Ikja jashtë vendit e qytetarëve tanë, realitet apo propagandë!

Opinione

Ikja jashtë vendit e qytetarëve tanë, realitet apo propagandë!

Nga: Adem Bytyqi Më: 16 prill 2022 Në ora: 16:19
Adem Bytyqi

Të vetëdijshëm se populli ynë ka përjetuar shumë vuajtje dhe tragjedi, varfëri ekstreme deri në shkallë mjerimi, mund të pohojmë këtë: Populli ynë përkundër të gjitha të këqijave, të cilat iu kanë kanosur dhe realisht i ka përjetuar, asnjëherë nuk i ka lëshuar vatrat e tyre, edhe atëherë kur me forcë është deportuar për në vendet tjera, nga vatrat shekullore të tyre, nga armiq të ndryshëm, është përpjekur edhe pse me shumë mundime dhe sakrifica të gjejë rrugë tjera për tu kthyer prapë në vatrat e të parëve të tyre!

Sot po shkruhet dhe thuhet se të rinjtë e Kosovës po ikin për në vende tjera për një jetë kinse më të mirë, pa e ditur as vet saktësisht se ku po shkojnë dhe athua është atje parajsë siç ata ëndërrojnë?

Njerëzit tanë mund t‘i kenë me dhjetra arsye për tu ankuar, qoftë për shkak të papunësisë dhe shumë anomalive tjera të sistemit, por po të mendohet me durim, gjakftohtësi dhe atedhedashuri, nuk e kanë qoftë edhe një arsye të vetme t‘i lënë vatrat e tyre për të ikur në vendet tjera!

Kemi shumë histori të dhimbshme të njerëzve tanë jashtë vendit të tyre në vendet tjera, të cilët rrëfejnë momente të mbushura me plot befasi të pakëndshme dhe herë edhe ndodhi, të cilat asnjëherë nuk do t‘i kishin përjetuar sikur të kishin jetuar në vendin e tyre...

Qytetarët tanë janë forca e vetme reale, të cilët me angazhimin dhe përkushtimin e tyre mund të ndryshojnë për të mirë jetën e tyre, mund t‘i flakin në rrugë demokratike të gjitha pakënaqësitë ndaj fenomeneve negative me të cilat ballafaqohen në jetën e përditshme, por kjo nuk arrihet duke e lëshuar vendin, për të ikur siç thashë më lart, në vende tjera ku as vetë nuk e dinë ku shkojnë dhe çfarë fati i pret atje?

 

Të vjetrit tanë kanë lënë trashëgimi fjalë dhe eksprienca shumë të rëndësishme, duke pohuar: Vendin e huaj të lavdroheshin, por asnjëherë mos shkosh atje, edhe poetët tanë mërgimin e shpjegojnë përmes poezive si fatin më tragjik të njeriut tonë, prandaj, edhe me të drejtë thoshin se „më e ëmbël balta se mjalta është në vendlindje!“

Kosova është vend me pasuri të mëdha natyrore, shfrytëzimi me përgjegjësi dhe racionalitet i këtyre pasurive garanton një jetë të dinjitetshme të qytetarëve tanë dhe një shpresë të sigurt se në Kosovë, nuk është larg dita kur qytetarët tanë do të jetojnë ashtu siç e meritojnë në vendin e tyre edhe më mirë se qytetarët e atyre vendeve ku mendojnë të shkojnë ata, prandaj Ikja nga Kosova, nuk është arsye!

Kosova është e jona, duhet ta ndërtojmë vetë dhe nuk guxojmë t‘ia këthejmë shpinën, sepse dikur do të na mallkojë historia, duke u surullatur rrugëve pa krye në vendet e huja, duke e asimiluar pjellën tonë dhe duke e vënë në rrezk racën tonë aq të mrekullueshme si popull dhe komb ndër më të vjetrit në gadishullin Ballkanik, të dikurshëm Ilirik!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat