Agim Bahtiri apo Bedri Hamza!

Opinione

Agim Bahtiri apo Bedri Hamza!

Nga: Kimete Berisha Më: 15 tetor 2021 Në ora: 00:09
Kimete Berisha

1. Bedri Hamza:

Është në fund të karrierës politike, por sillet sikur është në fillim të karrierës.

I ka shërbyer qeverive më të korruptuara, ndërsa sillet si engjëll!

PDK bën sikur e ka zbuluar talentin e pazbuluar deri tash - Bedri Hamzën.

Ta prezantosh Bedri Hamzën si super intelektual, si talent i pazbuluar - është mashtrim.

Mjafton ta dëgjosh Bedri Hamzën duke folur veç 1 minutë, për ta kuptuar se as analfabeti më i madh shqiptar nuk e flet gjuhën shqipe më keq se Bedri Hamza.

'Bonka, jum kanë (kam qenë), kit (këtë), mi (mbi); zonjat më të moshumë (moshuara), etj

Lëre që nuk i njeh kohët, por as gjinitë në gjuhën shqipe nuk i njeh.

Secilën fjalë e shqipton gabim (dëgjoje vet, s'ke pse më beson mua).

Unë jam e lindur në Mitrovicë (Bedri Hamza është i lindur në Klinë por thotë që u lind në Mitrovicë), dhe unë nuk e di asnjë sukses (madje asnjë thënie) të Bedri Hamzës.

As si nxënëse, as si gjimnaziste, as si pjesëmarrêse në të gjitha protestat, kurrë zërin e tij nuk e kam dëgjuar kundër asnjë padrejtësie, as kurrë nuk e kam parë askund duke prirë në ndonjë protestë, para luftës, as nuk e kam dëgjuar asnjëherë-asnjë fjalë të tij.

Ka qenë përcjellës i parë i komandantëve;

pare ka, luks ka, s'ka hequr keq kurrë,

netët i kalon me mangupat më të mëdhenj të qytetit, me të atillë që mbajnë alltia, dhe tjetër unë nuk di, në bibliotekën e qytetit nuk e kam takuar kurrë.

Një herë ka folur, edhe atëherë ka folur kundër rritjes së rrogave. Dhe kundër autostradës së Dukagjinit.

Kaq dihet për të.

Pozitat i ka të falura nga Hashim Thaçi, karrierën e ka të falur nga Hashim Thaçi, dhe nuk dihet një punë e vetme konkrete që e ka kryer Bedri Hamza.

Sot, Bedri Hamzën e paraqesin si gjetje,

si një fenomen të rrallë.

Por, kaq punë e di edhe injoranti më i madh, se Bedri Hamza është në fund e jo në fillim të karrierës.

Çdo keqpërdorim që ka ndodhur në Kosovë kur Bedri Hamza ishte ministër i financave e mban nënshkrimin e tij.

S'po them që s'ka talent të nënshkruajë dhe t'i rregullojë letrat!

Bedri Hamza flet në superlativ dhe në veten e parë, urdhëroren ia do loçka!

Është arrogant, i pëlqen të nervozohet dhe flet me zë të lartë.

P.sh. Tha: Unë vendosi kush do të bëhet Drejtor në komunën e Mitrovicës;

Unë jam Kryetar i Mitrovicës;

Unë i kam thënë edhe Shefit (demek Hashim Thaçit), JO.

Bedri Hamzës i mungon aftësia për të komunikuar me qetësi, e shquan nervozozmi, mban distancë emocionale me qytetarët, është indiferent, dyshues, dhe nuk e ka asnjë raport me qytetarët e Mitrovicës.

Prandaj, Bedri Hamzës i mungon kryesorja - afërsia me qytetarë.

Është zor ta simpatizosh Bedri Hamzën!

Sepse, as nuk bën humor, as nuk qesh, as nuk është optimist, as nuk është pozitiv, as orator, as nuk di vjersha, as mesele, as nuk këndon...veç e përsërit refrenin 'une jum kan guvernator i bonkes'!

Edhe?

2. Agim Bahtiri

Gjuha shqipe gati nga asnjë shqiptar nuk flitet si duhet, prej se Drejtor në RTK ka qenë Migjen Kelmendi.

Migjeni, duke dashur ta jetësoj gegnishten, e ka jetësuar një 'gjuhë shqipe' të shtëpisë, gjuhë që nuk shkruhet as nuk kuptohet nga të gjithë shqiptarët, dhe pastaj e bëri modë që në Kosovë ta flasësh keq shqipen je cool - dhe pa komplekse.

Prej vitit 2000 (pra, me ndihmën e Migjen Kelmendit), gati askush prej shqiptarëve të Kosovës nuk e flet gjuhën standarde.

Por, Agim Bahtiri e njeh një gjuhë që pak kush e njeh - e njeh gjuhën e dashurisë ndaj qytetarëve.

S'është me rëndësi a e ndjen përnjëmend simpatinë për popullin, apo e aktron, me rëndësi është që ka arritur ta qeveris qytetin, jo duke u ngritur mbi qytetarët, por duke u bërë shok me ta!

Dhe ky është talent i madh. Të qeverisësh me dashuri dhe me buzëqeshje!

Agim Bahtiri nuk ka vjedhur.

Nuk ka keqpërdorur.

Është fat i madh për të që sot e përqeshin për gabime gjuhësore (që s'ekziston shqiptar që nuk i bën), por nuk mund ta akuzojnë për keqpërdorim të buxhetit.

Agim Bahtiri për tetë vite ka qenë anëtar i secilës familje në Mitrovicë.

I ka vizituar rregullisht, i ka nderuar, i ka ngushëlluar, u ka ndihmuar, dhe ua ka ditur hallin.

Nuk është mendjemadh.

Qan, qesh, vallëzon, vuan dhe jeton bashkë me qytetarët!

Prandaj, duhet të jetosh në Mitrovicë për ta kuptuar se pse qytetarët e kanë votuar Agim Bahtirin në dy mandate.

Ai nuk sillet si kryetar, ai sillet si shok dhe si familjar i qytetarëve!

Këtu është sekreti i suksesit të tij.

Qytetarët kanë nevojë për dikë që nuk vjedh dhe nuk shet mend!

'Aristokracia' e vendit, e kanë akuzuar edhe se si ky paska qenë tregtar.

Soloni i urtë ishte gjykatës por shiste vezë në tregun e Athinës.

Angela Merkel ka qenë kamariere.

Përparim Rama ka larë enë!

Nuk ka punë të turpshme!

PS. Pra, mund të jesh shqiptar i madh edhe nëse nuk di ta shkruash fjalën 'shqiptar'.

Isa Boletini mund të jesh.

E jep jetën për atdheun, të cilit nuk di t'ia shkruash emrin!

Mund të jesh Profet si Profeti Muhamed, ta diktosh Librin e Shenjtë, dhe të mos dish shkrim-lexim.

Pavaroti nuk i ka ditur notat muzikore, ka thënë vet se nuk ka ditur ta lexojë muzikën, ndërsa edhe këngëtarët më të dobët i dinë 'ujë' notat muzikore, por ama nuk dinë të këndojnë...!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat