“Më mirë i fikur se i koritur”!

Opinione

“Më mirë i fikur se i koritur”!

Nga: Dibran Demaku Më: 16 janar 2022 Në ora: 11:39
Dibran Demaku

Kosova,apo shkurt e shqip,Qeveria e Kosovës, dje ishte nën dilemën të pranonte propozimin e vendeve të Kuintit (SHBA-së, Mbretërisë së bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë) që të lejonte referendumin serb për ndryshime kushtetuese, të organizohej edhe në Kosovë dhe me këtë edhe të fikej edhe të koritej, apo të refuzonte dhe të fikej e të mos koritej. Dhe Qeveria zgjodhi të dytën se siç thotë populli: “më mirë i fikur se i koritur” dhe bëri më të mirën të mundshme në këtë moment delikat.

Serbia, ishte mësuar që të bënte presion tek ndërkombëtarët, e ndërkombëtarërët atë presion serb ta bartnin mbi supet e institucioneve të Kosovës, që t’i lejonte Serbisë që të organizonte çfarë t’i tekej edhe në Kosovë, si të ishte livadhi i saj.

Dhe të parët e institucioneve të Kosovës, në fillim deklaroheshin e përbetoheshin se nuk do të lejonin Serbinë të bënte si të donte,por në fund lëshonin pe dhe Serbia nëpërmes të serbëve të Kosovës zgjëronte praninë e saj, si në livadh të babës. Me lëshimin pe në momentet e fundit, paria e Kosovës edhe fikej edhe koritej.

Duke e ditur këtë praktikë, paria serbe, në mjetet e ndryshme të informimit deklaronte: - “në krahinën tonë jugore të Kosovës dhe Metohisë” do të mbahen këto e ato zgjedhje, ky apo ai referendum,sepse teritori i Kosovës dhe Metohisë është pjesë e pandashme e Serbisë”!

Ndërkaq, paria jonë dilte me deklarata se: e kishte pranuar kërkesën e Serbisë, për hirë të asaj se një kërkesë të tilll,e kërkonin edhe miqtë tanë që kishin ndihmuar në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës!

Me këto lejime, paria e Kosovës ia zgjaste edhe më shumë apetitet Serbisë dhe serbëve në Kosovë saqë të dy palët deklatonin (dhe deklarojnë edhe sot)se: punojnë ditë e natë për Serbinë dhe Kosovën si pjesë të saj)?!

Kështu do të deklaronin edhe vetëm dy ditë më parë,autoritetet serbe dhe serbët e Kosovës (të bindur se paria e Kosovës do të përulej para bashkësisë ndërkombërare,siç ishte përulur x raste të tjera) “se nuk do të kishte forcë që të ndalonte referendumin e Serbisë në Kosovë”!…

Është e ditur dhe e kuptueshme se Serbia dhe serbët që jetojnl në Kosovë, edhe për një kohë nuk do ta pranojnë realitetin se Kosova është shtet i pavarur. Dhe kjo tashmë nuk paraqet kurrfarë habie, por e habitshme deri në rrefuzim është qëndrimi i bashklsisë ndërkombltare, apo thënë më mirë i vendeve demokratike perendinore të cilat kanë ndihmuar në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ato, shumë herë deri me tani kanë rënë nën ndikimin e presionit serb duke kërkuar nga Kosova që të lëshojë pe ndaj kërkesave të Serbisë, me arsyetimin se një ditë Serbia do të demokratizohet dhe do ta pranojë realitetin.

Me këto veprime,mbase është e interesuar që ta ruaj një stabiltet të rremë dhe ta shtyej tutje sa të jetë e mundshme!

Testimi i fundit i bashkësisë ndërkombëtare mbase ishte i koordinuar në atë mënyrë që të shihte se cila nga palët në konflikt do të lëshonte pe. Dhe ishte pala kosovare që nuk lëshoi pe (sepse ishte në të drejtën e saj) dhe mirë bëri që nuk lëshoi pe dhe nuk u korit. Po të lëshonte pe edhe kësaj radhe edhe do të fikej edhe do të koritej - siç thuhet në popull!

Nuk u fik as nuk u korit!…Për këtë veprim paria e Kosovës meriton të përgëzohet dhe të duartrokitet…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat