Kush t’i ndëshkojë “teologët” e falsifikuar

Opinione

Kush t’i ndëshkojë “teologët” e falsifikuar

Nga: Shaban AZIRI Më: 14 prill 2022 Në ora: 14:28
Shaban AZIRI

Këto ditë mediat ranë në provim! Nuk patën respekt ndaj personalitetit, ndaj vlerave dhe profesionit të një artiste të kombit, profesoreshë Besiana Mehmeti. U ngritën një grup studentësh dhe, me arsyet e tyre kërkuan largimin e saj nga UT-ja, duke e akuzuar publikisht si tëpasjellshme, arrogante, bullizuese dhe pa kritere në notim! Kësaj kërkese mediat iu bashkangjitën duke insistuar që me çdo kush të devalvohet, të kompromitohet dhe të njolloset një aset kombëtar nga sfera e artit muzikor.

Më në fund, të frikësuar nga tallasi i protestave studentore, edhe struktura e lartë universitare u pajtua t'ua plotësojë kërkesën studentëve dhe të marrin masa ndaj profesoreshës së nderuar! Me këtë u dëshmua se këta struktura nuk e paskan njohur karakterin e kësaj zonje, nuk e paskan njohur shpirtin, edukatën, kulturën dhe personalitetin e Besiana Mehmetit.

U desht që ta zbulujnë një grup studentësh që menjëhere të aktivizohen masat ndëshkuese kundër kësaj profesoreshe! Mediave të vendit tash e një kohë më të gjatë ju serviren fakte e dokumenta kundër personave me profil "teologjik" të cilët janë me shkollim të blerë, janë magjistra e doktorë pa përgatitje adekuate, me punime disertacioni të blerë, të falcifikuar, të kompiluar e me diploma fallco.

Po qarkullojnë emrat e teologëve të diskutueshëm të cilët kanë fallcifikuar diploma si nëpër fakultete arabe po ashtu edhe nëpër ato të vendit e në rajon. Si është e mundur që këto skandale që po e dëmtojnë së tepërmi, si imazhin kombëtar po ashtu edhe atë teologjik-fetar, deri më sot nuk ngritën shqetësim asnjë redaksi si dhe asnjë strukturë e BFI-së dhe asnjë institucion shtetëror?

Pse kur është në pyetje një vlerë kombëtare, si rasti i Besiana Mehmetit, miza bëhet buall, kurse kur janë në pyetje devalvimet e tmerrshme në rrafshin fetar, si "teologët" e fallcifikuar, rastet heshten, madje edhe ju jepet hapësirë që të dëshmohen si "vlera të paarritshme"! Në të ashtëquajturin rijaset të Shaqir Fetait ka plotë të bullizuar, të shantazhuar e të kërcënuar me largim nga puna nëse përshëndeten apo ia bëjnë një "llajk" ish-reisul ulemasë Sulejman ef. Rexhepit, apo ish-sekretarit historik të BFI-së Afrim ef. Tahirit. Nga rijaseti i Shaqir Fetait nën vëzhgim si nën syrin e big bradhërit janë edhe nëpunësit e tjerë si dhe profesorët e institucioneve arsimore të cilët do të përballeshin me sanksionim dhe largim nga puna nëse vetëm ua përmendin emrat personaliteteve të përmendur më sipër.

Nën këtë trysni janë edhe studentët dhe nxënësit e BFI-së. Pse a nuk munden që të ngriten në protestë edhe këta kundër syrit çatall të big bradherit të bashkësisë "fetare" të Shaqir Fetait? Natyrisht që munden por, rezultati paraprakisht dihet: organet shtetërore nuk do të pranonin ndëshkrime ndaj kësaj strukture të turpshme e të mëkatshme që thirren dhe veprojnë në emër të fesë. Pushtetit aktual i konvenon një llum i këtille "fetar", ndërsa do t'i pengonte çdo vlerë e mirëfilltë kulturore kombëtare.

Për studentët e Universitetit të Tetovës, sikundër për çdo profil kombëtar, shumë here më tepër duhet të jetë shqetësuese, trishtuese dhe e papranueshme të "helmohen" fetarish nga hipokritët, tradhëtarët e spiunët e UDB-së, se sa që "qortohen", "të bëhen për spital" e "të bullizohen" nga një profesioniste me vulën e vlerës kombëtare. Kjo vlenë edhe për disa "personalitete" që iu bashkangjitën iniciativave të çuditshme për ta stigmatizuar një muzikologe, kuadër deficitar ndër ne!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat