Kosova është kocka që ia thyen dhëmbët Edi Ramës!

Opinione

Kosova është kocka që ia thyen dhëmbët Edi Ramës!

Enver Bytyçi Nga Enver Bytyçi Më 16 shtator 2021 Në ora: 21:56
Edi Rama

"Kosova nuk duhet të jetojë me konspiracionin anti-Open Balkan", tha Edi Rama në konferencën e shtypit me kancelaren Angela Merkel në Tiranë të martën e kaluar. "Konspiracion anti-Open Balkan"!!! A ishte ky një paralajmërim se zoti Kurti për këtë lloj "konspiracioni" do të shpallet non grata nga Serbia dhe aleatët e saj, përfshirë Edi Ramën?! Se Edi Rama lobon me formulën e konspiracioneve anti…, edhe kur shqiptarët mbrojnë territoret dhe interesat e kombit të tyre, kjo është e ditur nga ajo që ndodhi me Sali Berishën! Por a po paralajmëron ai aventura të reja, duke e sharë gjysmën e kombit në gjuhën angleze, pra në prani të kancelares gjermane?! Ndërkohë që i kërkon kundërshtarëve të tij që "Shqipëria (d.m.th qeveria e tij) të mos shahet në anglisht"! Intrigë dhe hipokrizi e tejskajshme!

Ai po përpiqet, por pa sukses! Kosova, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani janë kocka, të cilat nuk i thyejnë bashkëpunëtorët e Serbisë, si Edi Rama! Sepse sulmi i tij kundër tyre të martën e shkuar ishte ndryshe nga sulmet që ai ka bërë në prezencë të Aleksandër Vuçiq. Kishte nervozitet, arrogancë me fytyrë të ngrysur, lajthitje deri në halucinacione. Kishte brenda deklaratave të Ramës jo vetëm anti-albinizëm, por edhe anti-merkelizëm!

Sulmet për konspiracion anti-Open Balkan të kryeministrit të Shqipërisë adresuar Kosovës e patën gjithashtu burimin te marrëdhënia më e mirë e Albin Kurtit sesa e Edi Ramës me Angela Merkel. Kushdo që e ka vënë re atë ditë, ka dalluar lehtësisht se Rama ishte i shpërqendruar, i shfazuar dhe i stresuar deri në kulm. Diçka në lidhje me nismën serbo-ruse të Open Balkanit nuk kishte shkuar mirë gjatë takimit 30 minutësh me Merkel. Kancelarja e tha gjithashtu publikisht se asnjë iniciativë nuk duhet ta zëvendësojë Procesin e Berlinit. Sepse nuk mund të thoshte ndryshe. Nuk mundet që iniciativa e Ramës dhe e Vuçiq të zëvendësojë iniciativën e Merkel për rajonin, edhe pse dy të parët kanë mbështetjen totale të Moskës!

Open Balkan është autostrada e konsolidimit të sundimit serb dhe e penetrimit të ndikimit rus në rajon. Rama u përpoq ta paraqesë krejt ndryshe këtë iniciativë. Mashtroi dhe lëshoi gënjeshtra pa fund për ta "bind" Merkelin se "është e drejta e tij dhe e Serbisë të lëvizin rajonin përmes kësaj iniciative"! Ndërkohë që nuk e lëvizën rajonin përmes Procesit të Berlinit qëllimisht për ta sabotuar këtë proces. E bllokuan atë proces, sepse duhej vepruar sipas standardeve dhe ligjeve të BE-së! Dhe çdo asociacion që kërkon respektimin e ligjeve evropiane është i papranueshëm për autokratët e Ballkanit, përfshirë Ramën dhe Vuçiq!

Pikërisht këtë pikë të dobët e ka kapur Albin Kurti me zgjuarsi. Ai ka vënë si kusht të integrimeve rajonale, integrimet evropiane. Dhe ndërkohë integrimet i ka kushtëzuar me respektimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Duke bërë diferencën në modelin e qeverisjes, Albin Kurti i ka sfiduar dhe do t'i sfidojë turpshëm dy autokratët ballkanas te Open Balkan, presidentin e Serbisë dhe kryeministrin e Shqipërisë. Ai po i sfidon edhe në fusha të tjera. Në konferencën e shtypit në Tiranë pas takimit me Merkel Kurti u zotua se nuk do të bëhet pjesë e Open Balkan. Ndërkohë që presidentja Osmani e quajti nga Gjermania këtë iniciativë si rrezik për rajonin! Ndërkaq Kurti lajmëroi se rritja ekonomike e këtij viti në Kosovë do të jetë rreth 8 për qind. Është alarm dhe ndezje e dritës së kuqe kjo për Serbinë dhe kryeministrin Rama, aleat të Serbisë!

Vizita e Merkel në Tiranë, por edhe në Beograd zbuloi përfundimisht enigmën. Open Balkan nuk është interesi i Bashkimit Evropian dhe Gjermanisë. Ndërsa Edi Rama zbuloi faktin se Procesi i Berlinit nuk është interes i Serbisë. Rama e justifikoi Open Balkan me kundërshtinë e Serbisë për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës me Shqipërinë. Tha se Beogradi nuk e pranonte këtë, d.m.th që të realizohej lëvizja e lirë përmes Procesit të Berlinit. Por e pranon atë përmes Open Balkan! Atëherë çfarë ka ndryshuar? Pse lëvizja e lirë përmes Procesit të Berlinit është i papranueshëm për Serbinë, ndërkohë që është i preferuar Open Balkan?! Mjafton të sqarohet kjo dhe të shohësh se Open Balkan i Ramës dhe Vuçiq është iniciativë anti-Kosovë e anti-shqiptari!

Bini legenit sa të doni ju që ushqeheni me teoritë serbe të Open Balkan! Dhe mos u ndalni! Por mos na nxirrni zorrët nga barku me predikimet tuaja të "bamirësisë serbe për shqiptarët dhe Shqipërinë"! Nga mbështetja e iniciativave serbe e ruse përfiton vetëm Edi Rama. Nuk përfiton as Kosova, as Shqipëria, as Europa dhe madje as Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me qëndrimet e të cilave spekulon me mashtrime kryeministri i Shqipërisë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat