Kauza e rrejshme e milionerëve të Parlamentit!...

Opinione

Kauza e rrejshme e milionerëve të Parlamentit!...

Nga: Ismail Muqiqi Më: 10 shkurt 2022 Në ora: 19:11
Ismail Muqiqi

Deputet e opozitës të Parlamentit të Republikës së Kosovës janë bashkuar duke ndërtuar kauzë kundër Qeverisë së Kosovës për ta bllokuar vendimin për ngritjen e energjisë elektrike.

Këta deputet u bashkuan duke i thirrur dy mbledhje të jashtëzakonshme, duke debatuar në Parlament para kamerave televizive për tu imponuar para qytetareve se këta po derdhin “lot krokodili” për ti mbrojtur interesat e konsumatorëve. Janë bërë bashkë opozita në Parlament ato parti të cilat ishin pjesë e institucioneve të Shtetit të cilat qeverisën afër 2 dekadave. Janë bërë bashkë deputetet milionerë të cilët u pasuruan gjatë luftës dhe pas çlirimit të Kosovës të cilët kanë problem ti menaxhojnë pronat dhe asetet kapitale të cilat i krijuan përmes formave më të ndryshme “biznesore” përmes politikës

. Këta të cilët janë ngritë, në këmbë duke llomotitur në foltoren e Parlamentit të Kosovës shumica prej tyre deputeteve janë milionerë. Po shumica prej tyre janë bërë pjesë e përhershme pothuajse pa mandat, duke qenë të preferueshëm nga lideri i partisë apo nga klani i ngushtë i shërbimit partiak. Duhet theksuar se një pjesë e deputeteve të këtij Parlamenti janë bërë të pazëvendësueshëm. Këta pas çlirimit të Kosovë përfituan benefite dhe favore më të ndryshme.

Shumica prej tyre i kanë dërguar fëmijët e tyre për tu shkolluar nëpër Kolegjet dhe Universitetet e ndryshme jashtë Kosove. Kjo pjesë e deputeteve të Parlamentit kanë privatizuar ndërmarrje dhe asete të ndryshme shoqërore. Po këta kanë ndërtuar shtëpia dhe pallate në Prishtinë, në bregdetin e Shqipërisë, vikendica në Prevallë, në Brezovicë e besa edhe shtëpia moderrne në periferi të Prishtinës si është lagja Marigona e Aristokracisë.

Këta janë ata të cilët janë bërë bashkë për ti bllokuar të gjitha iniciativat e Qeverisë së Kosovës dhe të institucioneve tjera me qëllim të mbrojtjes së interesave private, interesa këto të cilat kanë dimensione më të ndryshme shoqërore. Kjo opozitë e milionerëve është bashkuar për ti bërë shantazhe dhe pengesa më të ndryshme Dokumentit Strategjik të Ministrisë së Drejtësisë për reformat në sistemin e drejtësisë, përkatësisht në Vetingun e sistemit prokurorial dhe atij gjyqësor. Kjo opozitë po bënë opstrukcione më të ndryshme edhe kundër ligjit [Antimafia] i cili ka për qëllim luftën kundër pasurimit të paligjshëm, korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ky ligj i cili që nga fillimi është i nxitur dhe përkrahur edhe nga institucionet e Bashkimit Evropian po pengohet vazhdimisht aprovimi dhe fuqizimi i tij për tu aplikuar nga Parlamenti i Kosovës. Kjo opozitë e cila tani është ngritur kundër Qeverisë në pushtet kinse për ti mbrojtur konsumatorët nga ngritja e çmimit të energjisë elektrike nuk kërkoj asnjëherë falje për dështimet e bëra, ne mos  ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike. Këta që ishin me vite në pushtet nuk arritën që të ndërtojnë një Termocentral i cili do ti siguronte energji të mjaftueshme Republikës së Kosovës.

Prandaj deputet e opozitës janë në panik e sidomos tani kur Qeveria e Republikës së Kosovës, Parlamenti dhe Institucionet tjera kanë filluar që ti zbulojnë keqpërdorimet dhe zhvatjen e parasë publike. Kjo u pa edhe me rastin e shpenzimeve të derivateve të naftës nga ana e disa deputeteve të cilët me vite po mundohen të shesin mend në foltoren e Parlamentit të Kosovës. Arroganca dhe mungesa e autokritikës dhe e përgjegjësisë morale dhe njerëzore u manifestua edhe në mbledhjen e kryesisë së Parlamentit në të cilën pati edhe kërcënime dhe përpjekje për qërim hesapesh, posa u publikuan emrat e atyre deputeteve të cilët në emër të udhëtimit kishin keqpërdorur buxhetin e Shtetit.

Në fund po theksojmë se  qytetaret tani më janë vetëdijesuar përrallat dhe kauzat falso më nuk po i hanë askush. Të shpresosh se duke përdorur kauzën, kinse po e mbrojmë pozitën sociale të qytetareve,  nga ana e atyre të cilët janë bërë milionerë jo vetëm që është hipokrizi por është iluzion i kotë e kjo më së miri do të vërtetohet kurdo që të mbahen zgjedhjet në Republikën e Kosovës.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat