Levizja antikombëtare “dum babën! dum babën!”

Opinione

Levizja antikombëtare “dum babën! dum babën!”

Nga: Thanas L. Gjika Më: 27 tetor 2021 Në ora: 07:11
Thanas L. Gjika

Që kur u krijua shteti shqiptar i pavarur, krahas forcave kombëtare që punonin për ta mëkëmbur shtetin e ri, u shfaqën edhe forcat armiqësore të paguara prej agjentuarave të huaja, që filluan të punonin për ta kthyer rrotën e historisë mbrapsht. Në verën e vitit 1914 agjentura xhonturke arriti të krijonte një kryengritje fshatare në Shqipërinë e Mesme për ta rikthyer popullin shqiptar nën vartësinë e Sulltanit. Në krye të asaj lëvizjeje antikombëtare u vu Haxhi Qamili, një fshatar tiranas, që nuk i njihte, madje i urrente idealet e Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Parulla kryesore e militantëve të kësaj lëvizjeje ishte: “Dum babën! Dum babën!”. Kjo parullë shprehte dëshirën për të mos njohur qeverinë e shtetit të pavarur shqiptar dhe rikthimin te vartësia e sulltanit. Sulltani ishte “babai shpirtëror” për shumicën e atyre shqiptarëve, të cilët pushteti osman i kishte bërë për vete duke u dhënë ofiqe, tituj, grada, shkollim, nëpunësira, toka, etj. Pushteti i lartë turk gjatë tre shekujve të fundit, duke përdorur politikën e kulaçit e të kërbaçit, kishte realizuar kthimin e gati 70% të popullit shqiptar në fenë e pushtuesit, në Islamizëm.

Shumë shqiptarë muhamendanë në vitin 1913 nuk e dinin se të parët e tyre ia kishin dhënë fjalën sunduesit, pra kishin pranuar të ndërronin fenë, si pasojë e një politike korruptive: kishin dhënë fjalën për ndërrimin e besimit fetar në kompesim të një shpërblimi (mospagim të disa taksave, mosmarrje ushtar e djemve, dhënie e disa tokave si pronë e trashëgueshme, marrje e titujve dhe gradave ushtarake, marrje nëpunësish, etj). Për këta shqiptarë nuk kishte rëndësi nëse të parrët e tryre kishin besuar ose jo se Islamizmi ishte më i mirë se Krishtërimi. Edhe vetë këta shqiptarë nuk shquheshin për besim të thellë e të sinqertë tek Islami, por përsërisnin si papagaj fjalët “Kaur i derrit”, për të fyer bashkëkombasit e vet të krishterë. Të tilla fjalë kishin sajuar pushtetarët osmanë për të përçarë popullin shqiptar, me qëllim që ky të mos vllazërohej e forcohej si një komb i vetëm, por të brrehej nga ndjenjat e urrejtjes fetare.

Ndjenja e urrejtjes midis shqiptarëve u ripërsërit me forcë edhe gjatë sundimit të diktaturës komuniste, kur populli u rinda jo në dy grupe shoqërore sipas ndarjes së vjetër fetare, por në katër grupe shoqërore: Brenda territorit të shtetit shqiptar, shqiptarët u ndanë në dy grupe, në shqiptarë që ishin me pushtetin komunist dhe në shqiptarë që ishin armiq të pushtetit komunist. Shqiptarët e këtyre dy grupeve nuk duhej të kishin marrëdhenie miqësie dhe martesore midis tyre. Shqiptarët e grupit armiqësor i përcaktonte udhëheqja e partisë-shtet, jo nga veprimet e tyre, por sipas planit të quajtur “Lufta e klasave”, plan sipas të cilit shqiptarët brenda Shqipërisë komuniste nuk duhej të shikonin tek njëri-tjetri birin e një gjaku, por armikun. Në planin mbarëkombëtar partia-shtet përcaktoi ndarjen e popullit shqiptar në dy grupe armiqësore: në shqiptarë të Shqipërisë dhe në shqipëtarë agjentë të Jugosllavisë, ku futeshin gjithë shqiptarët që jetonin në republikat e shtetit jugosllav, edhe pse ata e donin më shumë se ne shtetin e pavarur shqiptar dhe përndiqeshin prej pushtetit jugosllav.

Në vitin 1990, kur u pranua botërisht kapitullimi i sistemit të diktaturave komuniste, SHBA-të e thirrën Ramiz Alinë dhe i kërkuan që ta mohonte “babën e tij shpirtëror” dhe të ndërmerrte dënimin e krimeve të diktaturës komuniste. Pasardhësi i diktatorit Hoxha nuk kishte formimin e duhur për ta kryer këtë mision. Brenda tij klithi parulla “Dum Babën! Dum Babën!” dhe me t'u kthyer në Tiranë filloi bashkë me Nexhmie Hoxhën përgatitjet strategjike për të pranuar disa kërkesa të botës perëndimore, si pluralizmin, ekonominë e tregut dhe lëshimin e pushtetit politik, por në një mënyrë të tillë që pasurinë e popullit ta trashëgonin besnikët e klanit Hoxha-Alia dhe bijtë e tyre. Mbushën partitë e reja politike me ish-komunistë e ish-sigurimsa dhe e manipuluan tranzicionin si deshën. Asnjëra parti politike kur erdhi në pushtet gjatë këtyre 30 vjetëve tranzicion nuk luftoi seriozisht e sinqerisht për të krijuar shtetin ligjor, për të dënuar krimet e komunizmit, për t'ua kthyer pronat pronarëve të vërtetë që ishin shpronësuar dhe i mbajti sa më larg nga pushteti të përndjekurit e ndërgjejgjes, kundërshtarët e vërtetë të regjimit komunist.

Në shpirtin e të gjithë pushtetarëve të tranzicionit shqiptar ushton klithma “Dum Babën! Dum Babën!” dhe kështu populli shqiptar ka mbetur në shumicë nostalgjik ndaj sistemit komunist diktatorial. Edhe pse e dijnë shumë mirë se sistemi shoqëror i botës Perëndimore është shumë më i përparuar se sistemi i diktaturës komuniste, zbatuesit e planit Katovica, njerëz të zgjedhur prej Ramiz Alisë e Nexhmie Hoxhës, nuk mund të pranojnë se ata dhe prindërit e tyre kanë gabuar, nuk mund t'i kërkojnë popullit të falur për gabimet dhe krimet që u kryen nën diktatin e diktatorit dhe gjatë tranzicionit prej këtyre vetë. Kështu po e mbajnë mentalitetin e popullit shqiptar të Shqipërisë në vendnumëro. Klasa jonë politike deri sot ka zbatuar në kushtet e pluralizmit politikën e urrejtjes së shqiptarëve midis tyre, kësaj radhe sipas përkatësisë partiake. Anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Socialiste, dhe të partive të tjera të majta kanë urryer, sharë e fyer anëtarët e simpatizantët e Partisë Demokratike dhe të partive të tjera të djathta, natyrisht kjo urrejtje është ushqyer edhe anasjelltas. Me një fjalë ka vijuar zbatimi i parimit enverist i “Luftës së klasave” me sharje e fyerje dhe jo ndërtimi i një strategjie për mbarëvajtjen e problemeve politike, ekonomike dhe kombëtare në të mirë të popullit tonë.

Përgjegjësinë kryesore për këtë fatkeqësi kombëtare mendoj se e ka ish-kryetari i Partisë Demokratike, i cili mori përsipër të drejtonte proceset demokratike në Shqipëri, por në vend që të krijointe shtetin ligjor, krijoi anarki dhe korrupsion për pasurimin e paligjshëm të klanit të tij e të familjes së vet. Ky njeri me mentalitet komunist zbatoi në partinë që drejtoi, de jure ose de fakto, për 30 vjet një politikë totalitare për krijimin e klanit të vet brenda partisë, përmes dhënies së licensave, pasurive jo ligjore, nëpunësive, etj. Ai i la të përndjekurit dhe gjithë shtresën e gjerë të partisë pa përkrahje, pa krijuar shtetin ligjor, pa dënuar krimin komunist. Kështu ai e ktheu Partinë Demokratike nga partia më e madhe opozitare në një parti gogol, me të cilën ndihmoi Edvin Ramën të merrte pushtetin për herë të dytë e të tretë.

Aleati ynë më i madh, SHBA-të, duke e konsideruar këtë person si të keqen më të madhe, si shkaktarin kryesor të dështimeve të demokracisë në Shqipëri, e shpalli “Non grata” dhe e këshilloi Lulzim Bashën, kryetarin de jure të PD-së ta përjashtonte atë nga grupi parlamentar. Nga ana e tij S. Berisha, në vend që të reflektonte mbi gabimet dhe krimet që kishte bërë gjatë këtyre 30 vjetëve dhe të kërkonte të falur, ka ndërmarrë një lëvizje për të dëmtuar Partinë Demokratike me qëllim që të sjellë në krye të saj një shërbëtor të tij për t'ia mbuluar fajet, gabimet e krimet, ose për të marrë vetë kryesinë e kësaj partie. Organizon foltore ku shpall se do të rindërtojë Partinë Demokratike si më 1991-1992, me një fjalë premton se mund ta kthejë rrotën e historisë mbrapa për ta rijetuar edhe një herë si do ai.

Kjo sjellje e S. Berishës nuk çudit njeri, përderisa ai ka qenë mbi 20 vjet anëtar i Partisë së Punës së Shqipërisë, pra njeri i brumosur në rini me mentalitet komunist deri më 1990. Ne duhet të na çudisin përkrahësit e tij që i shkojnë pas nëpër foltore dhe e dëgjojnë të flasë kundër Edvin Ramës, t'ia hedhe fajet Lulzim Bashës, pa përmendur fajet e gabimet e veta për dështimet që pati PD-ja sidomos gjatë këtyre 15 vjetëve të fundit, kur ai, udhëheqësi de jure e de fakto, e degradoi PD-në në një gogol që e ndihmoi Edvin Ramën të fitonte tri herë zgjedhjet.

Ndjekësit e S. Berishës, anëtarë ose jo të PD-së, që i shkojnë pas nëpër foltore dhe nuk i kërkojnë të japë llogari për dëmet që i shkaktoi partisë së vet dhe e zemëroi aleatin tonë të madh, mua më kujtojnë haxhiqamilistët që thërrisnin më 1914-1915: “Dum babën! Dum Babën!” Por “Babën” e kishte dënuar historia dhe nuk mund të kthehej më...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat