Kush ia mpreh brirët Serbisë po dihet, por Evropa s’duhet si macja për rreth të lëpihet

Opinione

Kush ia mpreh brirët Serbisë po dihet, por Evropa s’duhet si macja për rreth të lëpihet

Nga: Dedë Preqi Më: 6 dhjetor 2021 Në ora: 16:00
Dedë Preqi

Të dëgjohet edhe zëri i një populli jo aq i vogël në mesin e Evropës, me përjetimet e rënda tragjike gjatë gjithë historisë së vet, duke derdhur shumë gjak me gjenerata te tëra, vetëm për të arritë të drejtën dhe lirinë e vet njerëzore, mendoj se është mënyra e vetme që do të lehtësonte dhembjet dhe do të shëronte ndjenjat e gjithë njerëzimit në mënyrë reale, për të ndihmuar e mbështetur afirmimin dhe internacionalizmin e luftës së drejtë edhe të popullit shqiptarë, në mënyrë që edhe ky popull si edhe gjithë popujt tjerë të fitojnë përkrahjen e tyre nga opinioni i lirë dhe i civilizuar e progresiv botëror.

Prandaj, jemi në prag të vitit 2022, pikërisht në kohën kur gjitha vendet botës së lirë promovojnë dhe realizojnë frytet e demokracisë, duke respektuar lirinë, barazinë dhe të drejtat njerëzore, pa të cilat jeta është e kotë dhe e pa vlerë dhe aq më pak bëhët faktor i ndryshimeve pozitive në favor të mirëqenjës dhe vetëvetës.

Edhe Kosova si një shtet i ri demokratik dhe i pa varur, me ç’rast nuk mohohet nevoja për një zhvillim edhe më të mirë dhe të shpejtuar të saj, por ka zhvilluar deri dikund marrëdhënie me botën varësisht nga mundësia e zhvillimit dhe miqve të vet, në nevojat dhe forcimin e pavarësisë së vet. Kosova ka arritë një shkallë të zhvillimit të vet dhe bashkëpunimin me shumë vende të Evropës dhe botës, të cilat edhe e kanë njohur shtetësinë e saj, në krye me SHBA-të, dhe aleatët tjerë respektiv.

Kosova do të pranonte ti bashkohet çdo iniciative dhe çdo Organizate botërore, që kanë për synim paqën dhe bashkëpunimin ndërnjerëzor, dhe të bëhët anëtare e rregullt e tyre dhe faktor i rëndësishëm i stabilitetit në vendin e vet, në rajon dhe botë, por për fat të keq, politiken represive dhe luftënxitëse akoma Serbia, e ndjek dhe e vazhdon me rrolet e veta preverse kundër pavarësisë së Kosovës, e cila po ndikon në çdo aspekt për ta penguar linjen e saj dhe inkuadrimin në Organizatat e ndryshme ndërkombëtare.

Zhvillimi i marrëdhënieve të përgjithshme në mes Serbisë dhe Kosovës, duhej të ishte në funksion dhe interes të të dyja palëve, por edhe në funksion të zhvillimit të interesave dhe marrëdhënieve afatgjata në nivel të realizimit të përcaktimeve parimore, duke marrë parasysh tendencat e tanishme të Serbisë, e dëshmojnë të kundërtën e asaj, e cila çdo projekt të shtetit të pavarur të Kosovës, mundohet ta kthejë mbrapa, apo në pikën zero.

Është diçka absurde të flitet sot për standartet e jetës bashkëkohore dhe botën demokratike e paqësore, kur kaluan 20 e më shumë vite pas luftës fashiste të Serbisë dhe dëbimit të saj nga Kosova, duke e marrë edhe ndëshkimin që e meritoj, dhe sot prapë politika e saj sikur nuk ka ndryshuar fare me të kaluarën ndaj Kosovës, duke bërë përpjekje të nxisë konflikte, apo të kërcënoj me një luftë të re me përmasa edhe më të rrezikshme.

Një politikë e tillë hegjemoniste serbe mund të kuptohet edhe si nevojë për tërheqjen e vëmendjes së popullatës serbe në Serbi dhe gjithandej nga problemet e tij jetike, si formë e rrezikshme e veprimit të regjimeve komuniste dhe postkomuniste, që duke prodhuar vazhdimisht konflikte dhe lufta të pakuptimta, e rritë gjithnjë dhe përherë problemin dhe të ardhmën e gjeneratave të reja, të cilët nuk do të pajtoheshin me një politikë të tillë, sikur edhe tani që nuk pajtohen me politikën e kryetarit të sotëm Aleksandër Vuçiq, duke e kundërshtuar regjimin e tij përmes protestave të përditshme nëpër gjitha qytetet e Serbisë.

Dhe tejkalimi i kësaj politike dhe situate nuk mund të arrihet me zbatimin këmbëngulës të një politike të tillë, që Serbia po e realizon në sytë e Evropës dhe botës, ndaj një popullate të pafajshme dhe paqësore, kjo nuk mund të arrihet as me kompromiset dhe konqesionet e qelbura të regjimeve të kaluara, të cilat përmes disa planeve dhe strategjive të reja, sikur me Asosacionin e komunave serbe në veri të Mitrovicës, apo me iniciativën e «Ballkanit të hapur» tentohet jo vetëm ta prolongojnë shtetësinë e Kosovës, por edhe ta ndajnë e ta fusin edhe një herë nën kthetrat e veta.

Kosova si gjithherë do angazhohet kundër dhunës dhe kërcënimëve si mjete për zgjidhjen e problemeve me palën serbe, dhe zgjidhja e drejtë e problemit mund të arrihet vetëm përmes dialogut paqësor, që do të ishte alternativa më e mirë dhe më legjitime, duke llogaritur ndërmjetësimin e pashmangshëm të SHBA-ve, dhe të BE-së, sepse pa pjesëmarrjen aktive të tyre çdo zgjidhje do të dështojë, duke ditur se Serbia, duke gjeneruar vazhdimisht konflikte dhe mbajtje të gjendjes së tensionuar dhe patologjike në Kosovë, nuk do ta ndryshonte akoma kursin e saj politik ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës.

Angazhimet e Evropës, duhet të ishin më të shëndetshme dhe më të dëshmuara për të zgjidhë problemet e pasluftës në mes Serbisë dhe Kosovës, sikur paraqitet një lloj neglizhence dhe mosbesimi real i BE-së, ndaj një çështje shumë të rëndësisshme, me marrjen e një serioziteti dhe guximi që të zbusë provokimin dhe vrazhdësinë politike të Serbisë, dhe të prezentohet më e fuqishme dhe më efikase ndaj formave dhe qëllimeve të errëta të një vendi, që pretendon në të ardhmën ti bashkangjitet familjes evropiane.

Kuptohet se kush po ia mpreh brirët Serbisë, sikur që është Rusia dhe disa vende tjera, por BE-ja, nuk duhet të qëndroj aq indiferente, sikur nuk po ndodh asgjë prej provokimeve dhe kërcënimeve të përditshme të Vuçiqit, ndaj popullatës dhe shtetit të Kosovës, dhe të lëpihet pas ledhatimeve të Serbisë, duke e ditur se me pengimin e demokratizimit dhe shtetësisë së Kosovës, që është një investim pothuaj i gjitha vendeve demokratike të botës dhe tani të kërcënohet me luftë ndaj këtij realiteti, mund të destabilizohet i tërë Ballkani perëndimor dhe vendet e rajonit, duke krijuar edhe një konflikt të mundshëm dhe përçarje në mes vendeve të BE-së, që do të ndikonte edhe në plasaritjen e një krize në gjirin e NATO-s, të cilën në një mënyrë këtë po e këron Rusia dhe Kina, duke u shërbyer përmes rrethanave që po i krijon A.Vuçiq dhe Serbia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat