Pse serbët dhe rusët s’e kanë kuptuar historinë?

Opinione

Pse serbët dhe rusët s’e kanë kuptuar historinë?

Nga: Merxhan Jakupi Më: 10 mars 2022 Në ora: 16:39
Merxhan Jakupi

Tirani dhe cari despotik, Vladimir Putin, duke sulmuar Ukrainën, po i thyen të gjitha ligjet relevante ndërkombëtare dhe në vend të tyre aplikon "ligjin e xhunglës". Ky, cari i çmendur, është duke e thyer edhe ligjin e Anton Çehovit, një shkrimtar klasik i letërsisë ruse. Ai në një shkrim të tij thotë se "zbulimi i një arme nuk përdoret në aktin e parë të një drame lufte, por atë e shkrep në aktin e tretë të një drame njerëzore". Ndërkaq, armët bërthamore ende nuk janë përdorë. Njerëzit i prodhojnë këto armë shkatërruese, duke kujtuar se ato asnjëherë nuk do të përdoren.

Putin i ka thyer të gjitha ligjet universale, ka thënë publicisti hebre, Yuval Noal Harari. Sipas antropologut Eri From, homosapiensët ndahen në dy taborë. Të parët i quan Nekrofilë, të cilët janë qenie të brishtë, që nuk e duan këtë planet dhe janë qenie shkatërruese. Janë narcisoidë, sadistë dhe mazohistë. Sipas Fromit, shumë perandorë gjatë historisë kanë qenë nekrofilë, si Hitleri, Stalin e disa të tjerë në kohën më të re. Millosheviqi dhe Putini nisen nga dogma ortodokse dhe japin urdhra, për të sunduar dhe për t'i mbajtur popujt nën robëri. Këta tiranë autoritarë, autokratë dhe despotikë, me forcat e brendshme egocentrike, duan t'i zhdukin njerëzit dhe në fund kthehen edhe tek njerëzit e tyre më të afërt dhe krejt në fund flijojnë edhe veten. Para dymijë e pesëqind vjet, Agamemnoni flijoi vajzën e tij, ndërsa Stalini, shkaku i idealeve impersonale, flijoi djalin e tij.

Në anën tjetër, thotë From, biofilët janë qenie që e duan jetën dhe gjithë njerëzit, si veten e tyre, janë humanë dhe pacifistë. Të tillë ishin perandori romak, Mark Aurieli, presidenti amerikan, Abraham Linkoln, Gandi, Luter Kingu, Mandela dhe tash, presidenti ukrainas, Vladimir Zelenski. Te çdo komb, brenda dy-tre shekujsh, kanë lindur perandorë, mbretër ose burrështetas nekrofilë dhe biofilë. Te rusët, brenda një shekulli, sipas disidentit rus, Aleksandar Vishinski, lindën dy despotë dhe tiranë, Lenin dhe Stalini. Ky i fundit me origjinë ishte nga Gjeorgjia. Edhe në shekullin 21, mund të ketë ndonjë Stalin të ri, që toka ruse e ka lindur, që do të sundojë me "dorë të hekurt". Në romanin "Krimi dhe ndëshkimi", shkrimtari i madh rus, Fjodor Dostoevski, thotë për popullin e tij se është ateist, imoral dhe nihilist, se është lindor me temperament, mentalitet dhe instinkt, që hyjnizon sundimtarët despotë, duke i shndërruar në kulte. Kështu bie fjala, udhëheqësit e vet despotikë i ka thërritur Sveti Ivan (Shën Ivani), Sveti Petar dhe tash, Sveti Putin.

LIDERËT DESPOTIKË DERDHIN LOT KROKODILI

Historiani dhe diplomati Sant Petroç, kritiku i ashpër i Millosheviqit dhe Vuçiqit, thotë se rusët dhe serbët nuk e kanë kuptuar historinë e tyre dhe atë e kanë ndërtuar e ngritur mbi mite e legjenda. Rusët duan të kthehen në mesjetë, të pushtojnë Jerusalemin e tyre, Kievin, ngase identiteti i tyre paskësh qenë aty, në Ukrainë, me gjenezë. Ngjashëm me rusët, edhe serbët merren me gënjeshtra, mite e legjenda, duke pohuar se shteti i të parëve të tyre paskësh qenë Kosova. Nuk është e rastit që serbët, të cilët erdhën në këto troje në shek. 7, quhen "rusë të vegjël" në Ballkan.

Sipas filozofit gjerman, Henri Shopenhajer, çdo dashur që zgjat shumë vite, për t'u harruar nevojiten edhe po aq vite. Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Rusia bëri transformim nga sistemi komunist diktatorial dhe totalitar në një sistem demokratik, shumëpartiak dhe tregun kapitalist liberal. Këta liderë despotikë derdhën lot krokodili, patën dhimbje dhe nostalgji, për shembjen e piramidës komuniste, pikërisht aty ku ishte ngritur dhe ishte shembur si kullë kartoni. Kremlini u trashëgua nga Putini, pas një presidenti impotent, Boris Jellcin, që pas rimëkëmbjes së federatës ruse, do t'i rikthejnë aspiratat për një Rusi imperiale, siç ishte në epokën e Carit rus apo perandorit të kuq komunist. Putini pas një dekade filloi rimëkëmbjen ekonomike, me profitet prej miliarda dollarësh në vit nga gazi dhe lëndëve të tjera riprodhuese. Nga ky gaz u bë i varur gjithë perëndimi, në njërën anë, dhe kërcënimet që i bënte me armë bërthamore, në anën tjetër. Ky despot tash sërish e kërcënon botën me armët e tij bërthamore. Doktrina e Putinit i përngjet asaj të shekullit të kaluar, kur Stalini sulmoi në vitin 1956 Hungarinë dhe pasardhësi i tij në vitin 1968, Çekosllovakinë, pastaj Afganistanin etj.

Pas rrëzimit të Murit të Berlinit dhe shembjes së komunizmit, nën trysninë e të cilit ishin 120 milionë banorë të Evropës Lindore, u bë anëtarësimi i tyre në aleancën ushtarake NATO dhe në BE. Pas tyre shkuan edhe disa ish-shtete të Bashkimit Sovjetik, Ukraina, Gjorgjia dhe Bjellorusia, por Putin nuk dëshironte që këto shtete fqinje të Rusisë të evropeizohen dhe të integrohen në NATO dhe BE. Sikundër për çdo diktator, edhe për Putinin demokracia ishte një helm që do ta përfundonte sundimin e tij. Putini nuk donte që ky virus të përhapet edhe në territorin e federatës së Rusisë, për ta evropeizuar atë dhe për ta fut në familjen evropiane.

IZOLIMI HERMETIK I RUSISË

Me fillimin e "Luftës së Ftohtë", kampi komunist dhe Bashkimi Sovjetik shumë pak dinte për Evropën Perëndimore, për liritë e njeriut, standardin e lartë të perëndimorëve. Shumica e popujve, nga propaganda dhe agjitacioni, mendonin se Perëndimi është në një ferr, në recesion ekonomik, me papunësi të madhe, ndaj dhe mendonin se me një revolucion ata do të shpëtonin nga kjo klasë gjakpirëse kapitaliste. Lufta në periudhën e globalizmit, të digjitalizmit, internetit dhe nanoteknologjisë, është bërë e paparashikueshme. Blloku i Lindjes ndalonte artin perëndimor, filmat, modën, mediet e lira etj., që të depërtojnë në Lindjen komuniste. Stalini ishte adhurues i filmave Uestern, ndërsa populli as që mund të imagjinonte diçka të tillë. Në tri dekadat e fundit, rusët sado pak shijuan vlerat e perëndimit. Rinia ruse nuk ka divergjenca me qytetërimin perëndimor. Gjeneratat e reja dëgjojnë të njëjtën muzikë dhe vishen me xhinsa e konsumojnë ushqimet e Mekdonalcit.

Me luftën dhe sulmin mbi Ukrainën, perëndimi ka vendosur sanksione të rrepta ekonomike, mbi telekomunikacionet dhe inteligjencën artificiale. Bota perëndimore do ta presë si me shpatë çdo lidhje me vendet e zhvilluara perëndimore. Rusia do të jetë në një izolim total. Shumica e oligarkëve që kanë investime jashtë, vila hiperluksoze do të izolohen dhe fëmijët që i shkollonin nëpër universitete prestigjioze, do të shkojnë në Mongoli, Kinë, Indi dhe Korenë e Veriut. Rusia dhe Kina në të ardhmen mund të kenë një traktat "mega ost blok", si rezultat i aleancës politike dhe ekonomike. Rusët dhe kinezët janë dy raca të ndryshme, me diversitete kulturore e mentalitet, por mund t'i bashkojnë forcat. Megjithatë, siç është shprehur shkrimtari ynë, Ismail Kadare, çdo diktaturë mund të zgjasë me dekada e shekuj, por, më në fund, dalëngadalë merr plagë dhe jep shpirt e varroset përgjithmonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat