Partia Demokratike duhet të lirihet nga binomi Berisha-Basha!...

Opinione

Partia Demokratike duhet të lirihet nga binomi Berisha-Basha!...

Nga: Dibran Demaku Më: 11 janar 2022 Në ora: 11:09
Dibran Demaku

Kur vite më parë pata lexuar një tregim të shkrimtarit turk Aziz Nesin i cili bënte fjalë për „luftën“ brenda partiake, pata menduar se ngjarja ishte vetëm një fantazi e shkrimtarit për të bërë një atë tregim humoristiko-satirik.

Por, ja që tregimi i Nesinit u tregua të jetë real falë një partie politike shqiptare, Partisë Demokratike dhe dy akterëve të saj kryesor Sali Berishës dhe Lulzim Bashës si dhe të përkrahësve të tyre fanatikë.

I vetmi ndryshim ishte se në tregimin e Nesinit, ata që u rrahën në mes tyre ishin pushtetarët, ndërkaq tek „tregimi“ shqiptarë ata që u rrahën në mes tyre ishin opozitarët.

Dhe derisa në tregimin e Nesinit, rrahja ishte bërë gjatë një koncerti të ideuar dhe dizajnuar nga pushtetarët dhe në një ambient të mbyllur, nën tendë, tek shqiptarët përleshja u bë në ambient të hapur.
Tek tregimi i Nesinit, pushtetarët kishin organizuar koncertin në të cilin kishin ftuar edhe opozitarët që t‘i rrihnin, por që kishin dalë të rrihen në mes vete, tek shqiptarët ishin opozitarët që u rrahën dhe shkërmoqën në mes tyre.

Pamjet televizive nga vendi i ngjarjes tek përleshja në mes të anëtarëve të së njëjtës parti, ishin sa tragji-komike, po aq edhe groteske. Ato pamje mbase në të ardhmen do të përdoren si dëshmi autentike të ngritjes dhe të rënies së një partie politike, në ndonjë film dokumentar apo artistik. Dhe në atë film dokumentar apo artistik do të shfaqet e tërë marrëzia shqiptare, në një kohë të pakohë.

Edhe më tragji-komike dalin të jenë tash pas betejës, të dy akterëve me emër dhe mbiemër SALI BERISHA dhe LULZIM BASHA! Që të dy shpallin fitore, kur në të vërtetë përleshja do të duhej që të ishte edhe fundi i tyre politik, por edhe moral e njerëzor.

Pas kësaj përleshjeje tragji-komike, si Berisha ashtu edhe Basha, e kanë humbur çdo të drejtë politike dhe morale që të zgjidhen në krye të Partisë në fjalë. Anëtarësia e Partisë Demokratike, duhet të përshëndeten me Berishën dhe Bashën dhe të zgjedhin dike tjetër në krye të Partisë Demokratike.
Partia Demokratike duhet të lirohet nga binomi Berisha-Basha!...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat