Putini, një despot fetishist dhe dehumanist

Opinione

Putini, një despot fetishist dhe dehumanist

Nga: Merxhan Jakupi Më: 25 shkurt 2022 Në ora: 14:38
Merxhan Jakupi

Një diplomat i huaj në Bruksel kishte cituar këtyre ditëve një frazë të vjetër latine: "Unë të besova, por e humba besimin, ngase më tradhtove. Do të vazhdoj të besoj dhe nuk humb besimin te njerëzimi". Ky diplomat fliste në konotacion të veprimeve luftarake të presidentit rus, Vladimir Putinit, se i besuan atij shkaku i besimit mbi lirinë, paqen, drejtësinë dhe etikën humane. Evropianët dhe e gjithë bota perëndimore, besimin e mbështesin në parimet e së drejtës së lirisë, demokracisë dhe etikës, që konsiston me votën e lirë dhe lirinë e fjalës. Ndërkaq, të gjithë diktatorët, despotët e tiranët besojnë në autoritarizëm dhe janë të etur për t'i mbajtur popujt nën pranga e nën robëri. Të sundojnë me dorë të hekurt. Të mendojnë të gjitha popujt si ata. Janë kundër fjalës, mendimit të lirë, kundër ideve, pluralizmit dhe traditave liberale, humane e pacifiste.

* * *

Para se ta shkruaj këtë artikull, tanket ruse ishin në drejtim të Kievit. Kancelari gjerman iu drejtua kombit në televizion, me përcaktimin e solidarësisë me popullin ukrainas. Ai kishte thënë se nuk kishte besuar se pas 75 vjetësh do të ketë luftë në kontinentin evropian. Sot populli liridashës ukrainas është në momente më tragjike të historisë. Sot është dita më e zezë që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore për Evropën dhe për gjithë popullin dhe botën demokratike evropiane. Sot Putini ka përgjakur historinë. Ky tiran dhe despot do ta kthejë kontinentin e Evropës në shekullin e 19-të, si në periudhën e Luftës së Ftohtë, që ta ndajë e përçajë Evropën.

"Ne që të besuam nuk ishim naivë, por ti na gënjeve. Gjithë pasurinë e kombit, gazin dhe repromaterialet, nga të cilat fituat qindra miliardë euro, i shndërruat në armatim, për të pushtuar tokë të huaja. Putin, kot po lufton, do të humbasësh, ardhmëria e Evropës është në liri, paqe, progres në të gjitha shtetet demokratike në botë", kishte thënë kancelari gjerman para kombit të vet.

RUSIA PËRGJITHMONË PO E BRAKTIS EVROPËN

Pushtimin e Ukrainës nga Putini, sipas shumë analistëve, do ta ndryshojë rendin botëror dhe ky ndryshim do të jetë epokal. Sot është ditë zie, njëjtë si më 28 qershor 1914, kur në Sarajevë u bë atentat ndaj Franc Ferdinandit. Pas shpërbërjes së dy perandorive austro-hungareze dhe osmane, pasoi Lufta e Parë Botërore, pas së cilës lindën dy ideologji: ajo komuniste dhe fashiste, që sollën Luftën e Dytë Botërore.

Me pushtimin e Ukrainës, Putini si arkitekt i tij që ka planifikuar para shumë vitesh, Rusia përgjithmonë po ndahet prej Evropës dhe shkon me Lindjen. Kjo do të thotë se prej tash do të rifillojë periudha e re e Luftës së Ftohtë mes Lindjes dhe Perëndimit, bllokut perëndimor dhe dy fuqive të mëdha, Kinës dhe Rusisë. Do të jenë këto dy pole të Luftës së Ftohtë. Këta të fundit, do të jenë dy shtete autoritare e tutoritare, me dy diktatorë, Xi Jin Pingun dhe Vladimir Putinin. Kjo do të thotë se bota s'do të jetë më njëjtë sikurse pas mbarimit të Luftës së Ftohtë dhe të globalizmit multipolar.

Pas Luftës së Dytë Botërore, ishte BRSS që përkrahu revolucionin dhe fitoren e komunizmit. Bashkimi Sovjetik dhe Kina ishin vëllai i madh dhe vëllai i vogël. Ata në periudhën e Luftës së Ftohtë u bënë armiq të përbetuar, sikurse jugosllavët e Titos me Enver Hoxhën. Një traktat mes Kinës dhe Rusisë, ku Kina si një fuqi ekonomike do të jetë vëllai i madh, ndërsa Rusia si fuqi ushtarake, do të jetë vëllai i vogël, ndërkaq ardhmëria e tyre shihej me skepticizëm. Rusia ka një ekonomi hibride dhe të vjetër. Bruto prodhimi në Rusi është sa kryeqyteti japonez, Tokio. Populli rus edhe më tej do të jetojë nën diktaturë e varfëri, si në epokën e careve rusë dhe Perandorisë së Kuqe komuniste.

ME PUTININ DËSHTOI PROCESI I LIBERALIZIMIT TË GORBAÇOVIT

Që nga Petri i Madh, kur filloi evropianizimi i Evropës, shumë intelektualë, poetë, filozofë dhe qytetarë pro-evropianë donin që rusët si popull evropian të fillojnë demokratizimin dhe evropianizimin e Rusisë. Shumica, kundërshtarë të careve, jetonin në egzil dhe ishin heretikë e disidentë. Më 1903, në Paris u mbajt Kongresi dhe këta disidentë thoshin se ishte pjekur koha për një revolucion. Në kongres fitoi fraksioni i rrymës konservatore të Vladimir Iliç Leninit. Lenini u kthye dhe tradhtoi aspiratat, idealet e shumë intelektualëve disidentë, që Rusia t'i bashkohej familjes së madhe evropiane. Pas kthimit të Leninit nga Zvicra, filloi luftën civile dhe Rusia u bë shtet i parë komunist. Rusët nën diktaturë komuniste u shndërruan në gullogë dhe mbi 30 milionë rusë e ukrainas u persekutuan në periudhën e Stalinit, u vranë dhe vdiqën në Siberi, nëpër llogoret e përqendrimit.

Në fillim të viteve 90 të shek. të kaluar fillon liberalizimi, me Gllasnostin dhe Perestrojkën. Lideri i ri liberal komunist, Mihail Gorbaçov donte që populli rus të bashkohej, të evropianizohej e të demokratizohej. Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Federatën Ruse zuri ta drejtojë presidenti i parë i Rusisë, Boris Jelcin. Federata Ruse, pas çlirimit nga diktatura dhe despotizmi, do të jetojë më lirshëm e me përpjekje për demokraci, duke u kyçur në proceset demokratike, në mënyrë që të jetë pjesë e qytetërimit dhe të lirive e traditave liberale evropiane. Mjerisht kjo ëndërr e popullit rus nuk u realizua. Pas ardhjes se Vladimir Putinit, populli rus vazhdoi të jetojë të thuash në një garnizon ushtarak, në diktaturë, që shumë pak dallohet nga ajo diktaturë komuniste.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat