Fasada e rrejshme e shoqërisë sonë demokratike

Opinione

Fasada e rrejshme e shoqërisë sonë demokratike

Nga: Adea Hasi Më: 1 dhjetor 2022 Në ora: 23:31
Adea Hasi

Ekziston një e drejtë univerzale, që vlen për të gjitha shtetet, kulturat dhe komunitetet, që dhuna kundër grave është e papranueshme, e pafalshme dhe e patolerushme, thotë një shprehje. Por, një tjetër thotë se duhet të ndalemi duke folur për dhunën ndaj grave thjesht si statistikë, secila prej tyre ka emër dhe identitet. Le ti shkruajmë këto emra aty ku nuk do harrohen kurrë.

Mirëpo, është lehtë të lexojmë dhe të citojmë shprehje të tilla, kur në fakt po shohim një realitet krejt ndryshe. Eshtë shumë lehtë të themi se duhet të respektohen gratë dhe të drejtat e tyre, kur në fakt para syve po na ndodhin ngjarje të paparashikueshme. Eshtë thjeshtë të themi që dhuna ndaj grave nuk duhet të ndodhë, kur statistikat e fataliteteve po shkojnë vetëm duke u rritur.

Pra, diku me patjetër jemi duke gabuar, sepse ajo çfarë po pretendojmë dhe ajo çfarë po ndodhë realisht po shëndrohen në dy realitete të ndryshme.

Gratë janë bërthama e një familjeje, pra baza kryesore e qelizës së shoqërisë. Në mënyrë që të kemi shoqëri dhe breza të shëndoshë, duhet që të kontribohet sa më shumë në emancipimin dhe avancimin e gruas. Por, në vendin tonë, me ngjarjet që kanë ndodhur kohët e fundit, mund të nënkuptojmë që me dhunimet dhe me vrasjet ndaj grave, po vritet edhe familja e shëndoshë, po vriten gjeneratat e shëndosha dhe po shkojmë drejt shkatërrimit si shoqëri.

Realisht, ngjarjet e fundit degraduese, na kanë shkaktuar regres të madh si shoqëri, dhe dalëngadalë po shkojnë duke i shuar vlerat dhe idealet demokratike në të cilat kemi besuar aq fort, por mbi të gjitha po e shuajnë besimin në sigurinë individuale dhe kolektive në këtë shtet.

Kemi besuar fort kohët e fundit se gradualisht po e mposhtim mentalitetin e prapambetur, se tashmë gratë po e marrin ngadalë statusin e barabartë në shoqëri, por siç duket ne si shoqëri qenkemi ende larg nga progresi, dhe ato gjëra që janë normale për vendet e tjera tek ne ende po vazhdojnë të mbesin ideale në letër.

Vrasjet dhe tragjeditë e fundit kanë qenë shokuese dhe nuk ka asnjë lloj justifikimi për këto krime. Shoqëria jonë po synon të barazohet me shoqeritë demokratike të Evropës që kanë histori të lashtë të ekzistimit të shtetit, me shtete që kanë punuar fort për tu ndertuar dhe kanë marrë gjithë kohën që u është nevojitur. Mirëpo,ne fillimisht duhet të punojmë në ngulitjen e parimeve të ndershme dhe demokratike tek mentaliteti jonë si popull, jo më të vendosim fasada kinse jemi avancuar dhe jemi zhvilluar, sepse me gjithë këto tmerre që ndodhën së fundmi, me të vertëtë jemi shumë mbrapa.

Brezat e ri duhet të mësohen të jetojnë me parime, të mësohen se problemet në jetë t’i trajtojnë dhe t’i zgjidhin drejtë dhe me mendje të pastër, jo të ndikohen nga mentaliteti e nga pesimizmi, të mësohen që fasada e rrejshme kurdo herë shkatërrohet e njashtu do shkatërrohen edhe idealet ose besimet e rrejshme. Të mos thonë se gratë janë të barabarta me burrat kur u konvenon e të mendojnë e të veprojnë të kundërtën, por të studiojnë që ta kuptojnë që kjo është një e vertetë e padiskutueshme. Të kuptojnë se një grua nuk është pronë e askujt, një grua ka të drejtë të jetojë e lirë dhe me dinjitet, të kuptojnë se mentaliteti i sëmurë prodhon gjenerata jo të shëndosha.

Mbi të gjitha, le ta dimë se po vazhduam kështu do shëndrohemi në një popull mjeran, pa siguri, pa prioritete dhe pa mirëqënie.

Thjeshtë po bëhet çdo ditë e më e vështirë për vajzat dhe gratë që të jetojnë në këtë vend, ku vazhdimisht po shëndrohen në shënjestra të vrasjeve dhe dhunimeve, ku po u privohen të drejtat themelore, ku po konsiderohen si pronë e dikujt.

Një shoqëri ka vlerë aq sa vlerëson gratë prandaj një shoqëri do rritet dhe zhvillohet aq sa avancon gratë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat