Një kryetar i humbur në kohë dhe hapësirë

Opinione

Një kryetar i humbur në kohë dhe hapësirë

Më: 16 mars 2022 Në ora: 16:31
Përparim Rama

Me njërën këmbë në Londër e tjetrën në Prishtinë, Përparim Rama mbushi tre muaj qeverisje pa lënë asnjë shenjë, ndonëse tha të ketë bërë punë të hatashme. Ai mund të ketë bërë mrekulli në “Prishtinën fiktive” të tij, por gjendja në Prishtina reale vazhdon të jetë dëshpërimisht keq.

Shkruan: Imer Mushkolaj

Përparim Ramës nuk i pritej ta merrte postin e të parit të kryeqytetit, në mënyrë që t’ia fillonte punës. Shprehte vullnet që hapësirën kaotike të quajtur Prishtinë të provonte ta ridefinonte e rigjallëronte, ta shndërronte në qytet më të banueshëm, më të mirë për banorët. Por, në njëqinditëshin e qeverisjes, prurja e shumëpërfolur nga Londra duket të ketë humbur në kohë dhe hapësirë.

Duhet ta kesh fort veten në qejf ose të jetosh në një realitet paralel, që të deklarosh se gjatë njëqind ditëve të para të qeverisjes, në Prishtinë janë bërë punë të hatashme, siç ka thënë Rama. Mund të jenë bërë mrekulli në “Prishtinën fiktive” të Përparimit, por gjendja në terren është dëshpërimisht e keqe.

Ata që e përcjellin në Facebook kryetarin, kanë mundësi të shohin të gjitha aktivitetet e tij dhe të Komunës gjatë këtyre muajve qeverisje. Pjesa dërmuese e postimeve kanë të bëjnë me urime e përshëndetje për ditë e data të shënuara, por edhe takime koti me homologë të tij nga komunat tjera.

Praktikisht, gjatë kësaj kohe, Rama ka marrë vendim për nisjen e zgjidhjes së problemit të qenve endacakë, për shtrenjtimin e çmimit të taksive në Prishtinë dhe për heqjen e disa rrathëve të plastikës në disa pika të kryeqytetit.

Shpesh konfuz dhe i palogjikshëm në deklaratat publike, Rama u përpoq ta arsyetojë vendimin për çmimin e taksive duke thënë se “taksi është aspekt luksi”. Pra, kryetari konsideron se të udhëtosh me taksi në Prishtinë është luks, ndërkohë që trafiku urban funksionon me plot vështirësi dhe nuk mbulon pjesë të tëra të qytetit. Ndërkohë që premtimet megalomane që ka dhënë gjatë fushatës lënë shumë për të dëshiruar.

* * *

Qytetarëve të Prishtinës dhe të mbarë Kosovës Përprim Rama iu prezantua si një arkitekt i rëndësishëmn, fitues çmimesh ndërkombëtare, i cili ka sakrifikuar duke kandiduar për kryetar të kryeqytetit, me qëllimin që të bëjë punë të mira. Por, nëse njëfarë barometri i punës merret njëqind ditëshi i parë në pushtet, arkitekti nga Londra nuk i ka punët mirë. Bashkë me të edhe Prishtina.

Askush nuk pretendon që problemet e Prishtinës të zgjidhen brenda njëqind ditësh. Megjithatë, është e rëndësishme se çfarë bën një kryetar i qytetit më të madh në vend brenda kësaj kohe. Është e rëndësishme të shihet se kah i orienton ai politikat, se çfarë ka vendosur si prioritete dhe ku pritet të fokusohet më shumë. Vëzhguar tre muajt e parë të qeverisjes, Rama del të mos e ketë as idenë më të vogël se çfarë do të bëjë ose çfrë synon të bëjë.

Prishtina vazhdon të jetë qytet plot bërllog, me infrastrukturë të keqe në plot lagje, me trafik të stërngarkuar e me shërbime publike kurrfare. Prishtina vazhdon të ndërtohet ku e si mundet, pa përfillur kritere në praktikë, duke u shndërruar dita-ditës në një qytet vështirë të banueshëm. Sinjalet e para janë që kryetari Rama nuk do të jetë në gjendje të bëjë shumë për ta ndërruar këtë realitet, pavarësisht se u prezantua me pompozitet të madh e po me aq pompozitet i fitoi edhe zgjedhjet. Pavarësisht se dha premtime për projekte milionëshe, 15 milionëshe.

Rama mund të jetë i aftë profesionalisht e i suksesshëm në profesionin e tij por, bazuar në muajt e parë të qeverisjes, ai po tregohet aspak i duhur në menaxhim. Është e vështirë që ndonjë qytetar i Prishtinës t’ia numërojë tri punë të mira gjatë kësaj kohe. Por, nuk e ka vështirë t’ia numëriojë plot deklarata koti për “shpirtin e Prishtinës” dhe “energjinë pozitive të qytetarëve”, fraza të thata që nuk thonë asgjë përballë zgjidhjes së problemeve jetike për ta.

* * *

Menaxhimi i Prishtinës është “sport i rëndë“, mbase më i rëndë se që mund ta ketë parashikuar Përparim Rama. Por, askush nuk e ka sjellë e as votuar me zor për ta bërë kryetar.

Përtej premtimeve vend e pa vend gjatë fushatës, qytetarëve duhet qartësuar se cilat janë prioritetet e tij, cilat janë planet e tij për t’i zgjidhur problemet e shumta. Nëse ai ka ardhur nga Londra me idenë se kaq mjafton për të qenë kryetar i mirë, atëherë i ka bërë keq llogaritë. Siç mund t’i ketë bërë keq llogaritë po që se ka menduar se lehtësisht siç e projekton një ndërtesë, mund ta “projektojë“ e realizojë një të ardhme për Prishtinën.

Tash për tash po ngjan si një njeri i humbur në kohë dhe hapësirë. E pikërisht këto dy koncepte janë më të rëndësishmet për të gjithë ata që jetojnë në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat