Bashkimi Europian me dy pesha, dy masa

Opinione

Bashkimi Europian me dy pesha, dy masa

Nga: Skender Musliu Më: 14 tetor 2021 Në ora: 15:04
Skender Musliu

Dje, me 13 Tetor, policia e Kosovës me pjesëmarrjen e doganave të Kosovës, ekzekutuan urdhrin e gjykatësit të procedurës paraprake dhe prokurorit të rastit, për zbatimin e aksionit kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës. Ishte një aksion me përgatitje hetimore paraprake, i sinjalizuar nga një shërbim aleat, që u zbatua në nivel vendi, respektivisht në Prishtinë, Pejë, Mitrovicën e Jugut, Mitrovicën e Veriut dhe Zveçan. Zbatimi i këtij aksioni hasi në rezistencë nga serbët lokal në Mitrovicën e Veriut, duke penguar dhe sulmuar policinë e Kosovës me mjete të forta, armë zjarri, granata luftarake të dorës, shok bomba etj.me ç’rast u plagosën disa policë, kurse në lokacionet tjera nuk pati kurrfarë rezistence.

Lidhur me këtë aksion, pati reagime dhe komente të ndryshme, nga ato që kritikuan dhe ato që e mbështetën. Kështu, NATO aksionin e vlerësoi si veprim i institucioneve të Kosovës për vendosjen e ligjit, Ambasada Amerikane deklaroi se ky ishte një aksion institucional kundër krimit të organizuar dhe vendosjen e ligjit, kurse ambasadori i Gjermanisë, përkrahi aksionin dhe kritikoi deklaratën e ministrit Rakiq, i cili aksionin e policisë e krahasoi me Natën e Kristaltë dhe kërkoi nga kryetari i Serbisë, Vuçiq të ndërhyjë në Kosovë.

Mirëpo, ajo çka habitë, është deklarata e Përfaqësuesit të Lartë  i Bashkimit Europian për punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell i cili kërkoi që dhuna në Veri të ndalet menjëherë duke konsideruar se veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara  janë të papranueshme, me aludimin se ky aksion ishte drejtuar kundër serbëve. Kjo deklaratë, jo vetëm që është e papranueshme, e rrezikshme dhe e neveritshme, e sidomos nuk  mund të tolerohet që një politikan evropian i profilit kaq të lartë, të dështojë  në tema dhe procese kaq serioze sepse këto mund t’a  rrezikojnë stabilitetin dhe sigurinë, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë.

 Vlerësimi i këtij aksioni nga Borell është në kundërshtim me parimet themelore të vlerave europiane mbi   të cilat është ndërtuar ajo, respektivisht  lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar për dy dekada rresht i kërkohet Kosovës nga BE-ja që t’a bëjë. Madje kushti i vetëm për liberalizimin e vizave nga BE-ja, është  pikërisht luftimi i kësaj dukurie, që është prioritet mbi prioritetet e BE-së, mbase Borrell qenka kundër luftimit të krimit të organizuar, rrjedhimisht ai qenka edhe kundër liberalizimit të vizave për qytetarët kosovar.

Këshilli i Europës, DASH-i dhe shumë institucione tjera ndërkombëtare në raportet e tyre vjetore deklarojnë se Kosova nuk është duke bërë mjaft për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, kurse tani kur Qeveria e Kosovës i lufton ato, Borrell del kundër ?!

Tani parashtrohet pyetja, në emër të kujt flet Borell dhe kënd ai përfaqëson, në bazë të deklaratës së tij, del se ai përfaqëson Serbinë duke luajtur rolin e zëdhënësit të Vuçiqit, sepse deklaratat e tyre konkordojnë. Nuk është hera e parë që Borrell është i njëanshëm në qëndrimet e tij  kundër Kosovës, po ashtu dihet se Borrell vjen nga Spanja, shtet ky që nuk e ka pranuar Kosovën, mirëpo postin që e ka ai duhet t’i zbatojë politikat e e BE-së e jo të Spanjës.

Kjo deklaratë e Borellit, në reagimet e para, është në kundërshti m të plotë me qëndrimet zyrtare të NATO-s, SHBA-ve, KFOR-it dhe Gjermanisë, me shpresë se do të ketë edhe reagime tjera.

Nëse Borell është kundër aksionit institucional për luftimin e krimit të organizuar dhe kontrabandës, kjo don të thot se ai përkrahë huliganët ,kriminelët  dhe strukturat paralele serbe që udhëhiqen nga Lista serbe dhe Beogradi.

Por, nga i merr informacionet Josep Borrell ? Sigurisht nga Serbia dhe propaganda gebelsiane serbe. Borell është dashur të kërkojë informacione nga Qeveria e Kosovës, dhe sikur t’i kishte patur ato, do të kishte mësuar  se aksioni nuk ka qenë i drejtuar kundër serbëve por kundër kontrabandistëve dhe kriminelëve që nuk kanë etni. Këtë e vërteton fakti se gjyqtari i procedurës paraprake, prokurori i rastit dhe pjesa dërmuese e policisë së Kosovës që kanë intervenuar në Veri kanë qenë serb. Më tepër të arrestuar dhe ata që janë në kërkim janë shqiptarë. Çka po mendon Borrel, se Kosova është si Afrika e Jugut para pesë dekadave, qkur ajo ushtronte dhunë dhe segregacion ndaj  të zive ? Jo Zoti Borell, ju ende jeni  rob i së kaluarës dhe duhet të liroheni nga këto pranga,  ju duhet t’a dini se Kosova është shtet i pavarur, demokratik dhe sovran i njohur nga shtetet me të fuqishme dhe më të zhvilluara të Botës Perëndimore, pavarësia e saj është reversibile, është shtet ku serbet  pozitivisht janë të diskriminuar në dëm të shqiptarëve.

Po ashtu  nuk janë të sinqerta, madje janë dashakeqe deklaratat e disa politikanëve por edhe të disa, të ashtuquajtur gazetarë dhe analistë mjerana që paguhen nga qendra të ndryshme,  e vënë në dyshim aksionin e policisë së Kosovës për luftën e kontrabandës dhe krimit të organizuar duke e lidhur me fushatën e zgjedhjeve lokale. Këta janë po të njëjtit ata që kritikojshin Kurtin për antiamerikanizëm, kurse tani kur aksioni i Qeverisë Kurti përkrahet, jo vetëm nga SHBA-të por edhe nga Gjermania miken NATO dhe KFOR-i, këta matrapazë solidarizohen me  Serbinë, çfar ironie dhe demagogjie !

Vlen të theksohet  se kundër këtij aksioni ishin vetëm serbet e Veriut kurse në lokacionet tjera situata ishte e qetë.  A thua pse ? Sepse  kriminelët dhe strukturat paralele serbe në Veri  të Kosovës janë ngushtë të lidhura me Listën Serbe dhe drejtpërdrejtë me Vuçiqin, të cilët merren me kontrabandë dhe krim të organizuar dhe çdo veprim të institucioneve të Kosovës ata e politizojnë në funksion të politikave ditore të Serbisë.

Sjellja dhe veprimet e kryetarit të Serbisë, Vuçiq, kryeministres Bërnabiq dhe ministrit Vulin, janë primitive, të shëmtuara, nacionaliste dhe tragjiko-komike, ata  sillen  sikur Kosova  ende është Krahinë Autonome e Serbisë, duke harruar se Kosova ngadalë por sigurtë është duke ndërtuar të ardhmen e saj si shtet i pavarur. Edhe dje Vuçiq organizoi një teatër në kazermën e xhandarmërisë serbe në Rashkë, ku u takua me përfaqësuesit e Listës serbe, të cilët kërkuan nga Vuçiq që të intervenojë në Kosovë, duka harruar këta se ka mbaruar koha e kolonizimit.

Lidhur me reagimin e papranueshëm të Josep Borrell , institucionet e Kosovës duhet të reagojnë menjëherë dhe në mënyrë të ashpër, duke u mos kënaqur vetëm me shkrime në rrjetet sociale, duke kërkuar masa adekuate kundër Josep Borrel.

Kurse kryeministri Kurti nuk ka kurfarë arsye që ministrin Rakiq që punon me direktivat e Beogradit t’a mbajë më në atë post, por pa humbur kohë t’a shkarrkojë që në mbledhjen e parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat