21 janari 2011, kërkon drejtësi e jo lot krokodili!

Opinione

21 janari 2011, kërkon drejtësi e jo lot krokodili!

Xhevat Mustafa Nga Xhevat Mustafa Më 21 janar 2022 Në ora: 08:31
Protesta

21 janari 2011, pasurim i "thesarit teoriko- praktik të revolucionit bolsheviko- shqiptar 1997", mund të quhet "kryevepra" e PS- së në "artin" apo "historinë" e protestave të dhunshme, edhe përtej Shqipërisë, me synim ardhjen në pushtet, më çdo rrugë, formë, çmim, mjet...!Atë ditë nga organizatorët kryesorë, që e drejtonin demonstratën nga Tower 2, nga “Bar West”, përballë me ish Piramidën e Enver Hoxhës dhe nga disa gardistë e policë, nuk u kursyen as 4 jetë njerëzore dhe as plagët dhe dhimbjet e disa të plagosurve, që meritojnë keqardhje, respekt e drejtësi! Nga bashkëpunëtorë të Erion Veliajt nuk u kursyen as kilogramë bojë të kuqe të lëngshme afërsisht si gjaku, për të lyer koka e fytyra protestuesish, për t'i reklamuar si të plagosur të vërtetë, për të mashtruar shqiptarët dhe ndërkombëtarët...

Nga Tom Doshi dhe bosë të tjerë socialistë, nuk u kursyen as dhjetëra miliona lekë për të paguar pjesëmarrësit, sidomos ata më të dhunshëm..! Synimi dhe llogaria e organizatorëve, ndihmuar "vëllazërisht" dhe "bujarisht" edhe nga Ina Rama e Bamir Topi, për të bërë lëmsh gëzhojat e mbetura në rrugë e trotuare, ishte e lehtëkuptueshme: viktimat t'u liheshin të katërt në derë gardistëve, domethënë Sali Berishës, Lulzim Bashës. Ky i fundit duhej "djegur" politikisht, që të përjashtohej nga mundësia të dilte si kandidat për kryetar i Bashkisë së Tiranës, përballë Edi Ramës, që e kishte parandjerë humbjen e sigurt prej tij në betejën elektorale të pas disa muajve.. Fakti se edhe pas 11 vjetësh nga kjo ngjarje tragjike, pas 8 vjetësh e gjysmë të PS në pushtet, Edi Rama me shokë e shoqe, nuk “u kujtuan" për dosjen e saj, për të ndriçuar plotësisht të vërtetën dhe për të ndëshkuar ligjërisht e ndershmërisht organizatorët, fajtorët, vrasësit, urdhëruesit apo paguesit e tyre nënkupton edhe mundësinë se disa prej fajtorëve mund të ishin në gjirin e tyre. Dy nga viktimat, sipas skenarit, mund të jenë qëlluar pas kurrizit, me pistoleta me silienciator, të fshehura në ombrella të vogla! Njëra prej këtyre skenave është transmetuar disa herë në kronikat televizive të gjithë mbrëmjes së 21 janarit 2011 dhe të nesërmen. Në anën e majtë të rrugicës që ngjitet për nga hyrja në anën veriore të Kryeministrisë, njeri nga vrasësit e mundshëm, një burrë shtatmesëm, me xhup të zi, i ofrohet pas kurrizit njërit prej demonstruesve, i vendos “ombrellën” në pjesën pas kurrizit dhe sqetullës së djathtë dhe viktima rrëzohet shakull të tokë… Autori, pasi vështron me shpejtësi përreth, largohet me hapa të shpejtë drejt Piramidës dhe rrugës në krahun e djathtë të Lanës, për të vazhduar, me shumë gjasa, drejt rrugës së Elbasanit. Sipas një burimi okular dhe që e njihte këtë njeri, ( me shumë gjasa ish sigurims) ai është ndihmuar të largohet po atë natë për në Greqi…Në përvjetorët e mëvonshëm të 21 Janarit, nga 2014-ta e deri vjet, kjo skenë nuk shikohet më, me shumë gjasa viktimë e një gërshëre censuruese dhe duarsh “faktedjegëse”…

Meqenëse jemi tek kjo ngjarje, po i referohem edhe një detaji tjetër, gjithashtu shumë shprehës apo lakuriqësues, se cilët në të vërtetë ishin të interesuarit dhe të fituarit më të mëdhenj nga 21 janari 2011 dhe nga katër viktimat e asaj dite të kobshme e të turpshme...Shumëkujt duhet t’i kujtohet kërcënimi publik, në media, i Tom Doshit drejtuar Edi Ramës, në kohën e "luftës brenda lloit" mes tyre, në fillim mars 2015: “Nëqoftëse me burgos dhe dënon mua, unë do të tregoj të vërtetën për 21 janarin...!" Këtij kërcënimi i jam referuar në një analizë botuar në “Gazeta Shqiptare” në atë kohë, me 10 mars 2015... Domethënë, ka dy të vërteta: njëra, ajo që dimë ne si qytetarë nga mediat dhe e dyta, ajo që dinë vetëm Tom Doshi dhe Edi Rama... Dhe dihet se ky “plumb i fundit” apo kërcënim  i Tom Doshit, pati efekt të shpejtë tek Edi Rama. Është fakt se Tom Doshi shpëtoi nga burgu dhe tani është bërë përsëri shok për kokë me Edi Ramën...Sikur të kishim shtet dhe demokraci të vërtetë, prokurori me profesionistë të aftë, kurajozë dhe të ndershëm, që të guxonin t'u thonin Tomës dhe Edit: pa hajdeni një herë këtu dhe na tregoni cila është e vërteta e dytë apo e juaja, me shumë gjasa të dy nuk do të ishin aty ku janë dhe më të njëjtat mandate, pushtete, privilegje, përfitime.

Për përforcim faktik, logjik, argumentimi dhe besueshmërie, po i referohem edhe një shkrimi të publikuar në Exit.al, më 14.05.2019, me autore Alba Mborjen. Sipas saj,  në 21 shkurt 2013, atëherë në opozitë, Edi Rama nuk e njohu vendimin e gjykatës për pafajësinë e të akuzuarve për 21 Janarin, ndër të cilët edhe Agron Malaj. Atëherë ai e cilësoi vendimin “si më barbarin e drejtësisë së post-diktaturës dhe i premtoi familjarëve të viktimave se drejtësia do të vendosej kur ai të vinte në pushtet…”

Dy vjet e ca më pas, pa pritur drejtësinë që do të bënte drejtësi, Rama e shpalli vetë të pafajshëm Agron Malajn dhe e bëri kandidat për kryebashkiak….Pa asnjë paragjykim për pafajësinë e Agron Malajt, kandidimi i tij nga Edi Rama është të paktën moralisht shpërfillje dhe mungesë ndjeshmërie ndaj familjeve të viktimave. Ndërsa është e vështirë të kuptosh arsyen e madhe që e ka shtyrë Edi Ramën ta bëjë një njeri me të shkuar të tillë kandidat për kryebashkiak, edhe pse ai nuk ka asnjë përvojë politike apo qeverisëse, caktimi i kësaj kandidature është bërë duke shkelur mbi çdo standard moral e njerëzor...“Lidhur me këtë ngjarje, është shumë shprehës edhe kryetitulli i faqes së parë të gazetës “Telegraf”, më 21 janar 2016, me tekstin ”Gjenerali” i 21 janarit zgjidhet kryetar i PS-së”, ripublikuar në facebook,dje, më 20 janar 2022.

Sipas meje, edhe si dëshmitar okular, 21 janari është 100% skenar dhe vepër e Rama-partisë! Individualisht e Edi Ramës, Erion Veliajt, Gramoz Ruçit, Tom Doshit… dhe e sy, veshë dhe gojë mbylljes për bëmat e tyre prej Bamir Topit, Ina Ramës...! Personalisht kam ndjerë befasi, përbuzje, zemërim, por edhe pak keqardhje nga rënia e Lulëzim Bashës aq poshtë më 13 dhjetor 2021, kur fajësoi Berishën për 21 Janarin, me shprehjen “Ne nuk bëjmë atë që bëri ai”, kur dihet se atë ditë ai ishte ministër i brendshëm!!!???. Lënia, me të padrejtë, në derën e Berishës dhe të PD-së e 4 viktimave të 21 janarit 2021, njëherazi shprehu një shërbim të ri e të turpshëm, që Lulëzim Basha i bëri më 13 dhjetor 2021 pengmarrësit apo “padronit” të tij, Edi Rama.

Në këtë ngjarje, logjika të shtyn të mendosh se Basha i atëhershëm, që dëshironte fitoren përballë Edi Ramës, nuk është ky i sotmi. Ky Bashë, me shumë gjasa, "është marrë peng nga Rama- Rilindja", ndoshta pas 2013- tës, me karremat e lejeve të ndërtimit dhe të favoreve të tjera qeveritare për vjehrrin, kunatin, atë vetë, dhënë edhe me ndërmjetësimin apo favorizimin e Gramoz Rucit...! Apo, ndoshta pas 17 majit 2017?

Pas skenarëve monstruozë për nga ideimi dhe organizimi dhe “gjysmë të suksesshëm” për nga përfitimi politik të Gërdecit, më 15 mars 2009  dhe të 21 janarit 2011, Edi Ramës dhe Erion Veliajt, u mbeti përfundimisht turpi në duar me farsën apo përrallën me Griseldën,“të fejuarën” e ish kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi…Edhe sot ky njeri është mik i Edi Ramës, një nga bosët me të mëdhenj të ndërtimit dhe në biznese të tjera, pronar i gjysmës së pallateve dhe vilave në Qerret të Kavajës…

Për të shmangur subjektizmin tim, këtë ngjarje po e përcjell nëpërmjet një fragmenti të një shkrimi, të publikuar në dosja.al, më 07.04.2019, që mund të gjendet i plotë nëpërmjet Google...

Kur opinioni publik “u trondit” nga rrëmbimi i Griselda Roshit, si trilloi Veliaj shtatzëninë dhe alarmoi ndërkombëtarët.

“Me 11.06.2011, rreth orës 10:00-11:00, Griselda Zaimi u paraqit në Policinë e Tiranës së bashku me Sajmir Roshin, i identifikuar në polici si kunati i 28-vjeçares. Aty Griselda rrëfeu 7 orët e saj të tmerrit, duke treguar me detaje se një natë më parë, më 31 maj 2011, rreth orës 19:00 ishte rrëmbyer nga disa persona në një makinë me xhama të zinj.

Më pas po këta persona e kishin rrahur dhe e kishin çuar në një ambient ku ajo kishte lindur fëmijën dhe ia kishin marrë. Pasi e kishin rrahur Griselda pretendoi se pas kësaj autorët e krimit e kishin hedhur në një kanal pranë banesës së bashkëshortit të saj.

Grua, shtatzënë dhe bashkëshortja e një personazhi të njohur…mjaftueshëm elemente për ta bërë ngjarjen virale. Madje asokohe anëtari i Asamblesë së PS-së, Erion Veliaj, e denoncoi publikisht rastin, duke iu dërguar edhe një letër ambasadorëve, nga nxitimi, pak minuta para se “të kishte ndodhur ngjarja”.

Me publikimin e ngjarjes në media, të gjitha instancat e shtetit u ngritën në këmbë për të zbuluar pengmarrësit e Griseldës. Teksa të gjithë mendonin se bëhej fjalë për një rrëmbim me pasoja të rënda, Krimet e Rënda e regjistruan dosjen me këtë akuzë po atë ditë.

Pas kryerjes së ekspertizës mjekësore dhe të proceduarave ligjore, Prokuroria doli menjëherë në një deklaratë  për shtyp, duke pohuar se “ngjarja nuk kishte qenë rrëmbim, por një trillim i Griseldës…”. Gjithashtu në raportin mjeko-ligjor shkruhej se “Griselda… nuk mund të mbetej shtatzënë dhe ndaj saj nuk ishte ushtruar dhunë fizike”.  Kohë më pas vetë ajo e pohoi këtë fakt duke pranuar se “gjithçka e kishte bërë pasi kishte marrë vesh faktin që nuk mund të kishte fëmijë, por më pas është shëndoshur e ka përjetuar karakteristika të shtatzënisë...”

Gjatë deklarimeve të saj, Griselda ka pohuar se muajin e fundit të shtatzënisë së trilluar për ta bërë sa më reale, mbante një jastëk nën rroba, të cilin e hoqi në një hotel në Tiranë natën kur pretendoi se ishte rrëmbyer…”.

Mëshirë dhe drejtësi dhe jo lot krokodili për 4 viktimat e 21 janarit 2011, ndëshkim ligjor e qiellor për “skenaristin, regjisorin, aktorët kryesorë”, për vrasësit e tyre me armë apo me celularë…! Ata njihen, dihen dhe gjenden lehtë, sepse SPAK- u “i ka tek... pragu”!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat