Pyetje retoriko-diplomatike për Quintin

Opinione

Pyetje retoriko-diplomatike për Quintin

Nga: Shaban Murati Më: 7 dhjetor 2022 Në ora: 09:58
Shaban Murati

-A ka "Asosiacion të komunave meksikane" në ShBA?

-A ka "Asosiacion të komunave algjeriane" në Francë?

-A ka "Asosiacion të komunave turke" në Gjermani?

-A ka "Asosiacion të komunave afrikane" në Britaninë e Madhe?

-A ka "Asosiacion të komunave shqiptare" në Itali?

Përse kërkoni "Asosiacion të komunave serbe" në Kosovë?

Nëse nuk ka qeveri të një shteti të Quintit të guxojë të shkelë Kushtetutën e vendit të vet dhe as të shkelë vendimet e Gjyatës Kushtetuese të vendit të vet, nuk kuptohet logjika e Quintit që i kërkon qeverisë së Kosovës të shkelë Kushtetutën e vendit dhe të shkelë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për të ashtuquajturin “asosiacion të komunave serbe”.

Nuk mund të mos quhet çudi diplomatike ose shkurtpamësi gjeopolitike fakti që nuk paska mjaftuar vatra vullkanike e destabilizimit serb dhe e separatizmit të të ashtuquajturës “serpska republika” në Bosnje-Hercegovinë, që po sjell vërdallë gjithë Perëndimin prej 27 vitesh, por iu dashka diplomacisë së Perëndimit një “serpska republika” tjetër në Kosovë, një vatër e re trazirash rajonale.

Me dashje apo pa dashje dikush apo disa në diplomacinë perëndimore po bëjnë lojën e Rusisë për një Ballkan Perëndimor si gjenerator i destabilizimit të pëhershëm. Mund të flasësh plot fjalë të bukura dhe të bësh komunikata të gjata për frenimin e influencës së Rusisë në Ballkan. Por nëse krijon artifise diplomatike dhe gjeopolitike mina me sahat si “serpska republikat” e njëpasnjëshme në Bosnje-Hercegovinë dje, në Kosovë sot, dhe nesër në Malin e Zi, kjo nuk është më vetëm dashuria gjenetike shekullore e një apo dy shteteve europiane për Serbinë. Në thelb kemi të bëjmë me një intrigë bizantine, që në strategjinë e saj të largët i shërben Rusisë dhe zgjerimit të influencës ruse në Ballkanin Perëndimor. Nuk besoj se ka njeri iluzionin që diplomacia perëndimore nuk e din që faktori serb në Ballkan është faktor rus.

Diplomacia perëndimore e din si dreqi, e megjithatë po ushtron mbi Kosovën presione të jashtëzakonëshme, të papërputhëshme me normat ndërkombëtare dhe me ligjet e vendit përkatës, që të hapë derën e prishjes sështetit dhe të vendosë gjeneratorin e destabilizimit me emrin “asosiacion i komunave serbe”. Që ironia të jetë sa më e madhe, disa diplomaci europiane bëjnë sikur janë shqetësuar për fatin e Donbasit në Ukrainë, dhe nga ana tjetër po kërkojnë krijimin e një Donbasi serb (dhe rus) në Ballkan. Duket sikur po vjen era Mynih 1938.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat