Pse Mushkolaj nuk i kërkon falje Dr. Berishës?!

Opinione

Pse Mushkolaj nuk i kërkon falje Dr. Berishës?!

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 8 janar 2022 Në ora: 10:27
Prof. Dr. Sali Berisha

Në misionin - DEBAT - të Ermal Pandurit, ke TV "Dukagjini", reprizë, i ftuar Besnik Tahiri i AAK-së, përballë analistëve Imer Mushkolaj dhe Vehbi Kajtazi. I inkuadruar, -online- nga Tirana, Prof. Dr. Sali Berisha.

Tema: Zgjedhjet, Gjykata Speciale e tjera.

Dr. Berisha u pyet, në mes tjerash, për 4 (katër) çështje:

1) Gjykata Speciale dhe të izoluarit në Burgun e Hagës;

2) Kufiri detar me Greqinë;

3) Roli i Lulzim Bashës në procesin hetimor të krimeve në Kosovë;

4) Çështja e Remzi Hoxhës.

Dr. Berisha, qartësisht e bindshëm, shpjegoi dhe arsyetoi domosdonë e krijimit të Gjykatës Speciale, pas akuzës të bërë nga senatori zvicërian Dick Marty, për transplant të organeve dhe "Shtëpinë e Verdhë". Edhe aprovimi i Rezolutës nga Komisioni Evropian, për Komisionin hetues, ishte i pashmangshëm, i cili do ta sqaronte akuzën në fjalë.

I kuptoj PAN-istët, të cilët i heshtin mizoritë torturuese, deri në krimet vrastare, kundër kundërshtarëve politikë shqiptarë të pafajshëm, që përshkruajnë në librat e tyre: Prokurorja Carla del Ponte dhe Dick Marty, që përkojnë me dëshmitë faktike dhe varret numerike anekënd Kosovës, por, jo edhe Dr. Berishën, të cilit nuk i shpëton asgjë, qoftë në Shqipëri apo në Kosovë. Për çudë, Dr. Berisha garanton, madje apriori, pafajësinë në hetuesinë e Hagës të "krerëve" të UÇK-së, duke e përjashtuar edhe akuzën bazë - Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale -, edhe pse ekzistojnë listat emërore, të bëra në Hotel "Rogner", me autorësi të SHP të UÇK-së!

- Analisti Imer Mushkolaj reagoi: "Zoti Berisha, pse tani e mbroni Hashim Thaçin, të cilin dikur e keni akuzuar për tradhti?"

- Dr. Berisha: "Për tradhtinë e bërë, pazaret e ndyra, për ndarjen e Kosovës, nga Thaçi, në bashkëpunim me Baton Haxhiun dhe Vuçiqin, i kisha varë të tre në mes të Prishtinës".

- Mushkolaj: "Edhe ju, zoti Berisha jeni akuzuar për tradhti, për kufirin detar me Greqinë!

- Dr. Berisha: "Unë kam arritur një marrëveshje deri në 6 milje, ndërsa Edvin Rama e ka shtrirë në 12 milje, në favor të Greqisë!"

- Mushkolaj: "Hashim Thaçi nuk ka bërë asnjë tradhti, kufiri i i Kosovës është ai 2008-ës, i shpalljes të pavarësisë, prandaj mos manipuloni, zoti Berisha. Këto manipulime nuk të shitën këtu" dhe tjera shprehje hiç të kontrolluara!

Realisht, analisti Mushkolaj ishte i vrazhdët me Dr. Berishën dhe krejt i padrejtë. Sepse Hashimi për të shpëtuar nga akuzat e pritura, për krime lufte, pazarin e kishte bërë me Vuçiqin.

Me porosi të Hashimit, argatii tij, Baton Haxhiu, në T7, në emisionin "Pressing", te Leonard Kërçukut, shpalosi marrëveshjen Thaçi-Vuçiq:

1) Të zhbëhet Gjykata Speciale;

2) Të falën krimet reciproke;

3) Të bëhet pajtimi shqiptaro-serb!

Madje, Hashimi, shkoi edhe më larg, për ta shmangur reagimin ndërkombëtar pagoi, të paktën, këstin e parë zyrtar të lobimit, prej 168 mijë euro. Lëvrimin e parave, një kompanie lobuese në Paris, e bëri ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha. Tradhtia mbeti në tentativë, pasi u stopua, u pengua nga Kancelarja Angela Merkel dhe kryeministri Albin Kurti. Megjithatë, tradhtia nuk ka brirë!

Por, kjo nuk është e vetmja. Elemente të tradhtisë faktike janë edhe aprovimi i uzurpimit të 40 hektarëve tokë nga Manastiri i Deçanit. Me rastin e ndalimit të ndërtimit të auto-rrugës: Deçan-Plavë-Guci dhe tutje për Shqipëri, deri në Adriatik, Vuçiq iu referuar Hashimi Thaçit, duke shpalosur letrën, me skicimin zikzak, të një rruge, leçe-leçe, "kodra pas bregut", duke shmangur projektin komunal, në rrugën klasike-shekullore, për dy fshatrat dhe bjeshkët e Deçanit, e cila, tashmë, do të bëhej rrugë rajonale-ballkanike, të një rëndësie të veçantë ballkanike, duke përshkuar tri shtete: Kosovë-Mal të Zi-Shqipëri.

Përvajshëm dhe i mllefosur, do të ankohej kryetari i komunës së Deçanit, Burim Ramosaj. "Më tradhtuan të gjithë, më lanë të vetëm. Por, nuk do të dorëzohem, sepse është një kërkesë, jo vetëm e popullatës të komunës të Deçanit, por, edhe më gjerë në Kosovë". Të kësaj mendjeje janë edhe kryetari i Shoqatës të Intelektualëve të Deçanit, Shkodran Imeraj, krijuesi dhe studiuesi Adem Lushaj, doajeni i gazetarisë kosovare, Zekë Sinanaj, Shoqata e Historianëve të Deçanit, Shoqëria Civile dhe të tjerë.

"Xhevahiret" e Hashimit, me pazaret e tij të pista, me tokat shqiptare, janë unike dhe kundërmojnë tradhti: Nënshkrimi i Demarkacionit dhe falja e 8.200 hektarëve tokë Malit të Zi; nënshkrimi i "Zajednicës", e cila vazhdon të jetë, sot, "Thembër e Akilit", për Qeverinë Kurti dhe Kosovën; nismoi opsionin e ndarjes së Kosovës! Pra, vuri në tavolinën e bisedimeve temën e ndryshimit të kufijve, gjë që stopoi njohjet e mëtejme të Kosovës.

Rrjedhimisht, Hashim Thaçi, duke abuzuar me postet e larta shtetërore dhe në konspiracion të plotë me Vuçiqin dhe bandën e tij, relativizoi pavarësinë e Kosovës, madje, edhe pas aprovimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke e kthyer çështjen në parapavarësi, pra, krejt në fillim! E tmerrshme.

A nuk janë këto dhe fakte të tjera, siç është vënia në shërbim të sigurimsave të Enver Hoxhës, të cilët e instruktuan Hashimin me LPK-në e tij, për ta marrë pushtetin me dhunë, duke eliminuar kundërshtarët politikë, shqiptarë të pafajshëm; të shërbimit francez DGSE; sabotimimt të luftës së Kosovës, akuzë kjo e bërë, jo nga unë, por nga shokët e tij dhe deri ke rrënimi i Drejtësisë dhe të institucioneve të tjera, duke i hapur rrugë hajnisë industriale zyrtare në Kosovën e pas luftës, për t`i dhënë të drejtë Dr. Berishës, kur vënë "pikën mbi "i", duke e akuzuar Hashim Thaçin për tradhti?!

Kjo duhet t`i shërbejë edhe analistit të nderuar, Imer Mushkolaj, për t`u këndellur se Kosova është ngulfatur, pikërisht" nga tradhtia e disa "komandantëve" banditër, mujëshorë dhe hajnorë. Spastrimi i tyre, nga skena politike, përmes sistemit të drejtësisë, do ta bënte Kosovën dhe popullin e saj të frymojë lirshëm. Mediat vizive, shkrimore, gazetarët dhe analistët, do të duhej të viheshin në ballë të kësaj frymëmarrjeje të shpenguar, duke u dhënë leksionin e duhur edhe bllokuesve të Vettingut, përkatësisht, Prokurorit të Shtetit, me stafin e tij të përgjumur; Këshillit prokurorial dhe Këshillit gjyqësor. Gazetarët me mediat e tyre në dispozicion, duhet t`i paraprijnë proceseve shoqërore, për ta ngritur nga përtokja Kosovën tonë, tani për tani, hiç të dinjitetshme!

I pyetur për rolin e Bashës në Kosovë dhe përfoljet me dosjet "kundër" UÇK-së, Dr. Berisha, në mes tjerash, tha se Edvin Rama bëri shpifjet monstrume ndaj Lulzim Bashës, pikërisht, në prag-zgjedhje në Shqipëri! Rama me mendjen e errët dhe shpirtin katran, akuzoi se, kinse, Basha ka hartuar dosjet për krimet e UÇK-së, përgjatë shërbimit pranë UNMIK-ut në Kosovë, Dr. Berisha e demantoi si akuza të turpshme dhe kriminale.

Përkundër, Lulzim Basha është shqiptari i vetëm, në komisionin hetues, për krimet e Millosheviqit. Në asnjë rast e rrethanë, Lulzim Basha kurrë nuk do të pranonte të vepronte në dëm të UÇK-së dhe Kosovës, - dekoroi Prof. Dr. Sali Berisha.

Analisti Mushkolaj pyet Dr. Berishën: "Çfarë dini ju për çështjen e biznesmenit Remzi Hoxha, i zhdukur në Tiranë, më 1997?

Dr. Berisha: "Për herë të parë emrin e Remzi Hoxhës e kam dëgjuar nga ish-miku im Adem Demaçi. Menjëherë kam dhënë urdhër të gjitha strukturave përkatëse, ta hetojnë dhe ta zbardhin çështjen e Remzi Hoxhës. Unë humba pushtetin më 1997. Por, pse nuk e zbuluan rastin pasardhësit e mi në pushtet? Sepse këtë njollë donin t`ia faturonin Sali Berishës. Andaj, nuk bënë asgjë"!

Analisti Mushkolaj: "Megjithatë, krimi ndodhi kur ju ishit në pushtet dhe nuk mund t`i ikni përgjegjësisë, për rastin e Remzi Hoxhës, zoti Berisha".

Realisht, për ndryshim nga çështjet tjera, ku analisti Imer Mushkolaj ishte tendencioz, agresiv, mujëshor, brutal dhe nuk kishte fare të drejtë, për rastin e Remzi Hoxhës, e drejta ishte në anën e tij.

Një paralele të Dr. Berishës dje, me Kurtin sot. Sistemet e ndara dhe pavarësia absolute e institucioneve, në rastin konkret të sistemit të drejtësisë, ka depozituar dosje dhe krime të pa fund, pa shpresë shqyrtimi e ndëshkimi. "Unë humba pushtetin dhe pasardhësit e heshtën çështjen e Remzi Hoxhës",- shfajësohet Dr. Berisha. Rasti Hoxha është një krim zyrtar, kaluar përmes një procesi arrestimi, hetimi. Ngulmimi i Dr. Berishës, si president i vendit, duhej të ishte më serioz.

E kuptoj pavarësinë e gjyqësorit. Por, shthurja e një sistemi abuziv, deri në mbrojtjen e krimeve makabre, siç po ndodhë sot, në Kosovë, me Këshillin kolegjial e prokurorial, me Kryeprokurorin e Shtetit, Lumezi, që ua kanë bërë bllok kryeministrit Kurti dhe ministres Albulenë Haxhiu, duke bllokuar Vettingun, absolutisht të domosdoshëm. Këta korruptivë, të cilët , me fshehjen, heshtjen e krimeve, gjithsesi, janë bërë pjesë e krimeve.

Në Shqipëri drejtësi nuk ka vënë as Berisha, as Nano, as Rama, me atë palo "Vettingun" e tij. Paraja dhe banditizmi i dhunshëm, i ka fituar të gjitha gjyqet. Janë shumë mijëra prona, të cilat i kanë humbur shqiptarët, të cilët jetojnë jashtë Shqipërisë londineze, të grabitura dhunshëm, nga banditët, të lidhur fort me prokurorë e gjyqtarë, përkatësisht, me pushtetarët, qofshin ata të majtë apo të djathtë. E gjithë kjo hajni, pothuaj se zyrtare, edhe sot mund të hetohet, gjykohet e ndëshkohet dhe pronat t`u kthehen të zotëve. Një pronë tej hektarit, e rrethuar me kangjella të kushtueshëm, në Tiranë, krejt afër një truallit tim, e ka pasur edhe Remzi Hoxha. Pas zhdukjes së tij, pronën e gëzuan banditët pushtetarë, pa dhënë asnjë qindarkë familjes Hoxha!

Për keqardhje, shqiptarët përtej Shqipërisë londoneze, vuajnë nga sindromi i së majtës shqiptare. Në raport me Enverin dhe Zogun, përkrahin të parin, edhe pse për afro pesë dekada, ushtroi dhunë fashiste karshi shqiptarëve të vet! Njëjtë po ndodhë, në mes Ramës e Berishës, mbështesin të parin, edhe pse Dr. Berisha është bërë "kurban" i Kosovës, duke mbetur stoik në mbrojtje të saj, qoftë nga vuçiqët e jashtëm, qoftë nga thaçistët e brendshëm.

Këtë përshtypje e la edhe analisti Imer Mushkolaj, edhe pse njihet për paanësi. Ai nuk e kurseu Prof. Dr. Sali Berishën, as si personalitet unik; i parë në përgatitjen intelektuale në Shqipëri; madje, as si moshë! Shkurt, la shije të hidhur. Dhe, pritej kërkim-falja e Mushkolajt, gjë që ende nuk e bëri!

Gjithsesi, kërkim-falja është fisnikëri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat