Politikanët që dëmtojnë

Opinione

Politikanët që dëmtojnë

Nga: Lis Bukuroca Më: 21 nëntor 2021 Në ora: 21:13
Autori

Nëse në një qytet makinat janë të parkuar nëpër trotuare,- kryesisht pranë ose rreth tregut,- dhe këmbësorët gjarpërojnë majtas e djathtas, atëherë aty kuptohet se atë komunë, nuk e administron një politikan si kryetar, por një arrivist, një oportunist ekstrem ose një makiavelist.

Nëse në një qytet shihen hedhurina nëpër rrugë, sheshe dhe parqe, nuk domethënë se vetëm kryetari i bashkisë është mashtrues i madh, por nëpër atë bërllok lexohet edhe dështimi i familjes në edukatë, i Kopshtit të Fëmijëve dhe i shkollave në përgjithësi. Jo vetëm ato, por nëpër ato hedhurina lexohet edhe varfëria e qytetit, që nuk mund të punësojë disa veta për t’u kujdesur për mirëmbajtjen.

Çka lexohet tjetër? Aty kuptohet se ai popull, në atë vend, përbuz atdheun e vet dhe e dhunon! Diçka tjetër? Po, natyrisht! Se në atë vend Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, është pjesë integrale e atij bërlloku dhe e nëntokës mafioze.

Nëse në një vendbanim ndërtohet pa rregulla urbanistike, me rrugë të ngushta ku nuk mund të kalojnë njëkohësisht dy makina pranë njëra-tjetrës, atëherë aty rrëfehet një tregim shumë i qartë: në atë qytet populli ndërton si në kohën kur shteti nuk ekzistonte, kurse shteti që vetëm teorikisht ekziston, është bashkautorë i krimit dhe pjesë e turmës antishtet!

Nëse ai shtet ka një Ministër të Arsimit, një Ministër Drejtësie dhe një Ministër të Punëve të Brendshme, atëherë ata tre ose i shërbejnë një kryeministri mafioz, ose vetë janë anëtarë të kriminalitetit të organizuar.

Krimi nuk mund të bashkëjetojë me politikën. Ai ose e merr pushtetin, ose shteti ligjor i burgos ata.

Nëse në atë shtet hajnat dhe kriminelët nuk burgosen, atëherë aty kuptohet, se kriminelët e kanë marrë pushtetin dhe ata kanë punësuar nëpër prokurori dhe gjykata kriminelë, që kanë blerë diploma.

Në vende të tilla zgjedhjet shpesh fitohen me pallavra. Aty vlerësohet e kaluara, jo dija e tashme. Aty shpesh fitohet me vdekjen si kult, jo me jetën si mundësi, si shans, si alternativë e domosdoshme.

Meqenëse në atë vend blihen edhe diplomat e fakultetit, aty vështirë të kenë mjekë si duhet: spitale, prokurori, gjykata dhe shtet normal. Aty vetëm mashtrimi dhe gënjeshtra janë normale, por shumëçka është improvizim dhe shkëlqim i rrejshëm.

Vendi nuk kërkon dashuri nga askush, por shteti kërkon respektimin e ligjit nga gjithkush, pa të cilin atdheu bëhet përrallë. Dashuria ndaj atdheut tregohet me respektimin e ligjeve, që Kuvendi i ka aprovuar për banorët e atij vendi!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat