Protestat e opozitës “tango e fundit në Paris”, Qeveria si kurrë më e fuqishme

Opinione

Protestat e opozitës “tango e fundit në Paris”, Qeveria si kurrë më e fuqishme

Nga: Ruzhdi Peçani Më: 25 janar 2022 Në ora: 08:30
Ruzhdi Peçani

Tani kur Kosova është para shumë sfidave në planin ndërkombëtar, e kërcënuar, e prekur nga kriza energjetike, pandemike, që kanë kapluar edhe Evropën, opozita jo se të bëjë përpjekje që me pushtetin të ofrohen duke bërë unitetin, por vazhdon të sillet me sjelljet oportune dhe irracionale. E kjo në veçanti PDK që sillet me lojën e saj kontraverse si hepening politik.

Kundërshtitë mes opozitës dhe pozitës, jo se qëndrojnë vetëm në konceptet politike po në një padurim absurd gjerë në animozitet. Opozita e tanishme si armë shfrytëzon obstruksionin në parlament. Opozita mban inate dhe urrejtje të skajshme ndaj pozitës, gjë që shihet edhe në seancat plenare në Kuvend.

Propozimi për vendosjen e tarifave dhe rritja e çmimit të energjisë elektrike ka shkaktuar shumë debate dhe përplasje të mëdha mes opozitës dhe pozitës gjatë seancave të Kuvendit të Kosovës. Se këto përplasje do vazhdojnë, tregon edhe kërkesa e opozitës për të hënën të mbahet seancë e jashtëzakonshme. Seanca ka një pikë të rendit të ditës me debat parlamentar për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Madje, partitë opozitare kanë paralajmëruar edhe organizim të protestave në rast të ndryshimit të tarifave të energjisë elektrike dhe rritjes së çmimit të rrymës. Kjo si pretekst – caqet janë tjera.

Vendimi i qeverisë për të rritur çmimin e energjisë ka hasur në kundërshtimin e opozitës dhe kjo gjë është normale. Çdo opozitë serioze në shoqëritë demokratike, reagon ndaj rritjes së çmimeve në çfarëdo lëmi qoftë. Kjo edhe e drejtë, çfarëdo qeverie qoftë nuk mund të jetë ideale dhe gjithmonë gjendet hapësirë për të kritikuar. Por kritikat të jenë konstruktive dhe racionale. Opozita dinë mjaft mirë dhe kupton pse kjo krizë energjetike, në vete ndjen edhe përgjegjësinë që mbajnë për të sotmen, ngase me vite qeverisën vendin.

Dhe në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, konfrontimi i opozitës me pozitën do jetë edhe më i ashpër dhe më agresiv. Atëherë përse janë kaq destruktiv?

Ngritja e çmimit të energjisë, për opozitën, është vetëm një alibi për të sulmuar qeverinë dhe drejtpërdrejt kryeministrin Albin Kurti. Shumica e tyre, të frustruar dhe skizofren, veprojnë jashtë kodit etik dhe përgjegjësisë që kanë si deputet – edhe pse thirren se janë politikanë, por jo, janë jashtë kontekstit e të qenit politikan, ishin dhe mbeten politokrat dhe plutokrat. Ishin dhe mbeten ,si opozitë, parti politike të pareformuara. Si kauzë nuk u qëndron forcimi i shtetit ,qëndrojnë si opozitë ndaj pushtetit dhe shtetit.

Edhe pse do kenë kuptuar, se sot në ora 10:15 u kthye në punë blloku B2 i TC ‘Kosova B’, me fuqi 245 MË dhe tani, kur për çdo orë do t’i paguajmë rreth 50 mijë euro import më pak, e deri nesër në mëngjes rreth 1,2 milion euro më pak, se gjatë ditëve të javës që po lëmë pas. Se ky është lajm shumë i mirë për të gjithë ne. Por, për opozitën kjo nuk ndryshon gjë, qëllimi qëndron i fiksuar, dobësimi i kësaj qeverie qoftë edhe me thirrje protestash – vlerësim i tyre imagjinar, sa miop që janë.

Opozita parlamentare duhet të tregohet e matur dhe nuk do duhej të kishin guximin të shfrytëzohen krizat e tilla për ta destabilizuar Kosovën. Po ndodhin protestat, jo se do jenë të suksesshme, të shkonin në favor të opozitës parlamentare dhe satelitëve jashtë sajë si PSD, vetëm sa do thellonin armiqësinë me pozitën.

Nuk do jenë të suksesshme, ngase qëllimi qëndron në një kthim prapa në pushtet të partive opozitare. Dhe për këtë qytetarët janë të vetëdijshëm. Protestat do jenë përpjekja e fundit ,”Tango e fundit në Paris”– Qeveria do vazhdojë të qëndrojë si kurrë më e fuqishme.

Po të ishin politikanë, do kishin parasysh rrethanat gjeopolitike në rajon dhe më gjerë dhe si mund të reflektohet kjo ndaj shtetit të Kosovës. Nuk duan të ia dinë se konflikti në Ukrainë qëndron para një fillimi të një lufte. E dinë këta deputetë, se Ukraina merr pjesë me 15% të eksportit të grurit në botë, që mund ta godet vendin tonë me mungesë, përse nuk do propozonin që të flitet në Parlament për rezervat shtetërore. Po, pse ta bëjnë, këta mbajnë rezervat e veta, e për popullatën dhe shtetin…

Nga retrospektiva, etimologjia e këtij agresiviteti fillon që nga Qeveria Kurti 1. Dhe më vonë, këto parti, sot opozitare, parandienin se në zgjedhjet që do ndodhin do pësonin humbjen, që edhe përjetuan të katandisura. Që atëherë frika i kishte kapluar ”në asht”.

Qysh nga parafushata dhe fushata zgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, përmes medieve duke prezantuar programet e tyre, në këtë fushë ishin të vendosura për një paraqitje agresive, ngase edhe sulmet ndaj kundërshtarëve politik, përbënin më shumë se gjysmën e programit të paraqitjes mediatike. Mund të thuhet se thelbi i qëllimit ishte sulmi dhe atë në formën më agresive me denigrim.

Kështu, këto sulme fillin e kishin në parafushatën qysh nga 2020 dhe nga legjistratura e kaluar, me plot aversion të skajshëm mes partive politike, pra LVV,LDK,PDK dhe AAK. Në tabelë qitjeje kishin spikatur LVV dhe Listën GUXO, të themi caku ishin Albin Kurti dhe znj.Vjosa Osmani. Lufta për pushtet bëhej e pamëshirshme, me sulmet direkte duke përdorur edhe një gjuhë urrejtjeje denigrimi që shkonte në irracionale. Të tri partitë kishin vënë strategjinë, si të patjetër, që Lista e LVV të mos fitonte zgjedhjet.

Pra tendencat oligarke dhe roli i liderëve forcoheshin me kohën për një “luftë” të pakompromis. Kjo, jo e lehtë për mbrojtjen e feudeve që kishin krijuar PDK,LDK dhe AAK me koalicionet që kishin patur. Partitë politike në Kosovë janë institucionet më të pareformuara. Këto me koalicionet kishin zënë , në dhjetëvjetëshin e fundit, edhe hapësirat që nuk u takonin. Elementet Partokrate ,në jetën politike të Kosovës, dominonin me shtetin dhe kishin kolonizuar të gjitha segmentet e shtetit. Kjo partokraci kishte shkatërruar meritokracinë dhe rrezikuar demokracinë

Të kujtojmë, me 22 mars ndodhi Seanca Konstituive e Parlamentit të Republikës së Kosovës. Konstituimi i Parlamentit pa asnjë frymë ceremoniale, që duhej ta kishte ku zgjidhej Kryetari i Parlamentit z. Glauk Konjufca, që aktualisht do të ishte edhe U.D President i Republikës së Kosovës. Po këtë ditë u zgjodh edhe Qeveria e re Kurti 2, nga shumica fituese parlamentare. Nga Lista Srpska për nënkryetar ishte propozuar z. Sllavko Simiq, “i cili qëndron në ballë të popullit serb”. Ky një provokim hapur, pra nuk thirret në emër të pakicës serbe.

Me zgjedhjen e Kryeparlamentarit, ndodhi shëmtia, kur pas votimit Slavko Simiq për nënkryetar merr 91 votë apo 22 votë më shumë se Glauk Konjufca që mori 69 kur u zgjodh Kryetar i Kuvendit të Kosovës. Ishte ky një sinkronizim apo produkt i mërive, inatesh dhe urrejtjesh patologjike të partive shqiptare në opozitë ndaj pozitës. Pra Lista serbe nuk votoi Glaukun po shqiptarët votuan për Sllavko Simiq–votuan për shtetin serb?!

Kur seancës po i vinte fundi dhe Kryetari i Pralamentit jep fjalën Kryeministrit Albin Kurti për tu drejtuar deputetëve dhe opinionit publik, deputetët shqiptarë të opozitës, mes tyre ndoshta kishte dhe konformist, këtë e marrin si irrelevante dhe nga ex pacto et conveno që mund të ishte, të sinkronizuar lëshojnë sallën së bashku me deputetët e Listës srpska.

Duhet t’ua kujtojmë se po këta politikanë ,kishin future në vokabularin e tyre dhe fjalët më të ulëta fyese dhe denigruese dhe linçimit, ndaj njëri tjetrit, grupit dhe oponentëve dhe rivalëve të tyre politik si (budalla, banda politike, Hitler, rrugaç, tradhtarë, kriminelë, qen e ...hajn,…) e çka jo tjetër. Të gjtha këto thuheshin publikisht, në seanca parlamentare dhe në medie.

PDK trumbetonte se tani do jetë lider i opozitës “konstruktive”! Vërtet mu si çakejtë, në mënyrë të personalizuar si kurrë më parë ndaj dikujt tjetër. Këta “çakej” Ardian Kastrati, Abelard Tahiri dhe Memli Krasniqi atë ditë ishin deputet, po dhe sot bashkë me Arben Gashin, “qenie njerëzore mes kafshëve dhe politikës”.

Këtu sikur dita nuk i ngjan ditës që kalon dhe sikur jam i shtyrë të përsëris veten nga një opinion i imi, se e gjithë kjo që bëjnë disa nga politikanët me fjalë dhe epitete denigruese ndaj njëri tjetrit, në veçanti pozitave të larta të shtetit, kanë rënë me apo pavetëdije në spiralen apo bëhen vegël e luftës hibride që Serbia, përmes shërbimeve të inteligjencës, po bën drejt dhe brenda Republikës së Kosovës.

Këto parti opozitare, me sulmet që bëjnë, në parlament, konferenca shtypi, çdo ditë me denigrime dhe të pavërteta, me të cilat synohet të ndërrohet matrica e mendësisë kolektive, si absurd, në të cilat Qeveria e Kosovës – Kryeministri , paraqiten si negativ. Qëllim që kjo qeveri si “anti SHBA”,”anti NATO” rrezikon ardhmërinë e vendit, është skajshmërish e dëmshme. Këto, me pa dashje janë futur në orbitën e luftës speciale që bënë Serbia ndaj Kosovës.

Kjo opozitë, që kur nuk u distancua nga marrëveshjet e bëra me Serbinë e në dëm të Kosovës, si ajo e 2013 dhe 2015,që “ndollën ujkun në torishtë”. PDK që dhe sot koketon me satelitët e sajë si PSD dhe LPB, për korrigjimin e kufijve dhe shkëmbim territoresh. Opozitë kjo që bojkotoi, duke u larguar nga salla, kur Presidentja për fund vitin erdhi tu drejtohej deputetëve të Parlamentit.

Ajo, më eklatante kur PDK me mospjesëmarrje shmang votimin e Rezolutës për ndalesën e mbajtjes së referendumit të Serbisë brenda Kosovës dhe këtu sikur në sinkroni me Listën Srpska. O tempora o mores! Kjo është opozita e papërgjegjshme që nuk bartë fare patriotizëm kushtetues, si pjesë institucionale kushtetuese që është.

Qytetarët e Kosovës, nuk do bien pre e lojërave të ndyta dhe të rrezikshme për vendin – do të qëndrojnë të palëkundur, duke pasur besim të plotë në institucionet shtetërore, Presidencën, Qeverinë, besim dhe mbështetje te Institucionet e sigurisë dhe Ushtrisë së Kosovës.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat