“Ballkani i hapur”, ky varr për shqiptarët

Opinione

“Ballkani i hapur”, ky varr për shqiptarët

Nga: Hamdi Rafuna Më: 1 dhjetor 2021 Në ora: 13:13
Foto ilustrim

Mentaliteti pansllavist i çimentuar me botëkuptimet mesjetare obligon shqiptarët, jo vetëm të ëndërrojnë për bashkim, por të bashkohen njëmend si vëllezër të gjeneve e gjakut. Ky amanet i brezave ndër shekuj, kjo ëndërr e kamotshme e shqiptarëve të shkapërderdhun e të robëruar, ka gjëmuar rënd përherë e në kohë kur hienat sllave kanë shkëputur pjesë të atdheut! Sot apo nesër kjo ëndërr e stërgjyshërve, gjyshërve e baballarëve tanë duhet të bëhet realitet.

Sakrifica sublime e këtyre gjeneratave ndër shekuj është barrë brezit të sotëm! Është bosht i të ardhmes tonë si popull në mesin e popujve tjerë që gëzojnë lirinë për vendin e vetveten. Shprehja se vetë njeriu është farkatar i të ardhmes t’vetë, pa i marrë parasysh faktorët tjerë anësor nuk është e vërtetë sepse këtu hyjnë edhe faktor tjerë. Filozofi norvegjez Arne Næss ( 1912-2009 ) shpjegon në mënyrë të thjeshtë këtë: “Ai thotë se, po është e mundshme të ndikojnë faktorë tjerë anësor, kur ti nisesh për në treg në kambë dhe se ndërkohë fillon me ra shi-rrebesh, ti bëhesh qull nga shiu sepse ke harrua me e ngre kokën nga qielli para se të nisesh, përndryshe nuk kishe me e harrua ombrellën”!

Ne shqiptarët kemi pas dhe kemi probleme nga faktor të dukshëm njerëzor pansllav, por bindja është se e keqja më e madhe për vetveten tonë erdhi dhe është kah vjen nga mungesa e dakordësisë ndër-shqiptare. Kur do të mësohemi me kërkua diçka në emër të ardhmërisë së fëmijëve tanë? Kur do të jemi unik në detyra, kërkesa e ankesa përballë Evropës fajtore? Andaj kush heziton të fajëson te tjerët, se përse jemi këtu ku jemi, gabon sepse faji është te shqiptarët, dikush thumbit e të tjerët patkoit, me të vetmin qëllim për të mbetë në pushtet apo për të mbërri në pushtet e jo për të bërë shtet. Pansllavistët mbrojnë të huajën, ne s’kemi guximin as për tanën! Pyetja shtrohet se a mundet njeriu i vetëm me zgjedhë me vetë dëshirë për me qenë vetvetja edhe në vepër? Prof. norvegjez, Arne Næss në librin (Prej nga vjen realiteti) sqaron

> me këtë perceptim kur thotë se; “Ti nuk je shkaktar lindjes tënde, sepse tjetër kush të bie në jetë dhe se ndërkohë përparon vetveten dhe bëhesh shkaku me atë se çka bën, kjo është vepra. Ti zgjedhë ato që do, d.m.th ato që janë mbuluar me shkakun e veprimeve tua! Më gjatë nuk arrin dot në rrugën që shkon, ndoshta je i vetëm. (fq.81) Po a jemi ne shqiptarët vetvetja me veprat që i bëjmë për shtetin, kombin dhe ardhmërinë? Pikëpyetje e madhe kjo, sepse është e vështirë me përcaktue kahjen e njeriut tonë në politikën ndërshqiptare e ndërshtetërore.

Sjellja e kryeministrit shqiptar Edi Rama plotëson «besën e shqiptarit» por se jo për shqiptarët!! Këtu kemi vend për konspiracion kur Kosova për Amerikën është kah bëhet sikurse dikur Cuba për ish Bashkimin Sovjetik! Krahasim banal por veprime banale të aktorit tonë kryeministër! Përkrahja e Serbisë për të dominue në Ballkan është edhe më e dëmshme se sa sjelljet pesëshes nga BE-ja që nuk e kanë njohë pavarësinë tonë! Koketimet me Serbinë për Ballkanin e hapur e ngulfatin pavarësinë e Kosovës. Këtu nuk është asgjë sekrete, nëse analizohet përkushtimi i kryeministrit. “Kjo është çështja se jemi njerëz dhe kemi ato periodat kur shkëlqejmë dhe kur jemi vetë djalli” thot filosofi Arne Ec e merre vesh shqiptarin kur ai bëhet i madh dhe s’pyet fare popullin!

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat