Rakiq, e njeh apo jo Republikën e Kosovës!?

Opinione

Rakiq, e njeh apo jo Republikën e Kosovës!?

Nga: Gani I. Mehmeti Më: 17 gusht 2022 Në ora: 06:13
Gani I. Mehmeti

Ato vende, fjala është për shtetet e KUINT-it, e njohin Pavarësinë e Kosovës. – informoi Vuçiqin në Beograd, që për bisedën e zhvilluar me KUINT-in, më 16 gusht 2022 në Prishtinë.

Goran Rakiq, kryetari i Listës Serbe, partia udhëheqëse e serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, tha më 16 gusht se ambasadorët e KUINT-it deklaruan në një takim me kryetarët e komunave në veri të Kosovës se mbështesin Pavarësinë e Kosovës dhe vendimet që merr Kosova.

Rakiq, i cili është edhe ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, u tha gazetarëve në Qeverinë e Serbisë se marrëveshja parimore ishte që takimi të ishte i mbyllur për publikun.

Sipas fjalëve të tij, ambasadorët e KUINT-it (SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia) theksuan se mbështesin vendimet e Kosovës për targa dhe futjen e një dokumenti hyrje/dalje që do t'u lëshohej serbëve kur hyjnë dhe dalin nga Kosova.

Sipas tij, ambasadorët kanë deklaruar se Kosova këtë e ka bërë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit

“Ata na thirrën që të pranojmë realitetin në terren, Pavarësinë e Kosovës”, tha ai.

Unë kurrë, kurrë nuk do ta pranojë Republikën e Kosovës dhe nuk ka serb që e pranon atë! – tha Goran Rakiq.

Mirëpo, deri sa Rakiq është zëvendëskryeministër i Republikës së Kosovës, deri sa ai është Ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, deri sa ai punon me llogon e Republikës së Kosovës, deri sa ai është i emëruar ministër në Republikën e Kosovës, deri sa ai pranon rrogë nga Republika e Kosovës, si mundet ta thotë një gjë të tillë?

Vallë, si është e mundur që një njeri me kaq ndikim nga të tjerët, ta thotë një gjë të tillë, kur realiteti është ndryshe nga sa e thotë ai vetë.

Ne e dimë se në vitet e 90-ta të shekullit 20, nuk pranonim Republikën e Serbisë dhe e kemi lëshuar punën, me qëllimin e vetëm, që të refuzohej shteti që bënte gjenocid mbi shqiptarët.

Sikur sot, shqiptarët të bënin një gjenocid mbi serbët, ata vërtet do të kishin të drejtë ta refuzonin pavarësinë e Kosovës. Mirëpo, serbët e Kosovës janë më të privilegjuarit në botë si pakicë. Dhe, me kaq privilegje, ata nuk janë të kënaqur nën Republikën e Kosovës, sepse ata nuk duan të jetojnë bashkë me shqiptarët në një shtet. Ata ankohen, ftojnë për luftë, ngacmojnë që dikush të vritet e pastaj të “arsyetohen” në botë për “dhunën e viktimizimin” e serbëve në Kosovë!

Goran Rakiq na del kontradiktor: Ai edhe e ka pranuar Republikën e Kosovës deri sa punon në të, edhe nuk e pranon verbalisht, për t’i nxitur serbët e tjerë që të mos e pranojnë, por nuk iu shkon ndërmend serbëve në Kosovë, se pikërisht ky Rakiqi është në Qeveri të Kosovës, punon, merr rrogë, mban titullin e Ministrit dhe të zëvendëskryeministrit të Republikës së Kosovës.

Sa qesharak! Nuk po e çoj më tutje...

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat