A thua do na nxejnë rrezet evropiane këtë vit!?

Opinione

A thua do na nxejnë rrezet evropiane këtë vit!?

Nga: Gjon Neçaj Më: 22 qershor 2022 Në ora: 09:55
Gjon Neçaj

Populli shqipar, ky popull i shumëvuajtur dhe i cfilitur ta shijojë vërtetë lirinë demokratike, duke u bërë ballkon frymëzimi për Ballkanin e më gjerë.E siç shkruante këtu e vite më parë një publicist dhe akademik shqiptar, nuk ka liri të kriminalizuar, sikundër nuk ka demokraci të dhunuar, e respektivisht nuk ka patur as nuk do ketë liri komuniste në shoqërinë demokratike.Ndërsa unë dhe fqinjët e mi, sot meditojmë për deputetët tanë, që për katër vjet nuk shkelin në zonën tonë.

Ata vijnë vetëm në fillim të fushatave, duke bërë mizën buall dhe detin kos me realizime dhe “investime” të fuqishme.Por nisur thjesht dhe vetëm nga interesa vetjake, të tillë kandidatë për drejtues vendorë, e kjo tashmë është një kambanë për zgjedhjet e ardhshme vendore me ndarjen e re administrative, ku një çerekshekulli radhazi kanë kandiduar, herë me një parti dhe herë me një tjetër.Pra aty ku shitet ideali dhe morali i tyre, aty qëndrojnë të krekosur në kolltukun e kryetarit dhe të këshilltarit.

Edhe nëse fitojnë, përsëri do të mbeten “lejfenë”, ku historia e mëvonshme do t’i përjashtojë edhe nga jeta njerëzore, jo më nga elektorati i tyre i lodhur prej dy dekadash. E ajo ditë ndoshta do jetë jo e largët, e dashtë Zoti që votuesit të mos jenë mërzitur e sfilitur, se Noli ka vdekur me kohë, e nuk ka kush të rrëfejë më për ta.Në këtë periudhë kohore prej më se një shekull shtet shqiptar, fatkeqësisht kombi ynë ka provuar disa sisteme shoqërore dhe politike.

Sistemet politike, të cilat po i cekim më poshtë, jo çdo periudhë historike kanë sjellë prosperitet, por disa syresh edhe pasoja negative që ende sot rëndojnë mbi kurrizin e shqiptarëve të përvuajtur. Për t’u theksuar është fakti se liderët politikë shqiptarë përgjithësisht s’kanë pushuar së reshturi për demokraci dhe mirëqenie sociale. E mjerisht sovrani që meritonte shumë e më shumë, përfitoi skamje, varfëri, mjerim, injorancë dhe diktaturë nga më të egrat ,nga të cilat tash 30 vjet lëvrojnë mbi kurrizin e shqiptarëve të ndershëm. . Por mendime të tilla, siç gjykojmë ne, dëmtojnë çështjen shqiptare në përgjithësi dhe shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut, në veçanti. Hapësirat shqiptare ballkanike mbeten të konfiguruara brenda një realiteti të hidhur gjeografik dhe historik, pasi jo vetëm se shqiptarët mbetën të jetojnë në gjashtë shtete.

Në Ballkan nuk ka të mëdhenj e të vegjël, me ndryshimet dhe rirreshtimet e reja, në gadishullin tonë, dalëngadalë të gjithë do të kuptojnë se nuk ka më të mëdhenj, të gjithë janë të barabartë. Ne shqiptarët ende nuk jemi formuar si komb në kuptimin e plotë të fjalës. Shqiptarët ende nuk kanë një program nacional që do t’i emanciponte në aspektin e ngritjes së vetëdijes kombëtare, për mbrojtjen e tyre jo për të sulmuar të tjerët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat