“Lufta e patateve” rrezikon të kthehet në patate të nxehtë

Opinione

“Lufta e patateve” rrezikon të kthehet në patate të nxehtë

Nga: Jak Simoni Më: 28 shtator 2021 Në ora: 17:23
Autori

Historia ka pasur dhe luftëra të famshme, por çuditërisht të pazhvilluara. Një ndër ta është “Lufta e patateve” e sh. XVIII në Bavari që mbaroi pas shumë manovrash por pa luftuar. Bëheshin manovra të tej-zgjatura me qëllim që pala tjetër të konsumonte sa më shumë ushqime, kryesisht patate, e të dëmtohej në ketë mënyrë. Kështu mbaroi lufta. Ndonëse kanë kaluar shkuj taktikat ushtarake dhe strategjitë, vullnetarisht ose jo, ndonjëherë përsëriten. Prej ditësh në të dyja anët e kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjenden forcat të shumta ushtarake të të dyja palëve.

Meqenëse aksidentet kanë qenë të pakta dhe kjo përballje në distancë po zgjat, të shkon mendja për një krahasimi me “Luftën e patateve”. Krahasuar me deklaratat, faktikisht në këtë situatë të tensionuar ka pasur një far vetëpërmbajtje. Duket se deri diku është kuptuar se në epokën globale të monopoleve dhe luftërat janë bërë monopol i fitimtarëve të fundit. Gjithsesi, fakti që vetëm pak më shumë se dy dekada kanë kaluar nga lufta, e bën të tensionuar situatën.

Një situatë e tillë ka tërhequr vëmendjen e shtypit ndërkombëtar, të diplomacisë së disa shteteve, madje dhe te komandës së NATO-s. Komuniteti ndërkombëtar me insistim u bën thirrje palëve për vetëpërmbajtje, mos provokime të njëanshme dhe për uljen e tensioneve. Pa u ndaluar tek përgjegjësitë një situatë e tillë dëmton te dyja palët. Shtrohet pyetja: Kujt do i mbarojnë përpara “patatet”? Ndonëse komuniteti ndërkombëtar u flet të dyja palëve, ajo që duhet ta dëgjojnë më shumë duhet të jetë pala e Kosovës, sepse ajo u ndihmua në luftën e fundit dhe në rangun ndërkombëtar ka probleme më të mëdha se të targave; si p.sh. të njohjeve, sidomos të vendeve evropiane, vizave, të përfshirjes në organizata ndërkombëtare etj. Ka deklarata, të cilat do ishte mirë të kurseheshin, se mund të ketë një luftë rajonale ose globale.

Sidomos Kosova, e ka detyrim të evitojë një luftë të cilën do ta vazhdonin të tjerët. Të tjerët, ndonëse nuk e kanë braktisur dhe e kanë pasur vazhdimisht në qendër të vëmendje, mund të rastise që të kenë probleme dhe më të mëdha diku tjetër në mbarë globin; si p.sh. në Lindje e Mesme, apo, akoma me komplekse, në atë të largët etj. N.q.s. vendin e dialogut, të propozuar nga të gjitha anët me ndonjë përjashtim, e zë vendosmëria e tepruar deri në kokëfortësi, gjë të cilinën nuk e urojmë, “Lufta e patateve” rrezikon të kthehet në një patate te nxehtë.

Shpresojmë se dhe kjo të ngelet një luftë e famshme e pazhvilluar dhe herët a vonë serbët dhe kosovarët të bëjnë një kompromis me interes për të gjithë rajonin. Ato që duan luftë mos të mërziten fare, sepse, ndonëse jo aq dramatike, ajo vazhdon gjithmonë me mjete të tjera diplomatike dhe kryesisht ekonomike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat