Ngjashmëritë në veprime mes Gerhard Schröder dhe e Edi Ramës !

Opinione

Ngjashmëritë në veprime mes Gerhard Schröder dhe e Edi Ramës !

Nga: Sherif Ramabaja Më: 8 gusht 2022 Në ora: 17:29
Sherif Ramabaja

Është e njohur që Gerhard Schröder, ish kancelari gjerman, një kohë të gjatë është temë numër një, jo vetëm e mediave gjermane dhe atyre botërore, po edhe e partisë së tij SPD, e qeverisë gjermane, si dhe e strukturave të larta të politikës ndërkombëtare.

Sidomos me shpërthimin e konfliktit të Ukrainës, po analizohet qëndrimi i ish kancelarit Schröder ndaj agresionit rus, me qenë se ai ishte dhe qëndron të jetë, mik i ngushtë i satrapit Putin. Me këtë rast, veprimet e Schröder - it u kritikuan dhe po kritikohen gjithnjë e më shumë. Ai pas pasivitetit në jetën politike gjermane, me iniciativën e Putinit, kishte marr post të rëndësishëm në koncernin e Gazprom  - it rus.

Putini për këtë post Schröder - in nuk e kishte zgjedhur rastësisht, por duke e njohur figurën e tij si kancelar i një shteti të fuqishëm, siç ishte Gjermania, e kishte planifikuar si lobist, për depërtimin e gazit rus drejt Evropës.

Ish kancelari Schröder fitonte miliona nga posti i ri dhe lobimi në dobi të Rusisë, po edhe Rusia përfitonte prej tij miliarda nga tregu evropian i gazit, duke e futur Evropën në një varshmëri, në të cilën sot ndodhet, ku Putini sot gazin, po e përdorë si një armë politike.

Ish kancelari Schröder, duke pasur ndikim të plotë në partinë e tij SPD, e kishte  nxitur shtetin gjerman, edhe pse SHBA dhe disa shtete të EU ishin kundër, që ta ndërtonte edhe gazsjellësin Nord Stream 2.

 Ky gazsjellës nga Rusia deri në Gjermani kishte kushtuar më shumë se 9 miliard euro, por me agresionin rus ndaj Ukrainës, sot ai qëndron jashtë funksionalizimit. Putin edhe këto ditë po e kërcënon Gjermaninë duke e shantazhuar, me ndërprerje të plotë të furnizimit me gaz, në rast se nuk e vë në përdorim Nord Stream 2.

Schröder kritikohej edhe më parë për afrinë e tij me Putinin, por me fillimin e luftës ndaj Ukrainës, presioni erdh duke u shtuar ndaj tij. Për çudi, Schröder heshtë edhe sot dhe nuk është distancuar deri më tash, nga veprimi i Putinit. Presioni çdo ditë vjen duke u shtuar ndaj tij. Zërat shtoheshin që t´i merreshin privilegjet si ish kancelar, në lidhje me byronë e tij në Berlin, kurse partia e tij SPD, po kërkon që ta largojnë nga radhët e veta.

Kërkesat për largim po vijnë duke u shtuar, duke i parë udhëtimet e tij të shpeshta drejt Moskës, për takime të drejtpërdrejta me Putinin.

Irritimi më i madh ndaj tij shtohet kur deklaron:  Putini është i angazhuar për gjetjen e një zgjidhje me Ukrainën dhe është i gatshëm për bisedime.

Kancelari në detyrë Scholz, këto ditë u distancua nga veprimet e Schröder, pa ia cekur emrin drejtpërdrejtë.

Kur e kujton ish kancelarin gjerman Schröder, i cili në luftën e Kosovës 1998 / 99 kishte lozur rol aktiv për vendimmarrjen e NATOS në bombardimin e Serbisë, të dhimbset se në çfarë pozite ka rënë sot.

Për fat të keq shqiptarët e kanë sot figurën e tyre, kryeministrin Rama, i cili me qëndrimin dhe sjelljen e tij ndaj presidentit të Serbisë Vuçiq, bie në nivelin e tashëm të ish kancelarit Schröder.

 Shqiptarët sidomos në Kosëvë, Luginë dhe Maqedoni, fuqishëm dhe rregullisht protestojnë ndaj qëndrimit të kryeministrit Rama, për afrimin me despotin Vuçiq në dëm të Kosovës dhe shqiptarëve, por pa sukses.

Shumë më tepër se gjysma e kombit proteston ndaj qëndrimeve të tij antikombëtare, përpos partisë së tij PS. Rama përveç përçarjes që është duke shkaktuar në mes të shqiptarëve, është duke e dëmtuar fuqishëm edhe kauzën kombëtare. Ai nuk jep shenja në korrigjimin e politikës së tij, por i akuzon të gjithë ata që e kundërshtojnë qëndrimin e tij.

Nga veprimet e Ramës në raport me Vuçiqin dhe Serbinënë, po dëmtohet rëndë Kosova në aspektin e brendshëm. Rama duke ia rrahur krahët Vuçiqit, me vetëdije apo pa vetëdije po e nxitë që ai haptas, çdo ditë t´i kërcënohet Kosovës.

 Në aspektin ndërkombëtar, Rama e merr haptas nën mbrojtje Vuçiqin dhe Serbinë, duke i relativizuar veprimet kriminale të saj, armatosjen, agresionin, masakrat dhe gjenocidin që kishte bërë ndaj shqiptarëve, e sidomos ndaj Kosovës.

Sot kryeministri Rama shkon edhe më larg dhe me nismën e Ballkanit të Hapur, që është ide e ekspansionit serb, mundohet t´i bind shqiptarët, si ide e ardhme dhe e ndritshme e tyre, kurse në realitet është marria më e madhe e shekullit 21, që proklamohet nga një politikan shqiptar.

Schröder - in sot në Gjermani askush nuk e quan tradhtar, sepse në perëndim kjo formë, me institucione të fuqishme demokratike nuk do të kishte efekt.

Në vendet ballkanike, ku shtetet dhe institucionet janë të brishta, termi tradhtar përdoret fuqishëm, si në këtë rast ndaj Ramës, kur dihet se ndaj fuqisë së tij si autokrat, askush nuk guxon dhe nuk mund të ndërmerr asgjë.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat