Berisha dhe Basha “copëtohen”, Rama me “çetë” gëzohen!?

Opinione

Berisha dhe Basha “copëtohen”, Rama me “çetë” gëzohen!?

Nga: Xhevat MUSTAFA Më: 23 nëntor 2021 Në ora: 08:59
Xhevat Mustafa

Nëqoftëse Basha dhe Berisha nuk tërhiqen nga instikamet e tyre individuale dhe grupore, nga pretendimet e tyre, duke “harruar” se PD është PARTI DEMOKRATIKE, atëherë një zgjidhje e mundëshme, kompromisi apo rrugëdaljeje nga ky qorrsokak, mund të ishtë një komitet drejtues me 5 anëtarë me rrotacion vjetor.

Shumica e demokratëve me zemra, vepra dhe sakrifica, tashmë të identifikuar si DEMOKRATË, po e përjetojnë me shqetësim dhe keqardhje “duelin” apo kacafytjen publike, mediatike, me kontigjentet apo “tifozeritë”, që i mbështesin, mes Sali Berishës dhe Lulëzim Bashës. Sipas meje, kjo përplasje në gjirin e PD-së, e nxitur edhe nga Blinken& Soros..., nga larg dhe nga “miq pushtetarë dhe mediatikë” në Tiranë, pak javë pas “fitorjes së 25 prillit 2021” të Rama-rilindjes, nuk është as e rastit, as e papritur. Qysh në fillim të nisjes së ‘dyluftimit mes gladiatorëve” Basha-Berisha ka rënë në sy qenia në krah të tyre të dy femrave. Në krye të tifozerisë së Berishës ka dalë “vullnetarisht” mikja e tij e vjetër, në ditë të vështira, Evi Kokalari. Ndërsa tek bashistët, ka spikatur, mes disa sorosianistëve akoma me maska, Jonila Godole, prej mbi 25 vjetësh me maskë të çjerrë dhe vetëçjerrë. Edhe pse ai e di shumë mirë se cila është në rini dhe deri më sot Jonila Godole, edhe pse i është “kujtuar”, edhe nga unë e të tjerë disa herë, se ajo është sorosiane dhe “mish i huaj” për PD-në, përsëri ai po e mban fort, në krah të tij këtë “tifoze personale të flaktë”, e cila më shumë e dëmton se sa e ndihmon, sidomos duke i shkaktuar errozion të ndjeshëm në sinqeritet dhe besueshmëri.

Natyrisht, nuk është e vështirë kuptueshme se cili mund ta ketë investuar këtë “harakiri politik” të Berishës dhe Bashës dhe nuk po kursehet ta shtyjë sa më gjatë, deri në katandisjen e PD-së në një kufomë politike, të gjallë sa për emër dhe flamur. Prej 3 muajsh e gjithë vëmendja është përqëndruar tek PD, tek sherrnaja Berisha- Rama. Kështu " janë harruar" të këqiat më të mëdha: masakra zgjedhore e 25 prillit, “amatorizmi” në përbërje i Ramaqeverisë, ngritja e çmendur dhe e pandalshme e çmimeve, rritja në nivele më të larta e korrupsionit dhe kanabizimit, varfërimit, emigracionit, kriminalitetit, përfshirë edhe krimin seksual ndaj femrave dhe të miturve; shtyrja e re e hapjes së negociatave, zërat e partiakëve apo pushtetarëve rilindas në përgjimet e Ndraghetës...Në mënyrë figurative, duke kujtuar duelet e shekujve 18- 19 në disa vende të Perëndimit e në Rusi, Berisha dhe Basha mund të “vrasin” njeri-tjetrin e të zënë me trupat e tyre përfund PD-në. Kuptohet se pas kësaj Edi Ramës i mbetet t’i duartrokasë, duke u zgjërdhirë e të festojë gjatë në kabinetin kryeministror, në Surrel...Pse jo, edhe në një nga resorset apo skafet luksosë të Saimir Manes, me të ftuar nderi ambasadoren amerikane Yuri Kim, shoqëruar gjithë kohën e festës nga shoqja e saj e ngushtë, Elisa Spiropali, atë të BE, Luigi Soreca...

Këto javët e fundit, pasi në “raundet e parë” u sulmuan reciprokisht, me nëntekste dhe “ topa bore apo sheqeri, Berisha dhe Basha janë egërsuar dhe nuk po ia kursejnë njëri-tjetrit” goditjet për nokdaun apo nokaut. Berisha e humbi kontrollin, deri aty sa të kërcënonte ambasadoren Yuri Kim se “nuk do ta pranonte të futej në zyrën e tij, kur të ribëhej kryetar i PD-së dhe kryeministër i Shqipërisë”, duke harruar se kjo ditë do të jetë shumë e largët (me shumë gjasa, e paarritshme) dhe deri atëherë, Yuri Kim mund të ketë përfunduar mandatin në Shqipëri dhe në 1,2,3...vende të tjera. Basha, i qau hallin Berishës se me “këto deklarata dhe veprime kishte rënë shumë poshtë” si politikan, si ish kryetar, ish president, ishkryeministër..., duke “harruar” se nuk ishte lartësuar edhe vetë, me ato që ka bërë dhe thënë nëpër takime partake dhe media...

Sipas gjykimit tim, të dy po e vështrojnë nga poshtë Edi Ramën, duke lënë të mendohet sikur ai ua ka vënë në fyt...këmbët...Si çdo figurë historike, edhe Berisha, në këta 31 vjet PD, pluralizëm, demokraci...,ka suksese e merita dhe njëkohësisht, edhe dështime e gabime historike. Në këto kushte, kur e majta, de facto e de jure, ka shtënë në dorë të gjitha pushtetet, kur nuk mund të përcaktohet prerazi se cilët peshojnë më shumë, apo edhe kujt i ka shërbyer me vepra më shumë Berisha, të djathtës apo të majtës, ai vetë, me veprime dhe mosveprime, me përzgjedhje e zgjidhje, ka lënë arësye dhe hapësirë të bollshme, pët të shtruar disa pyetje. Përse ofroi në PD, u dha poste të larta në parti dhe qeverisje, që me shumë gjasa nuk i kishin ëndërruar apo menduar as vetë, plot “kuaj dhe pela Troje” apo “mishëra të huaj”!!!??? Mos vallë duheshin futur, se "kështu ishte loja"???

Se "kështu merrej kalaja nga brenda", për të arritur në këto vite, kur PD- ja, nuk duket as fare e vdekur e as tamam e gjallë, por si një "sallatë bajate" në menunë e demokracisë allashqiptare...??? Të gjitha zgjedhjet dhe zgjidhjet e gabuara të Berishës, me ligjin 7051, me firmat piramidale dhe 1997-tën(pa justifikuar aspak “kundërrevolucionin socialist” të PS-së, me qëllim rikthimin sa më parë në pushtet me çdo rrugë e faturë, me çdo bandë dhe armik të jashtëm), ofrim- largim-ofrimet e Imamit, Cekës, Zogajt, Selamit, Topit, Topallit, Patozit, Rulit, Bodes, Rusmajlit, Bregut... si dhe "kopilët" dhe “të këqiat”, që i lanë ata në derë, e sollën PD në “tragjedinë politike dhe qeverisëse” të 1997-tës e në humbjen e rëndë më 23 qershor 2013. Këta dhe “njollat” e “veprat” e tyre vazhdojnë ta pengojnë PD- në për të qenë 100% e aftë dhe e denjë për t'i ribesuar qeverisjen e vendit! A mund t' i pranohen dhe justifikohen si të rastësishme të gjitha këto përzgjedhje të gabuara Berishës?

Mund të pranohet me 1 apo 2, por jo me një tufë kaq të madhe! Në këto kushte, është koha që Berisha të mos vazhdojë më rolin e PROFESORIT apo SHEFIT, por thjeshtë të mjaftohet dhe kënaqet si një këshilltar dashamirës dhe jo imponues! Gjithësesi, është e domosdoshme dhe urgjente që Berisha dhe Basha të kuptojnë dhe reflektojnë sa më shpejt se duke menduar dhe dyluftuar për fronin e kryetarit të PD-së, po i bëjnë një gjëmë të rëndë partisë, DEMOKRACISË dhe Shqipërisë, të sotmes dhe të nesërmes. Njëkohësisht, se dyeli i tyre i stërgjatur dhe me rrjedhoja tejet të dëmshme mbarëvendore e mbarëkombëtare për fronin në PD, mund të sjellë “vrasjen politike” të të dyve dhe nxjerrjen fitues të Edi Ramës, krejt pa meritë dhe për të zezat apo gjëmat e reja të Shqipërisë dhe shumicës së shqiptarëve. Qysh nga 12 DHJETORI 1990 PD ka qenë dhe është NJË! Është në të mirën e DEMOKRACISË, të Shqipërisë dhe të Kombit që të jetë po kështu, edhe në të ardhmen.

Kjo nënkupton se nuk ka përse të mbahen dy kuvende të saj, më 11 Dhjetor nga Sali Berisha dhe mbështëtësit e tij dhe më 18 Dhjetor nga Lulëzim Basha me “tifozerinë” e vet. Do të mjaftonte një kuvend i përbashkët. Në të, me bindjen se “armiku” i vetëm apo e keqja kryesore për të dy palët është Rama-rilindje-qeveria, mund të debatohet demokratikisht se cili apo cila palë, me platformat dhe veprimet e saj, po i shërben dhe i duhet më shumë PD-së, shumicës së popullit dhe Shqipërisë. Pastaj, me zgjedhje demokratike dhe jo si ato që di të bëjë Edi Rama me çetën e tij, të zgjidhen kryetari dhe forumet e reja drejtuese të partisë, pa shpallur “puçistë” dhe “armiq të brendshëm”, pa të dënuar e të përjashtuar...

Nëqoftëse Basha dhe Berisha nuk tërhiqen nga instikamet e tyre individuale dhe grupore, nga pretendimet e tyre individualiste, duke “harruar” se PD është PARTI DEMOKRATIKE, atëherë një zgjidhje e mundëshme, kompromisi apo rrugëdaljeje nga ky qorrsokak, mund të ishtë një Komitet(Këshill) Drejtues me 5 anëtarë me rrotacion vjetor, për një afat 5 vjet...Në përbërjen e tij mund të ishin Lulëzim Basha, Jorida Tabaku, Tomor Alizoti, Agron Shehaj, Edi Paloka. Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij 31 vjeçar në drejtimin e PD-së, të shtetit dhe qeverive gjatë mandateve qeverisës të saj, Berisha mund të zgjidhej Kryetar Nderi i përjetshëm...Pas 5 vjetësh, nga sa kanë dhënë e treguar gjatë vitit si kryetar i komitetit drejtues, është bërë e qartë apo e kuptueshme se cili është treguar me vepra më i aftë dhe më rezultativ. Gjatë kësaj “gare” dhe përvoje drejtimi “piqen” mirë edhe Tomor Alizoti dhe Agron Shehaj...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat