”Shqipëria dhe Kombi janë mbi partitë dhe liderët”!

Opinione

”Shqipëria dhe Kombi janë mbi partitë dhe liderët”!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 22 dhjetor 2021 Në ora: 11:48
Xhevat Mustafa

Ishin jo pak në protestën e 20 dhjetorit 2021 kundër maskaradës së re Rama-Vuçiç-Zaev në kuadër të “Ballkanit të hapur”. Por, edhe pse dimër dhe ditë e ftohtë, mund dhe duhej të ishin shumëfish më tepër, sidomos nga Shqipëria e Kosova. Ata që morën pjesë në këtë protestë, e para: nuk shkuan në atë shesh para Kryeministrisë për Berishën, por për KOMBIN dhe kundër "Ballkanit të hapur" të Rama-Vuçiç- Zaev...! Aq më tepër që Vuçiç deri më 20 dhjetor as nuk ka menduar të reflektojë, shprehë pendesë dhe falje ndaj Kosovës dhe familjeve të mijëra shqiptarëve kosovarë të vrarë dhe zhdukur prej ushtrisë milosheviçiane, të heqë dorë nga mosnjohja e saj e nga bllokimi i njohjeve nga shtete të tjerë.

E dyta: një pjesë, e pjesa tjetër, ndoshta më e madhe, shkuan në protestë për të nxjerrë mallin e protestave, që ua ka bërë aq të largëta, gati si të harruara, Lulëzim Basha me disa shokë e shoqe. Pra, këta SHQIPTARË, anti Rama-Vuçiç dhe anti “Ballkani i hapur” shkuan në atë protestë edhe për të shprehur burrërisht apo në shesh të burrave se edhe më tepër se Berishën, këto muajt e fundit përbuzin dhe urrejnë Lulëzim Bashën me “tufën e tij”!!! Nënkuptohet se qenia në krye të kësaj proteste e Sali Berishës, me ushtri kundërshtarësh nga e majta dhe e djathta, me “non gratan amerikane” në gjoks,  ka luajtur rol pengues...Por, sipas gjykimit tim krejt subjektiv, nisur nga domosdoja e një kundërveprimi mbarëkombëtar ndaj atij takimi të ri propagandistik Rama-Vuçiç-Zaev, mund të ishin gjetur ura komunikimi me Berishën edhe nga socialistë elitarë SHQIPTARË, nga copëza e Basha PD-së, nga Shoqëria Civile...,  për t’u bashkuar me atë dhe mbështetësit e tij në protestë, me moton e njëzemre e të njëzëshme: ”Shqipëria dhe Kombi janë mbi partitë dhe liderët”!  Ata që do të merrnin fjalën në protestë, aty lart në podium, mund t’ia thonin në sy Berishës: “Nuk të kemi dashur, nuk të duam dhe nuk do të të duam sa të jesh gjallë.

Por, sot, pa të besuar se je 100% i sinqertë dhe i painteres individualisht, meriton përgëzime për ideimin e kësaj proteste në mbrojtje të interesave kombëtare, sepse megjithë moshën, hallet e mëdha që të kanë rënë mbi kokë, e more përsipër këtë barrë të rëndë!” Ata që mund të ishin SOCIALISTË idealistë, burra të pakompromis dhe pa komplekse inferioriteti dhe servilizmi ndaj kryetarit Edi Rama, do të hynin në histori nëse do të kishin guximin, kurajon dhe zërin t’ia thonin nga podiumi liderit të tyre:”Të kemi dashur, të duam dhe do të duam, por me këtë pjellën  e përbashkët me Vuçiçin dhe Zaevin, “Mini Shengeni Ballkanik apo “Open Ballkan”, nuk jemi dakord, sepse rrezikon apo cënon interesat shtetërorë të Shqipërisë dhe ato kombëtare”.

Por, fatkeqësisht, edhe në mbrëmjen e 20 dhjetorit 2021 u vërtetua se jemi popull kafenesh, qebabtoresh, patriotë fjalësh...Indiferentët apo spektatorët ndaj protestës së 20 dhjetorit 2021, organizuar për një arësye të fortë mbarëkombëtare, treguan se për inat të Berishës, "flejnë" edhe me Ramën, edhe me Vuçiçin! Edhe një ditë para kësaj farse të re, por të bajatosur, Vuçiçi, Zaevi dhe Edi Rama përrallisën se kanë ndërmend dhe plane të bëjnë "një popull unik ballkanik", pra të na bëjnë edhe ne shqiptarëve...serbë"..!!!??? Ndërsa, kur mbaruan pazaret dhe llogjet e ditës së parë të “takimit vëllazëror”, në mbrëmje, kur u ritakuan për të festuar për “fitorjen” e re, në restorantin e Lucës e kishin ulur Alex Sorosin, në vend të të atit, edhe si të ftuarin e nderit, edhe si shef, edhe si profesor...!!! Shumëkujt prej shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve mund t’u lindë natyrshëm pyetja: po ky Alex Soros, bir i një antishqiptari të tërbuar edhe më shumë se ai,  përse ka qenë dhe është i pranishëm në të gjitha “samitet” në kuadër të “Mini Shengenit Ballkanik” apo të “Open Balkanit”???   Ndërsa nga Prishtina, Baton Haxhiu, i njohur në Kosovë, më shumë si filoserb se sa si shqiptar, me dijeni të plotë edhe për djegien e disa flamurëve serbë, e vë fare në dyshim organizimin e kësaj proteste.

Unë jam njëri nga ata mijëra që e  e pashë me dy sytë e mi PROTESTËN ANTI VUÇIÇ- RAMA!!! Po Batoni me sytë e kujt e ka pa? Me sytë e Ramës apo Vuçiçit???  Në mbyllje: njerëzit gjykohen dhe vlerësohen nga veprat e jo nga fjalët, që zhyten e rrëshqasin nëpër "ujëra të llumta" si..peshqit e Lucës

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat