Sfidat dhe perspektivat e dialogut Kosovë-Serbi

Opinione

Sfidat dhe perspektivat e dialogut Kosovë-Serbi

Nga: Arbnor Sadiku Më: 19 nëntor 2021 Në ora: 21:03
Arbnor Sadiku.

Ndërmjetësimi konsiston në veprimin e një shteti të tretë, grupi të shteteve, apo ndonjë autoriteti i cili synon të gjej zgjidhje të konfliktit apo mos marrëveshjes, në mes të dy shteteve, apo edhe me gjerë. Pra, organizatat ndërkombëtare apo shteti i tretë i cili ndërmjetëson, merr pjesë në bisedime midis palëve në konflikt, si dhe përpiqet që atyre ti ju jep kahe të zgjidhjes dhe të gjetjes së zgjidhjes paqësore, pastaj, tenton që qëndrimet e kundërta ti përafroj dhe me pas jep këshilla dhe sugjerime, gjithashtu i përcjell edhe kërkesat dhe përgjigjet e njërës palë me palën tjetër. Bazuar në atë që kemi thënë më lart, ne lirisht mund të themi se paqen e dëmtojnë më së shumti kontestet, mosmarrëveshjet e ndryshme që ndodhin në mes shteteve, për territor, kombësi, sovranitet, siguri, religjion, ekonomi, dhe shumë çështje të tjera me rëndësi strategjike dhe nacionale, për shtetin. Prandaj, ne më të drejtë mund të konstatojmë se në marrëdhëniet politike ndërkombëtare, kontestet në mes të shteteve janë goxha vështirë të zgjidhen, që kanë për bazë etninë, territorin dhe shumë interesa të tjera me rëndësi jetike që i përkasin shteteve sovrane.

Perspektivat e dialogut Kosovë Serbi

Më 16 nëntor 2021, u zhvillua raundi i ri i takimeve të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, për të diskutuar zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani, çështjet e hapura dhe rrugën përpara në dialog.

Zyrtarë të BE-së nuk kanë komentuar deklaratën e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Presidenti i Serbisë z. Vuçiq ka thënë të mërkurën para gazetarëve se, Kosova do të formojë Asociacionin ashtu siç është negociuar në Bruksel, ose "faleminderit, ju punën tuaj, ne punën tonë, ndoshta takohemi një ditë".

Megjithatë, zyrtarët evropian kanë hedhur poshtë pretendimet e palës serbe se dialogu është bllokuar për shkak të mospajtimeve për zbatim të Marrëveshjes për Asociacion.

Si rregull i përgjithshëm, ne nuk komentojmë prononcimet dhe komentet e ndryshme. Në vend të deklaratave të tilla ne jemi të fokusuar në arritje të rezultateve dhe të përballemi me çështjet duke punuar me mund. Dialogu nuk është i bllokuar dhe vazhdon me punën e përditshme të Përfaqësuesit të Posaçëm për dialog, Mirosllav Lajçak, jo vetëm me dy palët, por më gjerë në rajon dhe në arenën ndërkombëtare.

Qeveria e Kosovës dhe presidentja e këtij shteti, Vjosa Osmani, kanë thënë se Kosova nuk do të zbatojë marrëveshjen e vitit 2013 për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe pasi ajo është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në vitin 2013.

Dy vjet më vonë apo thënë më saktë në vitin 2015, dy vendet kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e tij, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me frymën e Kushtetutës së Kosovës, edhe pse GJK-ja ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011. Kryenegociatorët, Petar Petkoviq nga Serbia dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi janë takuar për herë të fundit në Bruksel, në fund të shtatorit 2021, kur është arritur një marrëveshje për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, pas tensioneve rreth vendimit të Qeverisë së Kosovës për të zbatuar masat e reciprocitetit lidhur me vendosjen e stikersave me ngjyrë të bardhë mbi simbolet serbe në targat e veturave, në pikat kufitare midis Kosovës dhe Serbisë.

Sfidat e dialogut Kosovë Serbi 

Çështja kryesore për të cilën Kosova dhe Serbia nuk pajtohen është formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, pra thelbi i problemit midis dyja palëve është nëse ky asociacion do të jetë një organizatë që do të funksiononte brenda apo jashtë organizimit kushtetues, të Kosovës. Besoj se mund të ketë një kompromis mes Kosovës dhe Serbisë për këtë çështje. Me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së, Kosova dhe Serbia do duhej të punojnë në formimin e një asociacioni të komunave serbe, që nuk do të ishte një lloj organizate joqeveritare, por, në të njëjtën kohë nuk mund të jetë asociacion me pushtet ekzekutiv, por, para së gjithash, ky asociacion mund të jetë një organizatë “sui-generis” e llojit të veçantë.

Pra, tashmë është fakt i ditur se Qeveria e Kosovës nuk do të mund ta shmangë zbatimin e marrëveshjes për AKS-në, nëse SHBA-të intensifikojnë përpjekjet për realizimin e saj.

Pra, kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, mund ta rrezikojë mandatin e tij si kryeministër nëse vazhdon të injorojë kërkesat e faktorëve ndërkombëtarë, në radhë të parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikë, dhe Bashkimit Evropian.

“Sa i përket shmangies së krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, para së gjithash kjo do të varet nga qasja e presidencës amerikane të udhëhequr nga zoti Biden, nëse do të bëjë presion mbi Kosovën apo jo. “Nëse qeveria e Kosovës refuzon të krijojë një lloj asociacioni, i cili nuk do të jetë me pushtet ekzekutiv por të tipit “sui generis”, atëherë do të bjerë qeveria e dytë e Kurtit, si ajo e para”.

Pra, krejt në fund të këtij shkrimi mund të konkludohet se në rastin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është i nevojshëm një kompromis, i cili duhet të bëhet në takimet e ardhshme të delegacionit të Kosovës dhe atij serb në Bruksel, në mënyrë që Kosova të pranohet nga organizatat ndërkombëtare si : Bashkimi Evropian, dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara, si shtet me të drejta të plota.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat