Helmimet e nxënësve, krim i pandëshkuar!

Opinione

Helmimet e nxënësve, krim i pandëshkuar!

Nga: Florim Zeqa Më: 21 mars 2022 Në ora: 07:07
Florim Zeqa

Përveç shumë të keqijave që i shkaktoi popullit shqiptar regjimi serb i Millosheviqit, siç ishin vrasjet, burgosjet, përjashtimi masiv nga puna, mbyllja e shkollave, përndjekja politike, vrasja e djemve të rinj që shërbenin me padashje në ushtrisë jugosllave, e shumë krime të tjera, ndodhi edhe helmimi i nxënësve shqiptarë.

Në pranverën e vitit 1990, gjegjësisht në marsin dhe prillin e këtij viti, u helmuan rreth 8 mijë nxënës shqiptarë të shkollave të Kosovës. Ky ishte një gaz toksik i përgatitur nga shërbimet sekrete ushtarake serbe, me të cilin u helmuan nxënës të shkollave të mesme, por kishte edhe në ato fillore dhe në entet parashkollore.

Meqë Kosova asokohe nuk kishte pasur laboratorë përkatës për të vërtetuar se me çfarë ishte bërë helmimi i nxënësve, analizat ishin dërguar në Kroaci, Angli e Francë. Mirëpo, asnjëherë nuk ishte zbuluar lloji i saktë i këtij helmi kimik.

Ndryshe i kanë përjetuar helmimet e nxënësve ata që i kanë përcjellë përmes televizionit apo video-incizimeve të kohës, e krejt ndryshe i përjetojnë ato familje që i kanë përjetuar traumat e këtij helmimi misterioz.

Simptomat e këtij helmimi ishin aq të fuqishme dhe tronditëse për familjarët, do të thoja traumatike, duke i parë me sytë e tyre vuajtjet e fëmijëve, vëllezërve dhe motrave të tyre me ndikim të fortë në organizëm duke u shkaktuar shtangim muskujsh, vjellje, alivanosje, çrregullim ndjenjash, halucinacione e shumë pasoja të tjera.

Ishte ky një helmim i rëndë toksik, i cili përveç lëndimit fizik dhe shpirtëror e kishte qëllimin edhe të dëmtimit të qenjes tonë kombëtare.

Helmimin e nxënësve serbët e kishin bërë nëpër shumicën e komunave të Kosovës.

Aq i madh ishte numri i nxënësve të prekur nga ky helmim, saqë spitalet nuk mund t'i përballonin të gjitha rastet. Si rezultat i kësaj, mjekët shiptarë kishin filluar që edhe shtëpitë e tyre t’i shndërronin në ambulanca për kurimin e nxënësve të hemuar.

Më të rënda se helmimet e shkaktuara në pranverën e vitit 1990 ndaj moshës më të re në Kosovë, ishin kualifikimet që vinin nga Serbia, për kinse inskenim dhe aktrim të shqiptarëve në Kosovë.

Qeveria jugosllave asokohe doli me kumtesë zyrtare se në Kosovë nuk pati helmim, por e gjithë kjo ishte “një inskenim i përgatitur nga separatistët shqiptarë”.

Se a ishin ato "inskenime" apo trauma të rënda fizike dhe shpirtërore të këtij helmimi, më së miri e tregojnë familjet e nxënësve të helmuar, personeli arsimor dhe mjekët shqiptarë, të cilët ishin përballur drejtpërdrejt me traumat e të helmuarve.

Në mesin e mijëra familjeve shqiptare, edhe familja e jonë Zeqa e patëm fatin e hidhur që të ballafaqohemi dhe përjetojmë rëndë helmimin e bijës dhe motres tonë Shpresës, e cila asokohe ishte nxënëse e shkollës së mesme "Luigj Gurakuqi" në Klinë, qendër shkollore kjo nga më të goditurat nga helmimet e barbarisë serbe në Kosovë.

Aq të rënda dhe të tmerrshme ishin traumat e atij helmimi, saqë ishin vështirë të menaxhueshme, trishtuese dhe gati të papërballueshme për familjen.

Aq i rëndë ishte helmimi saqë edhe mjekët shpeshherë ndodheshin përballë situatave të pamenaxhueshme nga traumat e nxënësve të helmuar.

Kurimi i motrës tonë Shpresës ishte i gjatë dhe i mundimshëm. Pas qëndrimit disa javësh në QKUK në Prishtinë dhe në Spitalin e Gjakovës, për rehabilitimin e plotë të saj u deshën edhe mjekime alternative që zgjatën me muaj të tërë.

Përkundër gjendjes së vështirë socio-ekonomike të kohës, falë mbështetjes së fqinjëve dhe miqëve kemi arritur të i përballojmë më lehtë momentet e vështira të këtij helmimi misterioz, të kësaj traume kolektive dhe përvoje të hidhur familjare.

Sot, motra jonë Shpresa është e martuar, është nënë e mirë, i ka dy fëmijë binjakë dhe ka krijuar një familje të mrekullueshme.

Thonë qëllimet e këqija nuk realizohen asnjëherë. Serbia kishte menduar që përmes helmimit të nxënësve të arrinte edhe zvogëlimin e shkallës së natalitetit në Kosovë. Nga informacionet që kam për disa nga vajzat e helmuara të asaj kohe, secila prej tyre është shëndosh e mirë, janë të martuara, kanë krijuar familje të shëndosha dhe kanë pasur lindje të dyfishta (binjakë) dhe të trefishta (trenjakë).

Serbisë gjakatare i është kthyer në bumerang helmimi i nxënësve në Kosovë, pra me shumfishim të popullatës dhe ndërgjegjësim të popullatës shqiptare për të qëndruar e palëkundur në trojet e lashta stërgjyshore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat