Letër e hapur parisë së Sindikatës së Arsimit të Kosovës - anulohet greva e paralajmëruar

Opinione

Letër e hapur parisë së Sindikatës së Arsimit të Kosovës - anulohet greva e paralajmëruar

Nga: Prof. Sahit Sahitaj Më: 21 gusht 2022 Në ora: 13:03
Sahit Sahitaj

Të nderuar përfaqësues të Sindikatës,

Jam veteran i arsimit. Kam mbushur tetëdhjetë e gjashtë vite të jetës. Unë dhe brezi mësimdhënësëve të viteve të tetëdhjeta e të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar qemë përballur me vështirësi të paimagjinueshme, që na imponoheshin nga regjimi serbomadh. Pas Demonstratave të vitit 1981 u përjashtuan nga puna qindra mësimdhënës, në mesin e tyre isha edhe unë. Në vitin 1991 nuk pranuam të punonim me planprogramet e Serbisë, ndërkohë pasoi mbyllja e shkollave shqipe dhe burgosjet e mësimdhënësve. Në mesin e tyre isha edhe unë. Objektet shkollore na i mbyllën, por populli atdhedashës shtëpitë i shndërroi në shkolla. Ne udhëtonim nga fshati në fshat, në shi e dëborë për t’i mësuar nxënësit. Punonim vullnetasisht, jo për ato 30 DM, që populli na i jepte, si obligim ndaj atdheut, por sepse ishim të vetëdijshëm se po kryenim një punë të mirë për kombin tonë.

Nesër në grevë do jenë ish nxënësit tanë, tani mësimdhënës. Pjesëmarrja e tyre në grevë, nuk duhet të na brengos fare, sepse ata zbatojnë vendimet e parisë së zgjedhur. Por duhet të na brengos diçka tjetër. Duhet të na brengos fakti se greva do mbahet mu në çastet më kritike për Kosovën, kur qeveria natën e bën ditë për çështje e sigurisë së Republikës. Mbajtja e grevës po ndodhë në kohën kur spiunazhi rus e serb kanë penetruar thellë në poret e shoqërisë sonë dhe po përpiqen me forma e mjete materiale për të mundësuar eskalimin e trazirave në Kosovë.

Greva e paralajmëruar nga paria e Sindikatës përkatëse me vetëdije a pavetëdije në këto çaste është e dëmshme për çështjen tonë kombëtare. Prandaj për hirë të interesave të përgjithshme kombëtare e shtetëror, lus parinë e Sindikatës përkatëse tani për tani të heq dorë nga greva!

Edhe njëherë për hirë të kauzës sonë kombëtare të mendohet nga elita sindikale heqja dorë nga greva e paralajmëruar, sepse sot me mend e zemër duhet të jemi unik ndaj armikut të jashtëm, që punon ditë e natë për shfarosjen e shqiptarëve.

Autor: veteran i arsimit

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat