Edi Rama, a je me Albinin a me Vuçiqin?!

Opinione

Edi Rama, a je me Albinin a me Vuçiqin?!

Faton Mehmeti, Bota sot Nga Faton Mehmeti, Bota sot Më 29 shtator 2021 Në ora: 14:03
Edi Rama dhe Albin Kurti

Po “Open Ballkani”, po edhe targat, në të dyja rastet Edi Rama ka vetëm një përgjigje. Të dyja bien në kontradiktë me njëri-tjetrin, për më tepër s'mund të jesh edhe me Vuçiqin edhe me Ramën, të dy në kahje të kundërta, me ide të kundërta dhe me vizion të kundërt, Rama ose po loz rolin e idiotit ose është aq i zgjuar sa po bën lojë. Më tepër jam i prirë të besoj te kjo e dyta, duke njohur jetën politike të Ramës, vë bast se po bën lojë. Se nuk mund të jesh edhe vëlla i Kurtit edhe i Vuçiqit, s'mund edhe të mbështesësh “Open Ballkan” dhe të mbështesësh po ashtu Kurtin për targat, të dyja bien në kontraditkë me njëra-tjetrën.

Duke i shkuar edhe më thellë logjikës së Ramës, loja e tij ka si qëllim që mos ta shajnë shqiptarët e Kosovës në Facebook, por as edhe Vuçiqin mos ta hidhërojë. Si një aventurist që mban dy të dashura, nuk do të heq dorë nga asnjëra, njërën e ka të besatuar që nga të parët dhe tjetrën e ka të zgjedhur nga shija, dëshiron t'i mbajë të dyja, për një kohë edhe mundet, vjen dita që duhet të zgjedh.

Rama e di se këtë, me veten e tij lufton që të shtyhet sa më larg ora e vendimit, tek e cila nuk e imagjinon dot veten. Në ndërkohë sulmon “vëllanë e vogël” se nuk e dëgjon, me batuta mundohet të tejkalojë diçka që të gjithë e shohim, ftohjen e marrëdhënieve mes Kurtit dhe Ramës.

Përveç Thaçit, Rama me të gjithë kryeministrat e Kosovës ka pasur përplasje, duke ngritur edhe padi, deri edhe te akuza ndaj Kosovës për teori konspirative për “Open Ballkan”. Kur jemi te “Open Ballkan”, si mundet që vëllai i vogël të dëgjoi vëllanë e madh kur ky i madh bëhet argati i armikut të vëllait të vogël, për të rrënuar shtëpinë e tij të ndërtuar me mund dhe gjak qindra vjeçar.

Përtej eufemizave të Ramës që tanket dhe helikopterët serbë i quajti “lojëra” e të cilat “lojëra” në vitet 1998-1999 kanë vrarë mbi 10 mijë shqiptarë, duke dëbuar mbi një milion shqiptarë nga shtëpitë e tyre. Jemi aq të vetëdijshëm se Serbia nuk guxon ta sulmojë Kosovën, ato tanke dhe helikopterë janë prej vërteti, s'janë lodra të fëmijëve.

Serbia ka frikë nga SHBA-të, nga KFOR, e kjo gjë duhet thuhet, jo të pasqyrohet Serbia se po bën lojëra. Relativizmi i të keqes, edhe figurës së Vuçiqit, ka bërë që Edi Rama të jetë në anën e gabuar. Këto veprime të tij bëjnë që shqiptarët e Kosovës ta quajnë atë vëlla me Vuçiqin, për të cilën gjë Rama s'ka pse i ngelet hatri pastaj.

Derisa Kurtin e shpërfill, mundohet ta poshtërojë para kancelares Merkel, derisa Serbisë vetëm lavde i thur si vendi i parë që i doli në ndihmë për tërmetin, Edi Rama ka humbur të gjithë besimin e qytetarëve të Kosovës për të besuar te “vëllai i madh”, mbi të cilin duhet të mbështeten të gjithë anëtarët e shtëpisë sonë të madhe shqiptare.

Edi Rama duhet të përcaktohet, o me Albinin o me Aleksandrin, duke hequr dorë nga projekti serbo-rus për “Open Ballanin”. Edi Rama i bën nder kombit dhe vetes, përndryshe do të përfundojë në mesin e figurave “non grata” të kombit shqiptar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat