Në cilën parti ka më shumë servilë?

Opinione

Në cilën parti ka më shumë servilë?

Faton Mehmeti, Bota sot Nga Faton Mehmeti, Bota sot Më 3 nëntor 2021 Në ora: 18:39
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Fatkeqësisht Kosova akoma vazhdon të jetë në tranzicion, me ngjarje për të cilat askush nuk ndjehet krenarë, e që e ndajnë dukshëm shoqërinë, politikën dhe sjelljen e institucioneve shtetërore ndaj tyre. 22 vjet pas lufte, me votën tonë kemi dorëzuar fatin tonë në duart e politikës që vret, që mbron vrasjen, që stimulon vrasjen, kërcënon me vrasje, e përdor vdekjen për vota, e keqpërdor dhimbjen për synime të rastit. Një shoqëri e hapur, civile, qytetare dhe evropiane, nëse pretendon se është apo do të bëhet e tillë, nuk ka pse të mbetet peng i vulgaritetit të turmës dhe tabuve të tranzicionit. Ajo duhet të ketë kurajë të flasë edhe atëherë kur askush nuk e dëgjon.. Politika e mbrapshtë, nuk ka ndryshuar sjellje as mentalitet, – ajo mbetet kërcënuese të përsëris skena si në rastin e Deharit, edhe në të ardhmen, nëse rikthehet në skenën politike ata që kanë sjellë vendin në këtë agoni. Kosova akoma nuk është shtet i së drejtës, nuk ka ende aftësi e integritet të japë drejtësi në rastet kur politika është përgjegjëse, dhe sepse pjesa që i sheh palët përgjegjëse politike ose morale, vijon të mbetet minorancë përballë shumicës militante të palëve politike. Në Kosovë taktika dritëshkurtër e përfitimit dhe përdorimit të gjakut të derdhur si kapital politik po zëvendëson të gjithë shkencën politike.

Vetëm për militantët ka rëndësi se kush është brenda e kush jashtë mureve të pushtetit, kujtoj rastin në Skenderaj me militantë të pa fre në festë që humbi djali i heroit Hamë z. Jashari. Politikanë t kanë vjedhur dhe shkatërruar vendin në nivele që akoma s’i kemi ndjerë, militantët dhe servilët janë përfituesit më të mëdhenj të qëndrimit në pushtet për 21 vjet të atyre që krijonin afera, pa drejtësinë që do të mund të bënte punën e saj. Kur jemi tek servilët, dueht thënë se servilizmi është bërë mënyrë sjelljeje, është bërë mënyrë e të menduarit dhe është bërë mënyrë e të vepruarit. Nëse nuk sillesh si servil, nëse nuk flet si servil, nëse nuk mendon si servil, do të konsiderohesh i papërshtatshëm. Një parti mund të fitojë pushtetin jo në bazë të programit dhe të besueshmërisë se mund ta realizojë atë program, por në bazë të gatishmërisë për t’u bërë servile e grupeve formale dhe joformale të interesit.

Një parti politike mund të fitojë pushtetin edhe nëse realisht nuk i ka fituar ato me votë zgjedhore, por në bazë të gatishmërisë për t’u servilosur ndaj grupeve të caktuara të interesit, qofshin këto edhe agjentura të ndryshme. Mund të jesh i zhytur deri në majë të kokës në krim, në korrupsion dhe në kundërshti me ligjin, dhe jo vetëm që nuk ndiqesh penalisht, por përkundrazi mund të gjesh strehë dhe mbrojtje në politikë, vetëm nëse vihesh në shërbim të agjenturave të ndryshme dhe nëse pranon të jesh servil ndaj tyre dhe ndaj grupeve të tjera të interesit.

Në anën tjetër mund të mos kesh lidhje me krimin, mund të mos kesh pranuar me asnjë çmim të korruptohesh, ose edhe mund të jesh tërësisht në përputhje me ligjin dhe të mos mund të kesh gjasa të jesh në politikë, së paku jo në aso pozitë që to udhëheqësh proceset e ndryshme. Rekrutimi i intelektualëve në agjencitë shtetërore e në politikë, vazhdoi që të kishte në të vërtetë “kritere” themelore jo integritetin moral e profesional, por nepotizmin ekstrem, korrupsionin masiv, ryshfetin e servilizmin ku vazhdoi që të dominonte besueshmëria politike e ajo partiake. Tani është koha që të kthejmë një faqe të re në politikën tonë, nëse kjo qeveri nuk e bën duhet të shkojë sa më parë. Në parim, vendi ynë ka nevojë për një qeveri që servilët nuk i bën ministra, nuk u jep poste por ndëshkim për t’u emancipuar me derën e mbyllur të pushtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat