Vuçiq e shpalosi trikon me hartën e Kosovës!

Opinione

Vuçiq e shpalosi trikon me hartën e Kosovës!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 1 gusht 2022 Në ora: 22:43
Sherif Ramabaja

Shikoni tha, ç´ na bënë kosovarët. Na e morën zemrën e Serbisë. Më thoni mua, a ka trup të gjallë në botë, i cili jeton pa zemër. Ne Perëndimi na bombardoi dhe tash na thonë, jetoni ashtu nëse mundeni – pa zemrën tuaj.

Unë jam për paqen, këtë e kam dëshmuar me shembuj që kamë treguar me Ballkanin e Hapur, po kur është në pyetje mbrojtja e popullit atje, unë nuk pyes askënd. Kjo është detyrë e shenjtë e imja dhe e popullit serb.

Ne shqiptarët i kemi mbrojtur gjithmonë. Këtë më së miri e dinë luftëtarët e malit, me të cilët bukën e gojës e ndanim së bashku.

Ne po me këta luftëtarë e kemi çliruar Kosovën nga fashizmi dhe mbeturinat e tij në popullatën vendase.

Ne Hoxhës ia kemi dhuruar njerëzit më të aftë të popullit tonë, me mision që të vëllazëroheshim.

Ne ishim të lumtur që ia kishim arritur këtij qëllimi. Mirënjohja për këtë nga shteti shqiptar, nuk ka munguar kurrë. Ata edhe sot shfaqin admirimin dhe simpatinë për ne.

 Me ta kuptoheshim dhe ishin pajtuar, që Kosova të ishte pjesë e jona. Kërkesat e vetme të tyre ishin që shqiptarëve, t´ua njihnim të drejtat e barabarta. Ne kishim vepruar ashtu.

 Ua kishim hapur shkollat në gjuhën e tyre. I kishim integruar në institucionet shtetërore. U kishim dhënë leje për ndërtim të papenguar të xhamive. Libraritë i kishin të mbushura, me literaturë në gjuhën e tyre, por kujdeseshim për cilësi dhe përmbajtje vëllazërore. Ne nuk i pengonim, udhëtonin pa viza në tërë botën.

Po ashtu e kishin të garantuar shtypin, radion, televizioni dhe gjithçka tjetër. Unë nuk di se ç´u mungonte dhe prapë u krijua problem, që çoi në eskalimin e gjendjes dhe Serbinë e detyruan, që t´i mbronte kufijtë e Kosovës.

Ne nuk bënim asgjë, secili shtet me të drejtën ndërkombëtare është i detyruar në mbrojtjen e territorit të tij. Shqiptarët e sulmonin policinë e cila ishte për mbrojtjen e qytetarëve, pastaj i zgjeruan sulmet edhe ndaj ushtrisë. I organizuan ikjet me qerre, kuaj, gomarë, traktorë, maune, autobusë etj. dhe plaçkitnin ç´ gjenin përpara duke mos e kursyer as pasurinë shtetërore. Ne ishim munduar me ushtri e polici t´i ndalnim, po me kushtetutë lejohej lëvizja e lirë dhe s’kishim se ç´bënim.

Shqiptarët shkuan edhe më larg, vrisnin polici dhe ushtri të rregullt, inskenuan masakra dhe e nxitën NATON që të na sulmonte.

Sot kemi ardhur në këto momente këtu ku jemi.  Kurti e rrëmbeu pushtetin me dhunë dhe sot si një fashist dhe majtist i rrezikshëm ekstrem dirigjon me Kosovën.

Unë e kam njoftuar me kohë bashkësinë ndërkombëtare, po ata sikur i kanë futur veshët në lesh. I vetmi që po e kupton Serbinë dhe popullin serb është ish diplomati Grenell.

 Ai kërkoi haptas që të lirohet Thaçi nga burgu dhe ta merr drejtimin e Kosovës. Derisa ishte ai në krye të Kosovës, nuk i kishim këto probleme. Ne takoheshim rregullisht. Daçiq ia merrte këngës herë shqip, serbisht e magjupisht dhe kur i zbraznim shishet me verë, i firmosnim marrëveshjet. 

Ato ishin momente që do t´i kujtojmë gjithmonë, siç i kujtojmë luftëtarët e maleve, të cilët e kishin përqafuar vëllazërimin e popujve tanë.

 Ne insistojmë që sërish t´i kemi ato kohë. Mjerisht sot i vetmi që po kujdeset dhe po përpiqet për kthimin dhe vazhdimin e vëllazërimit tonë, është miku im i çmuar kryeministri Rama dhe partia e tij. 

 Ai për artistët tanë dhuroi çelësa të Tiranës, ftoi këngëtar tanë me renome, e mbushi bregdetin me turist tanë, kënga serbe jehon në plazhet e bregdetit shqiptar, kërkon me ngulm, sikurse unë, Ballkanin e Hapur, e çka jo tjetër.

Kjo është Shqipëria të cilën ne e duam, e hapur, vëllazërore ashtu siç i kishin vënë themelet të parët tanë, e jo sikurse Kurti, marksist, leninist dhe fashist, i cili dëshiron t´i shfaros serbët. 

Mars – Rover (Tekst me përmbajtje ironike )

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat