E kujtojmë legjendën e boksit Xhevdet Pecin

Opinione

E kujtojmë legjendën e boksit Xhevdet Pecin

Nga: Sadri Rexhepi Më: 12 qershor 2022 Në ora: 19:25
Sadri Rexhepi

Xhevdet Pecit, boksier i njohur, para pak vitesh Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ia dhuroi Mirënjohjen “Medalja Presidenciale e Meritave”

Sot u bë një muaj që kur ndërroi jetë legjenda e boksit të Kosovës, Xhevdet Peci. Humbja e këtij boksieri të njohur ishte një goditje dhe e papritur për të gjithë, sidomos për kolegët dhe miqtë e tij. Të gjithëve na erdhi keq për madhështorin Xhevdetin tonë të dashur, i cili bashkë me shokët e vet na bënte të lumtur kur Klubi i Boksit “Prishtina” u shpallë pesë herë kampione dhe shtatë herë nënkampione e boksit e ish shtetit të quajtur Jugosllavi, që na bënte padrejtësi në të gjitha sferat e jetës e po ashtu edhe në boks. Prishtinës dhe Kosovës ai i ka sjell shumë tituj, medalje e trofe të shumta. Para pak vitesh, apo më mirë të themi me 17 shkurt të vitit 2014 presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ia dhuroi Mirënjohjen “Medalja Presidencial e Meritave’’për kontribut dhe suksesin e madh në sport kur në të njejtën kohë ia dhuroi edhe kolegut të tij të boksit, Mehmet Bugujevcit titullin e lartë ‘‘Medalja Presidenciale të Meritave”. Ndërsa, më herët mbante edhe titullin “Mjeshtër i Madh i boksit”. Bokseri u shfaq i knaqur në ceremoninë e organizuar, duke shpreh me gëxim te madh falënderimin për dekoratën. “Është një gjë e vlefshme, jo vetëm për mua, por për të gjithë kolektivin”, u shpreh në ceremoni ai. Ndërsa, duke shprehur falënderimin për Mirënjohjen, Xhevdeti pat thënë: “Është një dekoratë e vlefshme jo vetëm për mua, por për të gjithë kolektivin e Klubit të Boksit “Prishtina” dhe gjithë Kosovën”. Të rrallë janë ata shqiptarë që nuk kanë lexuar ose dëgjuar sukseset e Xhevdetit, kur KB “Prishtina”, fitoi pesë herë titullin e kampionit në ish Jugosllavi, shtatë herë nënkampion në grup, ndërsa katër herë kampion individual në ish Jugosllavi, dy herë kampion ballkanik individual, kapiten i reprezentacionit të ish Jugosllavisë me SHBA-në dhe dy fitore ndaj boksierëve të Amerikës, etj. Ai punonte shumë, ushtronte shumë e kjo don të thotë se ai e çmonte punën dhe rezultatet individuale, gjithashtu edhe kolektive dhe ato nuk mungonin. Madje, shpeshherë në intervistat e shumta ai thonte se 98 % e sukseseve arrihen me punë, kurse 2 % me talent. Të gjithë shokët e klubit i deshe shumë por një personalitet e deshe mbi të gjithë profesorin dhe trajnerin, selektorin e Kosovës dhe të ish Jugosllavisë të madhin Lah Nimanin të cilin në rrëfimet tuaja e quaje vazhdimisht Profa. Xhevdeti me grushtatë e çelikt i rrëzonte përtokë gati të gjithë kundërshtarët ndërkaq kur boksonte jashtë Kosovës nëpër qytetet e ish Jugosllavisë me shikimin e tij laserik i bënte për turp shikimet cinike të shikuesve xhelatë të cilët çirreshin për t’ia thyer dinjitetin. Nga paderjtësit që u beheshin bokserëve të Prishtinës nëpër ringjet e ndryshme Xhevdeti u thoshte shokëve të vet se ju sillne rezultatin deri në nëntë me nëntë se unë e siguroj fitorën dhe vërtet shpeshherë ndodhte ashtu. Së këndejmi, ai ishte çelësi, shifra përmes të cilit Prishtina siguronte fitoret. Megjithatë në vitin 1986 nga padrejtësia që iu bë në Podgoricë, kur referi i shqiptoi tri vërejtje të panevojshme e nokautoi referin dhe përjetësisht u përjashtua nga pjesëmarrja në boks. Arsyeja e vërtet e vërejtjeve që referi i jepte Xhevdetit, ishte se kundështari i Xhevdetit pritej të rrëzohej në ring, kurse gjygjtarët nuk dëshironin ta lejonin Prishtinën të bëhej kampione për herë të gjashtë në ish Jugosllavi. Do të kalojë një kohë e gjatë që Klubi i Boksit “Prishtina”, të gjej një boksier siç ishte Xhevdet Peci.

Për të siguruar ekzistencën deri në përfundim të luftës së fundit shqiptaro-serbe Xhevdeti është marr me punë të ndryshme, kurse pas përfundimit të luftës ai është angazhuar në Federatën e Boksit të Kosovës deri para dy viteve kur u pensionua. Në kohën kur u pensionua para dy vitesh, ai e shprehte shqetësimin e tij se pensioni i tij ishte i ulët, vetëm prej 90 eurosh. I them ulu ta pimë nga një kafe dhe në bisedë e sipër si për mahi i them a e din si caktohet pensioni i bokserëve, tha si, i them në bazë të intervalit kohor sa ke qëndruar mbrenda litarëve dhe në bazë të goditjeve sa ke marr. E ti Xhevdet e ke kry punën me kundërshtar për 5 deri në 10 sekonda dhe nuk ke marr asnjë goditje serioze. Prandaj ta kanë caktuar pesionin prej 90 eurosh. Ai m’i hapi sytë dhe tha: Unë kam arritur rezultate në boks dhe i kam sjell Kosovës shumë medalje. Xhevdet ti e din sa të çmoj ty, sepse ju jeni shkaktar që unë jam sot gjallë, sepse kur policia serbe më pat kidnapuar më dërgoi në aeroport të Sllatinës për të më dërguar në Beograd e ti nuk munde të ma kthesh shpinën, por hyre në zyrën ku më maltretonte policia serbe dhe fal ndërhyrjes sate unë shpëtova!...Thonë se “Fati është mbret i botës” e fati im ishit ju. Së këndejmi, fal angazhimit tuaj nuk pata fatin tu bashkohem fatosave të lirisë, edhe fizikisht.

Si çdo qytetar i Kosovës i dëshpruar në institucionet shtetërore të Kosovës për mos aprovimin e ligjit për sportistët e merituar, ai fitoi shqetësim të jashtzakonshëm. Para rreth tre –katër muajve ai emigroi në SHBA për bashkim famijar mirëpo para një muaji nga shqetësimi i madh ndërroi jetë…!

Ai kishte lënë amanet familjes që kockat e trupit dhe shpirtit të tij të prehen në varrezat e fshatit të lindjes në Zhazhë afër varrit të Bejtush Zhazhës një trimi të rrallë shqiptar, të cilin policia serbe e kishte vrarë tinëzisht në burgun e Nishit në vitet e 70-ta. Deshi të varroset në Zhazhën e Mitrovicës dhe varri i tij të mbulohet me dheun e freskët të Kosovës për të cilën derdhi shumë djersë dhe i solli shumë medalje e trofe të çmueshme. Homazhet në nder të legjendës Xhevdet u zhvilluan nën udhëheqjen e Enver Haradinajt në Pallatin e Rinisë në Prishtinë në paraditën e varrimit nga ora 9 deri në orën 12 mw 12.05 2022. Ai u varros në orën 16 e 30 me nderime të larta në prani të një numri të madh qytetarëve nga mbarë Kosova, kurse në 19 e 30 nën patronazhin e kryetarit të Mitrovicës z.Bedri Hamza u mbajt mbledhje komemorative.

Zoti i madh e din sa më erdhi keq edhe mua për humbjen e madhështorit Xhevdetit tonë të dashur, i cili bashkë me shokët e vet na bënte të lumtur kur Prishtina shpallej pesë herë kampione dhe shtatë herë nën kampione e atij shteti që na turturonte me padrejtësitë e tij.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat