Ukraina ka një mesazh për Ballkanin!

Opinione

Ukraina ka një mesazh për Ballkanin!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 2 maj 2022 Në ora: 13:26
Tensionet Ukrainë - Rusi

Serbia prej vitesh ka shumëfishuar buxhetin ushtarak dhe blen armë nga Rusia, Kina dhe vende të tjera. Madje në këtë projekt armatimi ka porositur edhe avionë luftarakë në Francë! Miliarda dollarë amerikanë ajo po i shpenzon për armatosjen e saj. Ndërkaq Britania e Madhe ka bërë thirrje që të armatosen shtetet e tjera në Ballkan. Kurse Ambasadori Hill kërkoi që Beogradi të ndryshojë qasje, madje të synojë anëtarësimin në NATO.

Këto zhvillime, parë nga përvoja e luftës në Ukrainë, na japin një mesazh: Lufta mund të ndizet edhe në Ballkan me një synim: Për t’i dhënë fund konflikteve dhe pasigurisë së stërzgjatur. Rusia është në konflikt me vendet e saj fqinjë prej më shumë se 20 vitesh. Pra, që prej ardhjes në pushtet të Vladimir Putin. Ai riformuloi politikat e vjetra sovjetike dhe e ngurtësoi idenë e tij në përpjekjet për të rikthyer jo vetëm forcën gjeopolitike të sovjetëve, por edhe “civilizimin rus”! Ky term u përdor ndoshta për herë të parë në historinë e Rusisë!

Konflikti dhe lufta shpërtheu fillimisht në Kiev në vitin 2004 me revolucionin portokalli. Më pas kundër Gjeorgjisë, me aneksimin e Abkazisë dhe Osetisë së Jugut dhe në vitin 2014 arriti kulmin e saj, kur Vladimir Putin pushtoi Krimenë dhe ndezi konfliktin në lindje të këtij vendi. Ai po përgatitej “ta gëlltiste” të gjithë Ukrainën, ose së paku Lindjen dhe Jugun e saj për të siguruar një dalje në Moldavi. Dhe për këtë qëllim më 24 shkurt të këtij viti nisi sulmet ushtarake kundër saj.

Po kalojnë dy muaj e gjysëm dhe lufta vazhdon. Putin tentoi me masa e akte terroriste të asgjësonte ose ta merrte peng presidentin Selenski dhe familjen e tij, por nuk mundi ta realizojë këtë. Ukraina qëndroi fort. Qytetarët e saj, burra e gra, djem e vajza, u rreshtuan në ushtrinë e vendit dhe po luftojnë me vendosmëri për mbrojtjen e atdheut të tyre. Edhe nëse dikush mund t’i besonte presidentit rus, sipas të cilit, “ukrainasit nuk janë komb“, ata, me këtë luftë shembullore u bënë kombi më i respektuar në botë!

Në fillim bota priti kapitullimin e Ukrainës e më pas të përcaktonin ripërcaktimit në aleanca. Por ukrainasit i detyruan edhe miqtë e Vladimir Putin të unifikohen në mbështetje të vendit tyë tyre. Sot Kievi është shndërruar në kryeqytetin e botës. Ndërsa Rusia tërhiqet e risulmon. Ajo priste ta pushtonte në 36-72 orë, por kanë kaluar tashmë mbi 2500 orë dhe Ukraina është në avantazh. SHBA-të dhe vendet e fuqishme europiane dërgojnë atje armatime të rënda e të sofistikuara. Ndërkaq Selenski nuk kërkon ndërhyrjen e NATO-s, por vetëm armë.

Kërkesa për armë dhe jo për ushtarë amerikanë, kanadezë e europianë është kthesa morale më sfiduese e Ukrainës edhe ndaj aleatëve dhe miqve të Ukrainës. Kjo dha siguri se fitorja do të ishte në anën e Ukrainës. Ndërkaq kjo luftë duhet parë edhe si produkt i statukuosë së mbi dy dekadave në një konflikt të ngrirë. E njëjta gjë ka ndodhur gjithashtu në Ballkan.

Konflikti i ngrirë midis Serbisë nga njëra anë dhe dy shteteve të brishta, Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës, nga ana tjetër, është tashmë shumë problematik. Për shkak se Serbia nuk pranon zgjidhje, ky konflikt ka mundësi të shndërrohet në luftë të re ballkanike. Dështimi i agresionit të Kremlinit kundër një vendi sovran e ka vënë në vështirësi Beogradin. Megjithatë presidenti serb, Vucciq, është ende në pritje të ndonjë mrekullie. Pret që Rusia, së paku të mund të aneksojë dy republikat e vetëshpallura në lindje të Ukrainës. Shpreson njëkohësisht se faktori ndërkombëtar do ta njohë këtë ankesim si edhe pushtimet e mëparshme, si atë të Krimesë. Nëse nuk ndodh kjo, Beogradi e di se do të kapitullojë, ose do të detyrohet të hapë një front lufte në Bosnjë e në Kosovë, pse jo edhe në Mal të Zi. Nëse lidershipi serb nuk reflekton për ta vendosur përfundimisht rendin ndërkombëtar në Ballkanin Perendimor e për të njohur Kosovën, atëherë perendimorët mund ta presin krejt ftohtë një agresion serb kundër saj.

Ukraina dha mesazhin. Kur konflikti nuk zgjidhet në tavolinë, atëherë le të zgjidhet në fushën e betejës. Ndërkaq beteja kërkon sakrificë. Rezistenca dhe lufta e ukrainasve është frymëzim i jashtëzakonshëm që shqiptarët të bashkohen në një luftë të mundshme kundër Serbisë. Ky është mesazhi kryesor që ne shqiptarët marrim nga shembulli I Ukrainës. Të përgatitemi, sepse bota perendimore nuk mundet e nuk k apse të sakrifikohet për territoret tona. Një sulm i mundshëm ushtarak serb duhet përballuar. Kjo bëhet vetëm nëse të gjithë shqiptarët në Ballkan e kuptojnë sfidën serbe dhe mobilizohen në një luftë të imponuar.

Në këtë rast Kosova nuk duhet të llogarisë as në forcën e KFOR-it. Do ishte e turpshme t’u kërkojmë ushtrive të vendeve të NATO-s të sakrifikojnë jetën e ushtarëve të tyre për lirinë e vendit tonë. Modeli ukrainas është tashmë mundësia e vetme. SHBA, Britania e Madhe, Gjermania të na furnizojnë me armë dhe ne shqiptarët të jemi të gatshëm të përballemi me armikun që mund të na sulmojë. Zgjidhje tjetër nuk ka e nuk mund të ketë.

Në fund të fundit është më mirë një luftë përballë Serbisë, sesa lëshime të tjera të sovranitetit e të territorit të Kosovës në dobi të saj. Një zgjidhje kompromisi me lëshime të tilla do ta nxiste konfliktin në pafundësi. Një përballje ushtarake në beteja lufte do t’i jepte fund përfundimisht konflikteve në Ballkan. Por jo duke pritur që NATO e të tjerët të sakrifikohen për ne! Njëherë ka ndodhur kjo dhe nuk mund e nuk duhet të ndodhë për së dyti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat