jepeshin edhe shifrat e të burgosurvet të tjerë. Sa të burgosur të tjerë joshqiptarë ka në atë vend?! Sepse, përndryshe, ne shqiptarët do ta ndjejmë veten tejet të poshtëruar.

Unë, si pjesëtar i kombit shqiptar, e kërkoj një informim të tillë të plotë. Mos e nxirrni kombin tonë si delen e zezë! Na thoni: Sa të tjerë keni rrasur nëpër burgje në shtetin tuaj demokratik?! 

E tash, për të mos e lënë vetëm Mbretërinë e Bashkuar, unë po bëj edhe këto pyetje: Sa të ngarkuar janë, përveçse me shtetas të vet, edhe me shtetas të huaj, burgjet e Gjermanisë, Francës, Spanjës, Italisë, Greqisë, Zvicrës, Belgjikës, Hollandës, Polonisë, Çekisë, Kroacisë, Sllovenisë, Sllovakisë, Hungarisë, a cilitdo shtet tjetër të botës që ne e kemi ëndërr për t'u bërë të lumtur si ata?!

Na i thoni këto gjëra, që të mos mbetemi të painformuar dhe na e thoni shkoqur: Bota e sotme, e prirë pikërisht nga ky Perendim Demokratik, a është botë e lirë apo botë burgjesh?! Sepse, vetëm sonte, 1400 nëna shqiptare do t'i lajnë me lot jastëkët e shtrojevet të tyre të mosfjetjes!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat