I bënë atentat, e dogjën flamurin, Rugova të gjithë i mundi me dije dhe urtësi!

Opinione

I bënë atentat, e dogjën flamurin, Rugova të gjithë i mundi me dije dhe urtësi!

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 2 dhjetor 2022 Në ora: 14:45
Presidenti Rugova

2 dhjetori i vitit 1944 shënon lindjen e njeriut të destinuar për tu shndërruar në ikonë, në pavdekësi. Po të ishte gjallë, Ibrahim Rugova do të festonte 78 vjetorin e lindjes. Ndonëse kishte kundërshtarë të fuqishëm deri në kërcënime për vdekje, pas vdekjes së tij para varrit të tij u përkulën i madh e i vogël.

Sot, figura e tij përkujtohet me nder dhe respekt, figura e tij kolosale ka tejkaluar kufijtë e shqiptarisë. Si doktrinë politike dhe jetësore, rugovizmi ngërthen në vete gamën e gjerë të shqiptarit që nga lashtësia deri në modernitet.

Realisht, për Rugovën është shkruar dhe thënë shumë, me figurën tij burim frymëzimi për të vazhduar të shkruhet akoma për të, të studiohet jeta dhe vepra e tij. Se Rugova po i mungon Kosovës dhe kombit shqiptar as që vihet në diskutim, edhe nga kundërshtarët e tij më të mëdhenj, për vizionin, urtësinë e guximin në të mirë të kombit shqiptar. Elita politika në Kosovë ka nevojë për dijen, vizionin e Rugovës.

Çdo ditë e më shumë shtohen ata që flasin për Rugovën, rugovizmin, duke u munduar të përfitojnë në emrin e tij.

Rugova me sinqeritetin e tij, punën dhe vizionin e tij, bëri Kosovën të jetë në krah të diplomacisë botërore. Ishte Ibrahim Rugova, ai që në vitin 1992 bëri marrëveshje jo formale me Ramiz Alinë, për krijimin e mundësive të stërvitjeve të grupeve të shqiptarëve të Kosovës në Shqipëri.

Nga aty edhe filluan të shkonin grupet e para, në mesin e tyre edhe Adem Jashari, dhe shumë luftëtarë të tjerë. Me pak fjalë, ishte presidenti Rugova ai që bëri të mundur që të stërvitën ata që i dolën përpara Serbisë, ata që nuk kishin as akronim të një ushtria apo gjërave të tilla, por që kishin ideal luftën dhe lirinë.

Disa huliganë e shpallën tradhtar, e dogjën flamurin dardan, ai heshti, e dinte se e vërteta triumfon. Rugova nuk ishte politikan i zakonshëm, ishte misionar dhe si i tillë mbeti.

Në formimin e tij intelektual rol të madh ka luajtur eposi, etnia shqiptare, mandej rritja e tij jetim e ka bërë edhe më shumë të zhytet në petkun iliro-dardan. Rugova mbetet simbol i lirisë dhe pavarësisë, model i shqiptarit.. atdhetar i pashuar.

Rugova ke vetëm ditëlindje..!!!

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat