Albini n’Shtëpinë e Bardhë thoshte ka thika përmbi harta e tash sillet rreth saj!

Opinione

Albini n’Shtëpinë e Bardhë thoshte ka thika përmbi harta e tash sillet rreth saj!

Nga: Çun Lajçi Më: 15 maj 2022 Në ora: 17:32
Çun Lajçi

E diele ishte edhe atëherë. Maj ishte e qërshitë ishin para skuqjes. Ato t'Prizrenit kishin nisë mu ba t'kuqrremta e këto t'Janjevës t'shapueme. Qërshori po zbriste fushnajave e maji po ikte përtej Lubotenit. Sharrit po shkriheshin edhe larcat e fundit të borës e karajfilat po mugullonin kërshinave.

Edhe ne, artistët, po zhurmonim kodrinave, si bletët n'koshere. Nji trohë filmi po e varnim n'shirit, si bletët, mjaltin n'hoje! E pra maj ishte, si sot, kur Ylli, Blerta e Yllka, (por edhe ky Çuni), po banin art filmi, kodrave t'Janjevës! Ai ishte "Zgjoi"!

Mu kujtuan varret, mbi kishën e vjetër, e shtëpitë e rrenueme. Aty kishte shumë qërrshi, e kacavaresha si cjapi plak, degëve me kokërra t'shapueme!

Eja se po xhirojmë, thëriste Yll producenti!

E diele sot, por e diele ishte edhe atëherë, kur poeti i "Lirikës me shi" Azemi, me thërriste për kafe tek Qafa!

Jo atje, i thosha, jo! Po ulemi të teatri!

Atje na pret avokati, Bajram Kelmendi, rugovasi, me thoshte, eja! E baheshim bashkë të kafe "Gurra"!

S'pata me shkrua, po, Riza Krasniqi, ai veprimtari i "Pajtimeve" m'u afrua sot në Kafen Corner, e kur me pau vetëm me tha: Edhe ty, si Azemin, po të duen ma shumë Tetova e Tirana, se Prishtina!

Çka po ndodhë me ket milet, m'tha!

Cilët janë shqiptarë; ata apo ne, se njena palë e gjykoi masakrën n'Srebernicë e tjetra jo! Ne këtu s'te duem, ata andej ti blejnë veprat!

Riza, i thashë. Ti ke qenë pajtimtarë me bac Antonin e t'ka ra me pa tyrli ujemi, por si ket ujemin e Edit, Alisë e Albinit, tybe n'ke me pa! Edi ik prej Salihut si prej dreqit, e afrohet të Dodiku nongrata e ja jep dorën tue i buzëqeshë!

Aliu e ven themelin e Shtatores se Haradin Pashës, e kangët ia këndojnë “Haradin Pasha o more hajvan”!

Hajt, bjeri n’fije miletit andej e këndej!

Albini n’Shtëpinë e Bardhë thoshte ka thika përmbi harta e tash sillet rreth saj, tue lutë Zotin me thirrë Bideni e me hi mu përkulë!

Abazoviqi, thoshte s’ban Open Ballkan, tash që u ba Kryeministër thotë po, ai asht i mirë, duhet me hi!

Imeri i Martinajve, kishte me thanë “hyqmyrylah”!

Riza shkoi dhe u ul me tre shokë por unë prap mbeta vetëm. Njiherë deshta me i thanë: E sheh? S'bane ballë mu ulë, as ti me mua, e pra mirë pleqnove!

Thojshin do t'pa shkollë, po me nji kapuç mend, duhesh me i kalua tri katunde, me pa se kush je! Unë, tash që u plaka, rrallë po dal deri të shkallët e teatrit, por as aty s'po i gjejë gjurmët e mia, me m'kallxua se kush jam.

I kanë la natën pastruesit e qytetit e qent e kastruem i kanë pëshurrë!

Kurrizi i Dardaniseë, maj 2022

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat