Ministri Sveçla luan rolin e prokurorit dhe gjyqtarit!

Opinione

Ministri Sveçla luan rolin e prokurorit dhe gjyqtarit!

Nga: Adem Bytyqi Më: 9 nëntor 2021 Në ora: 17:21
Adem Bytyqi

Duhet të marrë fund përfundimisht marrja e drejtësisë në duar të atyre që nuk janë kompetentë profesionalisht.

Absolutisht nuk do duhej që ministri i MPB-së t‘i thoshte motrës së të vrarit, tani të ndjerit, doganierit Luan Berisha se vëllai i saj ishte vetëvrarë, në interesimin e saj se në cilën fazë të ndriçimit ndodhej humbja e jetës së vëllait të saj në oborrin e doganës.

Nuk është ministri ai që konstaton se një person është vrarë apo vetëvrarë, janë organet e drejtësisë të specializuara profesionalisht që merren me çështje të tilla shumë sensitive dhe jashtëzakonisht të dhimbshme për anëtarët e familjeve të cilët ndodhë që të afërmit e tyre të humbin jetën në rrethana vërtetë të dyshimta.

Nuk është rasti i parë që funksionarët e lartë shtetëror, qoftë ata ministra, por për fat të keq edhe prokurorë të afërt me funksionarë të lartë politik dhe shtetëror të cilët nxitojnë, duke dhënë deklarata paragjykuese për humbjen e jetëve të qytetarëve tanë në rrethana misterioze akoma pa e thënë fjalën e vetë të fundit organet kompetente të drejtësisë.

Një praktikë e tillë e padrejtë dhe në dëm të drejtësisë duhet të marrë fund përfundimisht, për tu mos u përsëritur as edhe njëherë tjetër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat